Ndërlidhjet

G7-a ofron 22 milionë dollarë për rajonin e Amazonës


Pamje nga Amazona.
Pamje nga Amazona.

Liderët ndërkombëtarë janë pajtuar në samitin e shtatë vendeve më të industralizuara (G7) që të ofrojnë ndihmë logjistike dhe financiare për të ndihmuar në fikjen e zjarreve në rajonin e Amazonës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se këto shtete do të ofrojnë 22 milionë dollarë.

Marrëveshja ka ardhur teksa liderët e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara kanë vazhduar takimin e tyre treditor në Biarritz të Francës.

Macron ka thënë se fondet do të jenë të qasshme “menjëherë”.

“Franca po ashtu do të ofrojë mbështetje konkrete me ushtrinë në rajon brenda disa orëve”, ka thënë Macron.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se shteti i saj dhe të tjerëve do të bisedojnë me Brazilin për shpyllëzimin në rajonin e Amazonës, pasi të shuhen zjarret.

“Natyrisht ky është territor brazilian, mirëpo ne kemi pyetje për këtë rajon, pyetje të nivelit global”, ka thënë ajo.

“Mushkëritë e gjithë botës janë prekur, andaj neve na duhet të gjejmë zgjidhje të përbashkëta”.

Papa Françesku po ashtu u është bashkuar zërave shqetësues për zjarret në Brazil, i cili gjendet në kufi me vendin e tij të lindjes, Argjentinën, dhe u ka bërë thirrje njerëzve të luten në mënyrë që “ato të kontrollohen sa më shpejt që është e mundur”.

Ai i ka thënë një turme në sheshin Shën Petri se “ne të gjithë jemi të shqetësuar” për zjarret në Amazonë. Ai po ashtu ka paralajmëruar se “mushkëria e gjelbër është jetike për planetin tonë”.

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter se ai ka biseduar përmes telefonit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili ka thënë se Izraeli do të dërgojë një aeroplan të specializuar për të ndihmuar në operacionin e luftimit të zjarreve.

Të premten, Bolsonaro ka njoftuar për dërgimin e 44,000 ushtarëve për të luftuar zjarret, mirëpo vetëm disa qindra prej tyre tashmë janë dërguar në rajonin e Amazonës.

Agjencia satelitore e këtij shteti ka regjistruar më shumë se 41,000 zjarre në Amazonë gjatë këtij viti, derisa më shumë se gjysma kanë nisur vetëm këtë muaj.

Ekspertët kanë thënë se zjarret janë nisur nga bujqit që kanë pastruar tokën ku kanë mbjellur. Mirëpo agjencia e njëjtë po ashtu ka raportuar edhe për një rritje të madhe të shpyllëzimit të tokës gjatë këtij viti.

Agjencia policore federale në Brazil ka thënë se do të hetojë raportimet për bujqit.

Njerëzit kanë protestuar në Rio de Zhaneiro duke kërkuar nga administrata e Bolsonaros që të bëjë më shumë për të mbrojtur Amazonën.

Në disa mbishkrime janë parë edhe këto thirrje: Bolsonaro është duke djegur të ardhmen tonë. Bolsonaro jashtë! Amazona qëndron!

Kritikët kanë akuzuar politikat pro-zhvillimore të Bolsonaros, përmes së cilave janë inkurajuar bujqit që të rrisin shpyllëzimin, ndonëse presidenti ka nisur thirrje të vazhdueshme për mbrojtje të kësaj zone.

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro.
Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro.

Kancelarja Merkel ka përmendur që Bolsonaro është duke dëguar “forca të mëdha” në përpjekje për ruajtje të Amazonës.

Mirëpo Bolsonaro ka pasur marrëdhënie të tensionuara me qeveritë e huaja, duke përfshirë atë të Gjermanisë dhe grupet joqeveritare, pasi i ka akuzuar për ndërhyrje në menaxhimin e shtetit të tij sa i përket Amazonës.

Javën e kaluar, ai ka deklaruar, pa u bazuar në të dhëna, se grupet joqeveritare janë duke nisur zjarret për ta turpëruar atë.

Zyra e Macronit është ankuar të premten se lideri brazilian “ka gënjyer atë” për përkushtimet rreth ambientit.

I pyetur nëse do të bisedonte me Macronin, Bolsonaro ka thënë të shtunën: Nëse me telefonon, do të përgjigjem. Qasja ime është shumë e mirë ndaj tij ndonëse më ka quajtur “gënjeshtar”.

Ndërkohë presidenti i Bolivisë, Evo Morales, ka thënë të shtunën se ai do të mirëpriste ndihmë për luftimin e zjarreve që kanë përfshirë territorin e tij.

Morales ka thënë në një konferencë për media se ai ka pranuar oferta për ndihmë nga liderët e Spanjës, Kilit dhe Paraguajit.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG