Ndërlidhjet

Macron për zjarret në Amazonë: Shtëpia jonë po digjet


Zjarret në Amazonë, 17 gusht, 2019.
Zjarret në Amazonë, 17 gusht, 2019.

Parisi dhe Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për mbrojtje të rajonit të Amazonës, që është përfshirë nga flakët, teksa presidenti brazilian i krahut të djathtë, Jair Bolsonaro, ka akuzuar homologun e tij francez, Emmanuel Macron për shpërfaqje të “mentalitetit kolonialist” në këtë çështje.

Të dhënat zyrtare tregojnë se gati 73,000 zjarre janë regjistruar në Brazil në tetë muajt e këtij viti, duke shënuar kështu numrin më të lartë prej vitit 2013.

Shumica prej tyre janë parë në rajonin e Amazonës.

Dëmi që është shkaktuar nga zjarret pritet të bëhet i ditur në të ardhmen, mirëpo tymi ka përfshirë Sao Paulon dhe qytete tjera në javën e fundit.

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se është “shumë i shqetësuar” për zjarret.

“Në mes të krizës globale për klimën, ne nuk mund të përballojmë më shumë dëm në burimin e rëndësishëm të oksigjenit dhe biodiversitetit. Rajoni i Amazonës duhet të ruhet”, ka thënë ai në një postim në Twitter.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se zjarret përbëjnë “krizë ndërkombëtare” dhe u ka bërë thirrje kombeve më të industrializuara në botë, që të adresojnë këtë çështje në një samit që do të mbahet në fundjavë.

“Shtëpia jonë është përfshirë nga flakët. Rajoni i Amazonës, mushkëritë e planetit tonë që prodhojnë 20 për qind të oksigjenit janë duke u djegur”, ka thënë Macron në Twitter.

“Kjo është krizë ndërkombëtare. Anëtarë të G7-ës, le të bisedojmë për dy ditë për këtë urgjencë”.

Mirëpo këto deklarata nuk i kanë pëlqyer presidentit të Brazilit, Jair Bolsonaro.

“Deklarata e presidentit francez se çështja e rajonit të Amazonës duhet të diskutohet në samitin e G7-ës, pa pjesëmarrjen e shteteve në rajon, tregon një mentalitet kolonialist që është jashtë shekullit 21”, ka thënë ai po ashtu në Twitter.

Peruja fqinje, në të cilën gjithashtu shtrihen pyjet e Amazonës, ka njoftuar se është e alarmuar për zjarret që po shpërndahen nga Brazili dhe Bolivia.

Paraguai dhe Bolivia janë duke luftuar ndaras zjarret që kanë shkatërruar pjesë të mëdha të pyjeve.

Shpyllëzimi i shpejtë

Njohësit e çështjeve të ambientit kanë thënë se zjarret janë përcjellur edhe nga një shpyllëzim tejet i shpejtë i rajonit të Amazonës, që është katërfishuar në korrik të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të 2018-ës.

Bolsonaro në anën tjetër ka thënë se zjarret janë pasojë e thatësisë së madhe dhe ka akuzuar grupet për mbrojtje të ambientit dhe organizatat joqeveritare për përmendje të një “psikoze mjedisore”, me qëllim të dëmtimit të interesave ekonomike të Brazilit.

Shpyllëzimi në Amazonë. Fotografi e bërë në shtetin Rodonia, Brazil.
Shpyllëzimi në Amazonë. Fotografi e bërë në shtetin Rodonia, Brazil.

“Kjo psikozë mjedisore ju pengon në çdo gjë”, ka thënë Bolsonaro, duke shtuar se kjo gjë është duke dëmtuar zhvillimin e shtetit.

“Nuk dua t’i jap fund mjedisit, dua të mbroj Brazilin”, ka thënë Bolsonaro, një skeptik ie ndryshimeve klimatik, i cili ka ngritur zërin për përdorim të tokave të mbrojtura për nevoja bujqësore, prej kur ka nisur udhëheqësinë në muajin janar.

Komentet e Bolsonaros kanë ardhur teksa Brazili është nikoqir i një takimi rajonal të OKB-së për ndryshime klimatike në qytetin verilindor të Salvadorit.

Vetëm gjatë tetë muajve të këtij viti, në Brazil janë regjistruar 73 mijë zjarre, shumica në rajonin e Amazonës.
Vetëm gjatë tetë muajve të këtij viti, në Brazil janë regjistruar 73 mijë zjarre, shumica në rajonin e Amazonës.

Një zyrtar i lartë i Brazilit ka mbrojtur politikën mjedisore të Brazilit, duke thënë se është në përputhje me Marrëveshjen e Parisit që synon luftimin e ngrohjes globale.

“Ne jemi duke i treguar botës si të prodhojë. Në vetëm 29 për qind të territorit tonë ne prodhojmë ushqim për të gjithë. Mesatarisht, vendet në botë shfrytëzojnë 50 për qind të tokës për nevoja bujqësore, ndërsa ne vetëm 29 për qind”, ka thënë Roberto Castelo, zyrtar i Ministrisë së Mjedisit.

“Nuk jam ‘Kapiteni Nero’”

“Nuk arsyetoj zjarret sepse ka pasur dhe do të ketë gjithmonë. Fatkeqësisht, kjo gjithmonë ka ndodhur në Amazonë”, ka thënë Bolsonaro, duke iu referuar sezonës së thatë.

“Mirëpo është e papërgjegjshme që të akuzohem unë se jam Kapiteni Nero që kam nisur zjarrin. Kjo është fushatë kundër Brazilit”, ka thënë presidenti para rezidencës së tij.

Ai i është referuar Kapitenit Nero, që njihet si perandor romak dhe besohet se ka fikur zjarrin teksa Roma është djegur. Përndryshe, Bolsonaro është ish-kapiten ushtarak.

Zjarret në Amazonë.
Zjarret në Amazonë.

Zjarret pyjore kanë tendencë të rriten gjatë sezonës së thatë, e cila zakonisht përfundon në fund të muajit tetor apo në fillim të nëntorit.

“Vetëm mendoni, nëse bota fillon të vendosë barriera tregtare, biznesi bujqësor do të bie, do të kthehemi mbrapa, ekonomia do të përkeqësohet, jeta juaj, jeta e gjithë redaktorëve të gazetave, drejtorëve të televizionit dhe gjithë brazilianëve do të komplikohet pa dallim. Shtypi është duke kryer vetëvrasje”, ka thënë Bolsonaro.

Megjithatë ka shenja të shqetësimit në rritje edhe brenda biznesit të Brazilit që lidhet me bujqësinë.

Guvernatorët e shteteve të rajonit të Amazonës po ashtu kanë kritikuar qeverinë për vendimet e fundit të Gjermanisë dhe Norvegjisë për pezullim të projekteve për ndihmë në këtë rajon.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG