Kryetari i Partisë së Pavarur Liberale, Slobodan Petroviq, me një grup bashkëpunëtorësh, në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, ka kaluar në këmbë kufirin Kosovë-Serbi, në shenjë proteste ndaj ndalimit nga organet e sigurisë së Serbisë, të anëtarëve të partisë së tij, të cilët janë pjesë e institucioneve të Kosovës.
Siç ka thënë Petroviq, tash e disa muaj me radhë, strukturat e sigurisë së Serbisë janë duke ushtruar torturë, duke i ndaluar në vendkalimet kufitare dhe duke i mbajtur për disa orë rresht anëtarët e Partisë së Pavarur Liberale, që janë pjesë e institucioneve qendrore të Kosovës dhe të cilët kanë udhëtuar për në Serbi, për vizita private, familjare dhe për vizita shëndetësore.
Sipas tij, anëtarët e kësaj partie, përfshirë edhe atë vet, në 7 raste janë ndaluar dhe janë intervistuar për orë të tëra nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë,e njohur si BIA.
Rasti i fundit, siç ka thënë Petroviq, ka ndodhur ditën e enjte, në vendkalimin Dheu i Bardhë, ku është ndaluar nga ana e policisë serbe, Sërgjan Jovanoviq, anëtar i Partisë së Pavarur Liberale, njëherësh këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Ky është poshtërim dhe e them që është poshtërim për gjithë popullin. Nga ky vend, dëshirojmë të dërgojmë porosi të qartë që ne nuk kemi punuar asnjëherë kundër interesave të shtetit të Serbisë dhe aq më pak kundër interesave të popullit tonë".
"Nëse gabimi ynë më i madh është që si përfaqësues të serbëve në institucionet e Kosovës, kemi bërë shumë më tepër për bashkësinë serbe se sa këta të sotmit (Lista Serbe), të cilët nuk po munden ta kthejnë atë që ne kemi bërë, atëherë ne e pranojmë atë gabim. Dëshirojmë që nga ky vend t’i dërgojmë porosi edhe bashkësisë ndërkombëtare se ne e dimë që ju e dini që e gjithë kjo nuk është në rregull dhe e presim reagimin e juaj konkret, sepse e gjithë kjo e ka kaluar çdo masë”, tha Petroviq.
Ai ka shtuar se kësaj radhe, policia serbe nuk i ka ndaluar në vendkalimin kufitar dhe se i ka dëgjuar komunikimin e tyre me BIA-n, të cilët i kanë urdhëruar që të mos i ndalojnë.
Sipas tij, përmes kësaj forme të protestës, Partia e Pavarur Liberale, dëshiron t’i dërgojë porosi opinionit në Kosovë, në Serbi dhe më gjerë, se ajo që po u ndodhë anëtarëve të kësaj partie është me arsye të pastra politike dhe vetëm pse kanë mendim tjetër politik nga Beogradi zyrtar, si dhe partia e krijuar nga ajo, Lista Serbe.
Megjithatë, ai pret që edhe në të ardhmen, organet e sigurisë të Serbisë të sillen ngjashëm me anëtarët e partisë së tij. Ai e ka vlerësuar këtë si veprim shkatërrues për institucionet e Qeverisë së Serbisë, e sidomos për ato të sigurisë, për presidenti serb Aleksandar Vuçiq, sepse siç ka thënë ai, në këtë mënyrë po poshtërohet i gjithë populli serb.
Srgjan Jovanoviq nga Lista Serbe, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u ndalua ditën e enjte nga policia serbe në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, e ka përshkruar situatën kur ishte ndaluar.
“Këto janë bisedat informative klasike të tyre. Pyetjet janë të njëjta për të gjithë, pra, çfarë bëni në Qeverinë e Kosovës, me çfarë merreni, pse jeni pjesë e Partisë së Pavarur Liberale, pse nuk kaloni në Listën Serbe dhe të ngjashme. Pyetjet janë të njëjta për të gjithë neve që na kanë ndaluar. Bisedat zgjasin tepër”, tha Jovanoviq.
Ndaj ndalimit të zyrtarëve serb të institucioneve të Kosovës, përkatësisht të atyre të Partisë së pavarur Liberale, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Në një konferencë për medie, pas mbledhjes së Qeverisë, ditën e premte, ai ka paralajmëruar se mund të marrë masa reciproke ndaj zyrtarëve serbë që vijnë në Kosovë.
“Tash nuk po paragjykoj se çfarë masash do të jenë, por edhe ne nuk mund ta heshtim faktin që zyrtarë të qeverisë sonë, në këtë rast serbë të Kosovës, keqtrajtohen në kufi nga organet e Serbisë. Nëse ata vazhdojnë me këtë praktikë edhe ne dimë ta bëjmë të njëjtën gjë për çdo zyrtar të Serbisë që vjen në Kosovë. Ne dimë t’i ndalojmë, dimë t’i mbajmë me orë, dimë t’i dërgojmë AKI-në, policinë, hetuesinë, pra, nëse e dëshirojnë një praktikë të tillë. Por, nuk mendoj që është në interes të ndërsjellë të dy fqinjëve”, tha Haradinaj.
Ndërkaq, Petroviq e ka cilësuar si veprim morbid ndalimin e zyrtarëve të partisë së tij. Ai ka thënë se serbët e Kosovës kanë mjaft probleme, vuajtje dhe frikë dhe kur kësaj i shtohen edhe ndalimet nga vet organet serbe, do t’ua përshpejtojë vendimin për ta braktisur Kosovën.
“Të gjithë ata që po ua bëjnë këtë njerëzve që luftojnë ndershëm për bashkësinë e tyre, e bartin përgjegjësinë për pasojat. Pasojat mund të jenë të mëdha dhe fatale. Ne nuk dëshirojmë që të arrihet deri aty. Por, dëshirojmë t’ua tërheqim vërejtjen atyre dhe gjithë opinionit, se nga problemi më i vogël mund të dalin problemet më të mëdha. Ne nuk e duam këtë dhe nuk duam që dikush të na shtyjë për tu grindur me dikë, e më së paku me fqinjët tanë. Ne duam të jetojmë së bashku dhe nga puna jonë”, theksoi Petroviq.
Që nga dhjetori i vitit të kaluar, në vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi, autoritetet serbe i kanë ndaluar dhe intervistuar Slobodan Petroviqin, deputet i Kuvendit të Kosovës, bashkëpunëtorët e tij, Boban Stankoviq, zëvendësministër i Kulturës në Qeverinë e Kosovës, si dhe Nebojsha Jakovljeviq, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës.
Të gjithë këta, janë anëtar të Partisë së Pavarur Liberale.