Ndërlidhjet

LDK nuk e përkrah platformën e Qeverisë për dialogun me Serbinë


Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës

Subjekti më i madh opozitar në Kuvendin e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës me anë të një komunikatë për media, ka bërë të ditur se nuk do të përkrahë platformën e prezantuar nga Qeveria për dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë.

"Platforma për dialog, e prezantuar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës, është dokument i përgatitur dobët, joserioz dhe me pretendime jokushtetuese. Rrjedhimisht, Grupi Parlamentar i LDK-së në Kuvendin e Kosovës nuk do ta votojë platformën në fjalë", thuhet në komunikatë.

Në komunikatë thuhet po ashtu se Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar për një proces dialogues serioz, konsensual dhe brenda kornizave kushtetuese të Republikës së Kosovës.

"LDK-ja beson në vlerat e pazëvendësueshme të dialogut politik, jo vetëm si një mjet për marrëveshje, por edhe si një qenësi e jetës politike", theksohet pos tjerash në komunikatë.

Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar një platformë për dialogun politik me Serbinë.

Në platformën e hartuar, e cila pret miratimin e Kuvendit, roli udhëheqës në dialogun me Serbinë i besohet presidentit të shtetit.

Ky i fundit, obligohet që në baza të rregullta ta informojë Kuvendin e Kosovës për bisedimet që zhvillohen në Bruksel.

Si rezultat final, platforma synon që Kosova dhe Serbia, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, të arrijnë një marrëveshje ndërkombëtare, ligjërisht të obligueshme për të dyja palët, dhe e cila për Kosovën do të ratifikohej nga Kuvendi si organi më i lartë.

Përmes marrëveshjes finale me Serbinë, e cila do të nënkuptonte normalizimin e raporteve, Kosova mëton të sigurojë heqjen e barrierave të krijuara për anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në Bashkimin Evropian dhe strukturat e organizatat, strukturat e mekanizmat tjerë ndërkombëtar.

Partitë opozitare në Kosovë insistojnë që presidenti Hashim Thaçi të mos jetë në krye të procesit të dialogut me Serbinë, tani kur po afrohet edhe faza finale e tij. Sipas opozitës, Kuvendi është organi më i lartë, i cili duhet të vendosë për këtë çështje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG