Fillon seanca për votimin e qeverisë së re, Vjosa Osmani nuk e udhëheq seancën
Në Kuvendin e Kosovës ka filluar seanca e jashtëzakonshme në të cilën pritet të votohet qeveria e re e drejtuar nga Avdullah Hoti i LDK-së.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, nuk është duke e udhëhequr seancën.
Seancën është duke e udhëhequr nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala.
Në nisje të seancës, Shala ka thënë se Vjosa Osmani nuk ka pranuar të udhëheq seancën. Njëjtë sipas Shalës ka vepruar edhe Arbërie Nagavci e Vetëvendosjes e që është po ashtu nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.
Një ditë para seancës në deklarime për media, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh nënkryetare e LDK-së, Vjosa Osmani tha se do të ishte e udhës krijimi i një qeverie teknike me mandat 6-9 muaj e më pas vendi të shkojë në zgjedhje parlamentare.
Në këtë seancë pritet që të votohet qeveria e re që në kuadër të saj ka AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe partitë joshumicë.
Avdullah Hoti prezanton planin qeverisës
I mandatuari për kryeministër të ri të Kosovës, Avdullah Hoti, ka prezantuar planin e tij qeverisës në nisje të seancës së Kuvendit të Kosovës.
Hoti ka thënë se qeveria që ai do të drejtojë do të ketë dy prioritete kryesore; e para luftimi i pandemisë së koronavirusit të ri dhe i dyti, rimëkëmbja ekonomike.
Duke folur për prioritetet, Hoti tha se së bashku me partnerët e tjerë qeverisës do të kujdesen edhe për prioritetet e tjera si forcmimi i shtetit, avancimi i demokracisë, luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik, marrja e përgjegjësive kushtetuese për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me përfshirje të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kjo qeveri do të promovojë dhe mbrojë sovranitetin e vendit si një tërësi e pandashme”, deklaroi Hoti.
Sa i takon rimëkëmbjes ekonomike, Hoti tha se do të krijohet fondi për rimbëkëmbje ekonomike, pasi sipas tij, dëmet nga pandemia e koronavirusit të ri mund të jenë të paparashikueshme.
Hoti ka premtuar mbështetje për bizneset për të tejkaluar krizën ekonomike që ka shkaktuar pandemia.
Përbërja e kabinetit qeveritar të qeverisë Hoti
- Avdullah Hoti, kryemnistër
- Besnik Tahiri, zëvendëskryeministër i parë
- Driton Selmanaj, zëvendëskryeministër
- Albulena Bala – Halimi, zëvendëskryeministre
- Goran Rakiq, zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal
- Hykmete Bajrami, ministre e Financave
- Besjan Mustafa, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural
- Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
- Anton Çuni, mbetet ministër i Mbrojtjes
- Arban Abrashi, ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit
- Agim Veliu, ministër i Punëve të Brendshme
- Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë
- Blerim Kuçi , ministër i Zhvillimit Ekonomik
- Selim Selimi, ministër i Drejtësisë
- Meliza Haradinaj – Stublla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës
- Ramë Likaj, ministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit
- Skënder Reçica, ministër i Punës dhe Mirëqënies Sociale
- Vesel Krasniqi, ministër i Tregtisë dhe Industrisë
- Dalibor Jevtiq, ministër për Kthim dhe Komunitete
- Enis Kervan, ministër i Zhvillimit Rajonal
Vendimi që i hapi rrugë seancës sot
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës pason vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës, duke e cilësuar si të ligjshme dekretin e presidentit Hashim Thaçi, për të mandatuar Avdullah Hotin si kandidat për formimin e qeverisë së re.
Cilat ishin reagimet në rrjetet sociale mbi këtë vendim?