Selimi: Kjo është qeveri ilegale dhe jolegjitime
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi tha se thirrja e seancës dhe tentimi për formimin e një qeverie të re është tentim edhe një hap tjetër për zhbërjen e verdiktit të sovranit. Ai tha se qeveria që po formohet është ilegale.
“Qeveria që doni ta formoni është edhe ilegale edhe ilegjitime. Është ilegale se vije pas shkeljeve të njëpasnjëshme të Kushtetutës së Kosovës siç është dekreti jokushtetues për mandatimin e humbësit të zgjedhjeve për kryeministër e deri të aktgjykimi i padrejtë dhe jo kushtetues i Gjykatës Kushtetuese”, tha Selimi.
Ai tha se qeveria qe po formohet është më shumë se qeveria “Thaçi 3”.
“Kjo qeveri do t’i duhet atij vetëm sa për t'i shërbyer për legjitimin e ndarjes së Kosovës dhe të përfitojë nga kjo qeveri edhe një mandat tjetër si president”, tha Selimi.
Selimi tha se Vetëvendosjes nuk i vije keq për veten e tyre por, siç u shpreh ai keqardhja është se po tentohet të bëhet një qeveri qe do ta kthejë shtetin në duart e grupeve e individëve.
“Ju qëllimet i keni të cekta, por të rrezikshme, të thjeshta po të këqija”, tha Selimi mes tjerash në fjalën e tij.
Gashi: Qeveria të jetë e kujdesshme në negociata
Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në seancën e Kuvendit të Kosovës ku pritet të votohet qeveria e re, ka kërkuar nga kabineti i propozuar qeveritar që të jetë i kujdesshëm në qeverisje.
Gashi është fokusuar në procesin e dialogut për të cilin ka kërkuar angazhim të kryeministrit Avdullah Hoti. Ky proces, sipas Gashit, duhet kaluar me konsensus të brendshëm politik që kërkon angazhimin e të gjithë spektrit politik.
Gashi ka thënë se një çështje e rëndësishme është edhe perceptimi se Kosova është shtet i kapur.
Duke folur për qeverisjen e Vetëvendosjes, Gashi tha se as ky subjekt politik nuk ishte imun ndaj kapjes së shtetit pasi sipas tij emëroi persona politikë në pozita udhëheqëse.
PDK nuk e voton Qeverinë Hoti
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha se Kosova në këtë situatë ka ardhur nga mashtrimet e bëra të partive politike, LVV dhe LDK.
Rrjedhimisht ai tha se PDK, nuk e voton qeverinë Hoti. Ai në fjalën e tha se Kosova nuk qeveriset me mashtrime.
“Ideja e përfitimit me çdo kusht, çdo herë sjell humbjen pa kusht. Kjo po i ndodh edhe sot Albin Kurtit. Kjo do t’i ndodhë edhe Avdullah Hotit, i cili është kopje jo origjinale e këtij mashtrimi. Do ta bëjë edhe më të rëndë situatën në vend.
Ai tha se LDK, kur nuk ka qenë në pushtet, sipas tij gjithmonë ka ndihmuar rrënimin, ndërsa kur është në pushtet kurrë nuk merr përgjegjësitë që i takojnë.
“Pastaj, këto koalicionet, qoftë ai paraprak, qoftë ky aktual, kur dëgjon fyerjet mes tyre dhe bashkimet më pas, nuk mund të mos pyesësh: A ka mbetur pak nder e moral te këta njerëz?”, tha Veseli.
Veseli tha se Kosova ka nevojë t’i kthehet agjendës së rimëkëmbjes nacionale dhe se sipas tij, votimi që do të ndodhë është vazhdimësi mashtrimi.
Haxhiu: Bashkë me partnerët synojmë luftimin e korrupsionit
Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka folur për qeverisjen e Vetëvendosjes duke thënë se situata në të cilën është Kosova, është si pasojë e veprimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Haxhiu ka arsyetuar vendimin e AAK-së për tu futur në koalicion qeverisës me LDK-në dhe partitë e tjera.
“Ne si AAK vepruam natyrshëm në kuadër të përgjegjësisë që e kemi”, deklaroi Haxhiu.
Duke folur në emër të grupit parlamentar të AAK-së, Haxhiu tha se me partnerët kanë qëllime të përbashkëta.
“Qëndrim të përbashkët kemi sidomos në luftimin e korrupsionit dhe forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve strategjike me SHBA-në dhe shtetet e Bashkimit Evropian”, deklaroi Haxhiu.
Haxhiu ka përmendur edhe marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi duke thënë se duhet përfunduar procesi i korrektimit të marrëveshjes.