Ndërlidhjet

Ndërpritet seanca, Mikullovci thërret takim konsultativ


Kuvendi i Kosovës sërish nuk ka arritur të zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët. Në seancën e sotme, sërish nuk morën pjesë deputetët e koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismas, i njohur si koalicioni PAN. Po ashtu të pranishëm nuk ishin as deputetët e komuniteteve pakicë.

Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, deputeti Adem Mikullovci, që në fillim ka thënë se në mungesë të deputetëve do të shkohet në një pushim prej 15 minutash.

Pas pauzës, sërish Kuvendi nuk kishte kuorum për të vazhduar punimet. Megjithatë, në Kuvend kanë vazhduar disa fjalime të deputetëve, ku kanë kritikuar koalicionin PAN për mosprezencën e tyre në seancë. Po ashtu, debati është zhvilluar edhe për atë se a duhet të ketë takime konsultative.

Kryesuesi Mikullovci ka thirrur përfaqësuesit e partive politike në një takim konsultativ, të mërkurën në orën 10:00.

"Takimi i të mërkurës do të jetë vetëm një pikë të rendit të ditës, kur janë të gatshëm të vinë në seancat e Kuvendit dhe të dalin me emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit. Vazhdimisht zhagitje e punës. Kjo është hera e fundit", tha Mikullovci.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se koalicioni PAN me çdo kusht po dëshiron të qëndrojë në pushtet. Ai ka ftuar përfaqësuesit e PAN-it që të gjejnë forcë dhe të dalin me propozimin e tyre për të kandidatin për kryetar të Kuvendit.

"PAN-i deri tash është udhëhequr nga një logjikë totalitare dhe monopolizuese. Ata thanë kështu ‘ose duhet të jemi ne në pushtet ose nuk themelohen fare institucionet e Republikës’. Kjo i bije që ata veten e vendosin në rend të parë, ose ne ose hiq, ose ne ose do të kolapsojë shteti i Kosovës", tha Konjufca.

Konjufca, tha para deputetëve, se populli është kureshtar të shoh një qeverisje ndryshe në Kosovë.

"Mendoj se një qeverisje e ardhshme e cila nuk do ta kishte PDK-në si faktor vendimtar edhe si faktor i vendimmarrjes në Kosovë, është shumë pozitive për Kosovën. Sepse ne të tjerët mendoj se do t'i qitshim në shesh të gjitha keqpërdorimet që kanë ndodhur deri tash", tha Konjufca.

Kurse, Avdullah Hoti nga koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, ka propozuar që çështja e bllokadës së votimit të kryeparlamentarit të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese.

Ai ka ftuar të gjithë përfaqësuesit e partive politike që të marrin pjesë në debate dhe takime konsultative që do të organizohen në ditët në vazhdim.

"Ne si koalicion jemi duke shqyrtuar modalitete [veprimet] kushtetuese për të themeluar institucionet e vendit. Unë në emër të grupit tonë parlamentar, do të ftoj në një tryezë dhe do të ketë ftesa zyrtare për të gjitha subjektet politike për t'u ulur dhe draftuar pyetjet për Gjykatën Kushtetuese", ka thënë Hoti duke shtuar se po shqyrtojnë hapat kushtetues për sqarimin e bazës juridike.

Pas ndërprerjes se seancës konstituive, Partia Demokratike e Kosovës, ka mbajtur një konferencë për media ku ka kritikuar kryesuesin e seancës, për siç është thënë keqpërdorim të foltores.

Besim Beqaj, anëtar i kryesisë se PDK-së tha se në seancën konstituive nuk mund të procedohet pa prezencën e koalicionit fitues të zgjedhjeve dhe pa prezencën e numrit të duhur të deputetëve.

Ai tha se “PDK-ja konsideron se është një abuzim i paprecedentë i foltores dhe shkelje e normave kushtetuese, sepse dihen rregullat e qarta se si mbahen seancat e Kuvendit”.

"Koalicioni PAN nuk është bllokues, mandatari ka nevojë për konsulta shtesë, ne do t’i themelojmë institucionet shumë shpejtë. Dhe të gjithë ata që po performojnë një jo-kushtetueshmëri, po performojnë një abuzim dhe po krijojnë veprime pa precedent”, tha Beqaj.

Në asnjë normë kushtetuese, shtoi Beqaj,nuk do të lejohen veprime të tilla. Ai ka konfirmuar se në takim konsultativ të thirrur për të mërkurën, përfaqësuesit e PAN-it do të jenë të pranishëm.

Pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nuk do të mund të vazhdohet me asnjë procedurë tjetër rreth formimit të institucioneve.

Përfaqësuesit e Ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, kanë thënë se janë të shqetësuara me gjendjen e krijuar në Kosovë, si pasojë e moszgjidhjes së institucioneve të reja. Ata kanë thënë se janë të shqetësuar për situatën politike që po vazhdon në Kosovë.

Në deklaratën e pesë Ambasadave të vendeve Perëndimore në Prishtinë, theksohet se “është përgjegjësi e liderëve të Kosovës formimi i këtyre institucioneve, por edhe për të bërë reforma të domosdoshme për parandalimin e bllokadës së këtillë në të ardhmen”.

"Kosova ballafaqohet me shumë sfida, në periudhë të mesme dhe afatgjatë, përfshirë programin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, situatën energjetike, por, po ashtu, edhe nevojën për zhvillim ekonomik, forcim të sundimit të ligjit, perspektivën evropiane të Kosovës dhe raportet e Kosovës me Serbinë”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se “është përgjegjësi e deputetëve të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës që të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe të lejojnë që ai ta fillojë punën e vet”.

Qytetarët në Prishtinë kanë mendimin se zhvillimet politike në vend janë për keqardhje. Ata thonë se nuk duhet humbur kohë dhe sa më parë duhet të formohen institucionet e reja.

Bashkim Isufi, student në Universitetin e Prishtinës tha se ajo që po ndodh në Kuvend është e pajustifikueshme.

"Klasa politike duhet të bashkohet dhe të shikojë interesat qytetarë e kombëtarë dhe të shtyjë përpara tema të rëndësishme që po e presin Kosovën, dhe të lënë prapa interesin personal", tha Isufi.

Gani Bici, pensionist tha për Radion Evropa e Lirë se politikanët dhe partitë politike nuk duhet të mendojnë vetëm për interesa të ngushta. Ai thotë se qytetarët janë lodhur nga politika dhe veprimet e atyre që bëjnë politikë.

"Kjo që po ndodh është një tollovi. Kurrë nuk ishim për vete, të huajt po na mbajnë, ne nuk po dimë të mbajmë shtet. Këta po shohin për vete, po shikojnë se si t'i blejnë edhe dy veta të tjerë, dhe t’i bëjnë numrat me para, me joshje. Për mua kjo nuk është rregull fare. Për mua si një qytetar që ja kam dhënë votën dikujt, mos me dalë në Kuvendi nuk e di, nuk e di. Ne kishim qenë popull për të vuajt", tha Bici.

Në rast të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, më pas fillon faza prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë. Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, kjo e drejtë i takon koalicionit PAN (PDK, AAK dhe Nisma) si fitues i zgjedhjeve. Për formimin e Qeverisë janë të nevojshme të paktën 61 vota të deputetëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG