Në muzgun e natës së Kurban Bajramit, Abdulrrahman Safe i çoi katër fëmijët e tij për të prerë flokët, në përgatitje të festës.
Ai ka një muaj që jeton në Shqipëri, bashkë me qindra afganë të tjerë që janë evakuuar si të përndjekur nga regjimi taliban. Grupi radikal mori pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021.
“Është traditë e Bajramit” të shkurtohen flokët, thotë 33-vjeçari.
Salloni i flokëve ku po bëheshin gati familja Safe, gjendet disa metra larg kompleksit pushimor “Rafaello”, në zonën bregdetare të Shëngjinit, në veriperëndim të Shqipërisë.
Në këtë kompleks, aktualisht, gjenden rreth 800 afganë - disa prej të cilëve nga fundi i vitit 2021. Shumica presin dritën e gjelbër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të emigruar atje.
Në ditën e Kurban Bajramit, Mahmood Rezaie zgjodhi të ecë në shëtitoren rreth plazhit, bashkë me djemtë e tij.
“Ta festosh Bajramin në Afganistan ishte më mirë se këtu, sepse kemi mundur t’i vizitojmë familjet tona. Edhe këtu është mirë, por po presim për viza të shkojmë në Amerikë”, tregon Rezaie, i cili, po ashtu, ka një muaj që ka arritur në Shqipëri.
Ndonëse nuk ka shumë shenja feste, në shëtitoren e Shëngjinit shihen burra e gra me veshje tradicionale afgane.
Shumica prej këtyre burrave falën namazin e Bajramit në xhaminë më të afërt në qytetin e Lezhës.
Për Mohammad Samim Nasimin, veshja tradicionale është ndër gjërat e pakta që zgjodhi t’i merrte me vete, kur u nis nga Afganistani, dy javë më parë.
Deri vonë, ai punonte në sektorin e logjistikës në një kompani të huaj që operonte në Afganistan.
“Na mungojnë ushqimet tradicionale. Ushqimi afgan është shumë i shijshëm. Deshëm të sjellim ca fruta të thata, por nuk mundëm për shkak të kufizimeve në bagazh”, thotë Nasimin.
E, bashkëshortes së tij, Arizio, më së shumti i mungojnë anëtarët e familjes që kanë mbetur në Afganistan.
Pas shëtitjes së paradites, afganët që po qëndrojnë në Shëngjin, i pret dreka që përgatitet për ta në kompleksin “Rafaello”.
Shefi i kuzhinës, Frank Kola, thotë se ka përgatitur ëmbëlsira për nder të festës.
Rreth 2.400 afganë u evakuuan në Shqipëri në gusht dhe shtator të vitit 2021, pasi talibanët morën pushtetin në Afganistan.
Atyre iu dha strehim i përkohshëm në Shëngjin dhe në hotele të tjera në Durrës të Shqipërisë.
Në bazë të një marrëveshjeje që Shqipëria ka bërë me Shtetet e Bashkuara, ata do të qëndrojnë në këtë vend derisa ta rregullojnë dokumentacionin për t’u zhvendosur në SHBA.
Shumica prej afganëve me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, shprehën dëshirë që Bajramin e ardhshëm ta presin në SHBA.
Kurban Bajrami është ndër festat kryesore në Islam. Festa karakterizohet me pelegrinazhin e Haxhillëkut dhe flijimin e kurbanit apo therjen e dashit.