Ndërlidhjet

Kuleba: Samiti në Tiranë dërgon mesazh se mbetemi të bashkuar


Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba me homologun e tij shqiptar, Igli Hasani.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, e ka falënderuar të mërkurën Shqipërinë për organizimin e samitit për vendin e tij dhe ka përsëritur se është shumë e rëndësishme që Rusia të mbahet përgjegjëse për luftën e nisur në Ukrainë më 2022.

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media me ministrin e Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Konferenca është mbajtur pak para nisjes së samitit të organizuar prej Shqipërisë, dhe në të pritet të diskutohet për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

“Ky samit tregon sesa vlerësim gëzon Shqipëria në rajon dhe dërgon një mesazh të qartë se mbetemi të bashkuar”, ka thënë Kuleba.

Ai e ka falënderuar Shqipërinë për nismat e saj humanitare pas nisjes së luftës, përfshirë rehabilitimin e fëmijëve, prindërit e të cilëve janë vrarë në luftë.

Kryediplomati ukrainas foli edhe për samitin e NATO-s, që do të mbahet në Uashington, dhe përsëriti synimin e shtetit të tij që të bëhet pjesë e aleancës ushtarake perëndimore.

"Pritjet tona janë që mes të tjerash një prej rezultateve të samitit të Uashingtonit do të jetë një hap më përpara drejt anëtarësimit të Ukrainës, që në fund të bëjë këtë pjesë të Evropës më të sigurt", ka thënë ai.

Kryediplomati shqiptar, Igli Hasani, ka bërë të ditur se autoritetet janë në fazën e përgatitjeve për hapjen e Ambasadës shqiptare në Kiev, dhe se shpreson që inaugurimi të ndodhë "në muajt e ardhshëm".

"Shqipëria mbështet lirinë, pavarësinë, tërësinë territoriale të Ukrainës. Shqipëria dënon me forcë agresionin rus kundër Ukrainës", ka thënë Hasani, duke shtuar se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë Kievin gjatë luftës, por edhe në fazën e pasluftës, në rindërtimin e shtetit.

Ai ka thënë se uron që samiti i përbashkët të jetë frytdhënës dhe të ofrojë perspektiva të reja për të ardhmen e Ukrainës.

Në samitin në Tiranë do të marrin pjesë disa liderë të Evropës juglindore.

Sipas agjendës Rama dhe Zelensky pritet të mbajnë fjalime hapëse dhe pastaj një takim prapa dyerve të mbyllura.

Samiti do të përmbyllet me daljen e tyre në një konferencë për media.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG