Ndërlidhjet

Kryqi i Kuq i gatshëm të ndihmojë kthimin e kosovarëve nga Siria


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) ka thënë se është i gatshëm të ndihmojë në kthimin e personave të cilët ende gjenden në vatrat e luftës në Siri në kohën kur grupi militant Shteti Islamik (IS) tashmë ka humbur çdo territor që kishte nën kontroll.

Më shumë se 150 burra, gra dhe fëmijë nga Kosova ende janë në vatrat e luftës, por që asnjë shtet nuk dëshiron t’i mbajë.

Këtij numri i shtohen edhe 60 fëmijë të tjerë të cilët kanë lindur në vitet e fundit dhe të cilët së paku njërin nga prindërit e kanë me shtetësi të Kosovës.

Albiona Musliu, nga zyra në Prishtinë e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo organizatë asiston në lehtësimin e procesit të riatdhesimit apo ribashkimit me familjet jashtë vendit me pëlqimin e të gjithë personave dhe palëve të përfshira.

“Kjo mund të përfshijë lehtësimin e procesit të riatdhesimit apo ribashkimit me familjet jashtë vendit – në baza krejtësisht humanitare – në kushte të jashtëzakonshme dhe vetëm me pëlqimin e të gjithë personave dhe palëve të përfshira”, tha Musliu.

Sipas saj, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar është i gatshëm të sigurojë dokumente udhëtimi për këta persona, por vetëm pasi shtetet e përfshira të jenë pajtuar për një transfer të tillë.

“Nëse personi në fjalë nuk ka dokumente udhëtimi të vlefshme dhe nëse nuk mund të gjenden zgjidhje alternative, KNKK-ja mund ta sigurojë një dokument të tillë, me kusht që parashtruesi i kërkesës, përkatësisht shteti nga i cili ka udhëtuar personi në fjalë, shteti i mundshëm i tranzitit dhe shteti pranues të kenë rënë dakord për riatdhesimin. Për shkak të kompleksitetit të situatave dhe numrit të palëve të përfshira, këto procese marrin kohë”, tha Musliu.

Me gjithë gatishmërinë e shprehur nga Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar për të ndihmuar kthimin e këtyre personave, në Qeverinë e Kosovës, ndonëse të kontaktuar, nuk kishte gatishmëri që të flasin në lidhje me këtë çështje.

Ndërkaq, Skender Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), tha për Radion Evropa e Lirë, se për dallim prej vendeve të tjera, Kosova, ka shprehur gatishmërinë për kthimin e qytetarëve në shtëpitë e tyre.

“Ajo çfarë është shqetësuese është gjendja e grave dhe fëmijëve që janë atje, ka një kohë të gjatë se janë në pritje se çfarë do të ndodh me fatin e tyre, a do të kthehen apo jo? A do të shpreh shteti gatishmëri për t’i kthyer? Sepse në vendet tjera ende janë duke diskutuar mundësinë se a duhet t’i kthejnë a jo”, tha Perteshi.

Ai tha se ri-integrimi i këtyre personave në shoqëri, do të jetë shumë i vështirë. Kurse ata që luftuan përkrahë organizatave terroriste, sipas Perteshit, nuk dihet ende se a dëshirojnë të kthehen në Kosovë.

“Ka me qenë një sfidë e madhe edhe ri-integrimi i tyre, i grave, por sidomos i fëmijëve në shoqëri. Ndërsa sa i përket luftëtarëve të huaj, nuk pres që një numër shumë i madh i tyre mund të kthehen, sepse edhe nëse kthehen do të përballen me ligjin, për veprat që i kanë bërë, por shumica prej tyre janë ende pjesë e ISIS-it”, tha Perteshi.

Prej se ka filluar lufta në Siri, në periudha të ndryshme, një numër i madh i kosovarëve që luftuan krah grupit militant IS dhe grupeve të tjera të shpallura terroriste, u kthyen në Kosovë. Nga të dhënat e autoriteteve kosovare rezulton se të kthyerit janë kryesisht meshkuj.

Sipas Policisë së Kosovës, numri i personave të kthyer në Kosovë apo edhe në vendet tjera prej nga kanë udhëtuar është 132, përfshirë këtu 120 meshkuj, 6 gra dhe 6 fëmijë.

Numri i kosovarëve që u bënë pjesë e luftës së Sirisë filloi të rritet në fund të vitit 2012 dhe në fillim të vitit 2013.

Numri i personave të vdekur në zonën e konfliktit është 79, prej të cilëve 76 persona të gjinisë mashkullore të vrarë, ndërsa tre persona, përfshirë këtu një person i gjinisë mashkullore, një person i gjinisë femërore dhe një fëmijë i lindur në zonën e konfliktit raportohet të kenë vdekur nga shkaqe natyrore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG