Ndërlidhjet

Kritikohet vendimi i gjykatës serbe për lirimin e Cvjetanit


Saranda Bogujevci – e mbijetuara e masakrës në Podujevë – duke kaluar pranë varrit të nënës së saj. 31 korrik, 2017
Saranda Bogujevci – e mbijetuara e masakrës në Podujevë – duke kaluar pranë varrit të nënës së saj. 31 korrik, 2017

E mbijetuara e masakrës së vitit 1999 në Podujevë, Saranda Bogujevci, në emër të dy familjeve asaj Duriqi dhe Bogujevci, ka dënuar vendimin e Gjykatës së Lartë të Beogradit pasi ka liruar para kohe nga burgu Sasha Cvjetanin, një nga anëtarët e njësisë policore “Akrepat” që ka kryer krimin.

Gjykata tha se tashmë ai kishte kaluar dy të tretat në burg dhe mund të lirohet. I dënuar me 20 vjet, ai është dashur të lirohet në vitin 2021.

Bogujevci në një prononcim për media në Prishtinë tha se është e pakuptimtë dhe e papranueshme që një person që ka kryer krime të lirohet duke mos e mbajtur dënimin e dhënë nga gjykata.

"Kjo na bënë të kuptojmë si familje që Serbia nuk është e interesuar sa i takon drejtësisë. Nuk është e interesuar që t'i dënojë dhe të mbajë dënimin për kriminelët e luftës për krimet që i kanë bërë në Kosovë dhe nuk janë duke e marrë seriozisht këtë çështje. Si familje jemi shumë të zhgënjyer e të mllefosur dhe është e papranueshme që një person të lirohet për krimet të luftës",tha Bogujevci.

Bogujevci: Serbia nuk dëshiron drejtësi
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:48 0:00

Saranda Bogujevci, e cila aktualisht është deputete në Kuvendin e Kosovës, theksoi se veprimet të cilat janë marrë nga sistemi i drejtësisë në Serbi në favor të kriminelëve, siç tha ajo u ka dhënë më shumë vullnet për të luftuar deri në fund, që ata persona që kanë bërë krime, të marrin dënime që i meritojnë.

"Si familje kjo na ka dhënë edhe më shumë kurajë për të luftuar për drejtësi, për të kërkuar përgjegjësi nga Serbia, për të luftuar për drejtësi dhe për të kërkuar nga Serbia që edhe kriminelët e tjerë të dënohen dhe t’u përmbahen vendimeve që i marrin", tha Bogujevci.

Fondi për të Drejtën Humanitare ka kritikuar lirimin e hershëm të Sasha Cvjetanit, duke thënë se gjatë gjyqit ai nuk ka shprehur kurrë keqardhje dhe pretendonte se procesi ishte “politik”.

Cvjetan ishte një anëtar i njësitit “Akrepat” i cili mori pjesë në vrasjen e 14 shqiptarëve në Podujevë më 28 mars të vitit 1999. Në mesin e të vrarëve kishte gra dhe fëmijë.

"Bëhet fjalë për gra dhe fëmijë, por edhe se ai gjatë gjithë vazhdimit të procesit ka mohuar fajësinë e tij, duke thënë se ky proces është i montuar politikisht”, tha Ivana Zhaniq, juriste në Fondin për të Drejtën Humanitare.

Edhe përfaqësuesit Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë kanë dënuar lirimin e parakohshëm të Sasha Cvjetanit.

Bekim Blakaj nga ky fond tha për Radion Evropa e Lirë se ajo çka ka ndodhur në Serbi me rastin e fundit në sistemin e drejtësisë tregon një marrëdhënie jo të mirë të gjyqësorit me viktimat.

"Natyra e krimit për të cilin është dënuar Sasha Cvejtan, vrasja e 14 civilëve tregon që ky ka qenë një krim jashtëzakonisht i rënd edhe çfarëdo kushti ta ketë plotësuar, i dënuari nuk është dashur të lirohet para kohe", tha Blakaj.

Deputetja Bogujevci ka kërkuar nga institucionet e Kosovës, por edhe faktori ndërkombëtar, që të bëjnë më shumë presion te autoritetet në Serbi që të kuptojë dhe të mbajë përgjegjësi për krimet që i ka bërë në Kosovë.

Në masakrën e Podujevës, pesë persona kanë shpëtuar duke marrë plagë të rënda. Njëra nga ta është edhe Saranda Bogujevci e cila u plagos me 16 plumba.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG