Në Kosovë besimtarët katolikë kanë kremtuar festën e Krishtlindjes. Mesha kryesore është zhvilluar në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Përfaqësuesit e Kishës Katolike kanë dërguar mesazhe paqeje dhe dashurie për njerëzit, ndërkohë besimtarët janë uruar nga liderë të ndryshëm institucional.
Në meshën kryesore besimtarët janë lutur për më shumë dashuri dhe mirëkuptim.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se kremtimi i Krishtlindjes gjithmonë bart me vete mesazhin e tolerancës, mbarësisë e humanizmit, vlera këto që garantojnë një të ardhme më të begatshme për brezat e rinj.
Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj në mesazhin e tij dërguar Ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji ka thënë se kjo festë e solidaritetit, harmonisë dhe mirëkuptimit ndërmjet njerëzve, na bën bashkë dhe na jep forcën që të ndihmojmë ata në nevojë e të përkujdesemi për të gjithë.
Festa e Krishtlindjes është një nga kremtet më të rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera. Ajo kremtohet çdo 25 dhjetor dhe në të kujtohet lindja e Jezu Krishtit. Pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për besimtarët e krishterë.