Ndërlidhjet

Kosova dhe Serbia me sjellje humanitare para stuhisë politike?


Një vajzë kalon nëpër “tunelin dezinfektues” të vendosur pranë spitalit në Mitrovicë të Jugut. 7 prill, 2020.
Një vajzë kalon nëpër “tunelin dezinfektues” të vendosur pranë spitalit në Mitrovicë të Jugut. 7 prill, 2020.

Ballafaqimi me pandeminë globale të shkaktuar nga koronavirusi, i cili shkakton sëmundjen COVID-19, ka nxjerrë në pah përafrimin dhe bashkëpunimin e institucioneve shëndetësore të vendeve të rajonit, por me specifika të veçanta përbrenda Kosovës, por dhe të kësaj të fundit me Serbinë dhe anasjelltas, vlerësojnë njohës të zhvillimeve, shqiptarë dhe serbë.

Sipas tyre, situata e pandemisë është e jashtëzakonshme dhe ajo ka imponuar veprime politike, të cilat mund të konsiderohen të pazakonshme dhe që kanë kushtëzuar një lloj bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë që bashkëpunimi i Kosovës me Serbinë në kohën sa po zgjatë pandemia është mjaft i komplikuar dhe ka kaluar nëpër shumë filtra ndërkombëtar. Por, sipas tij, është e dukshme që për shkak të pandemisë së koronavirusit, drejtuesit e të dy vendeve kanë vendosur që t’i lehtësojnë barrierat politike dhe të ndryshojnë qasjen.

“Pandemia është një situatë jashtëzakonisht e rrezikshme për jetën e qytetarëve, prandaj edhe nuk besoj që qeveritë do ta marrin përgjegjësinë që qytetarët të kenë pasoja për shkak të veprimeve politike me primesa të një lloj nacionalizmi institucional. Prandaj, në këto kohë, këto qëndrime të ashpra zbuten dhe ia lënë vendin një lloj racionalizmi, i cili është i mirë për të dyja palët”, tha Muhaxheri.

Përderisa komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, bazuar në udhëzimet e shtabeve të krizave të këtyre komunave për luftë kundër koronavirusit, fillimisht kishin nisur t’i zbatonin masat që i kishte shpallur Qeveria e Serbisë, në fillim të muajit prill kanë nisur zbatimin e masave të Qeverisë së Kosovës e më pas ato të Ministrisë së Shëndetësisë, që kanë dalë, siç është thënë, në bazë të rekomandimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Më 14 prill, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, kishte thënë që për moszbatimin e masave të institucioneve të Prishtinës, të cilat kanë kufizuar lëvizjen e qytetarëve në 1 orë e gjysmë brenda ditës, qytetarët mund të gjobiten sipas masave të parapara.

Veroljub Petroniq nga organizata joqeveritare “Qendra Humane në Mitrovicë”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që komunat me shumicë serbe në Kosovë janë duke zbatuar masa të dyfishta, të Kosovës dhe të Serbisë. Megjithatë, sipas tij, duket se kjo e fundit ka lëshuar pe në disa raste.

“Tash kemi parë, lidhur me lëvizjen e lirë, se do të jetë me numër të letërnjoftimit. Vetë fakti që Gjuriq ka thënë se kush nuk i respekton masat do t’i paguajë gjobat me euro, lexuar në mes rreshtash, është një testim i terrenit dhe një hap tutje që të shkohet drejt një bashkëpunimi të afërt. Pra, ekziston respekt i dyanshëm i masave të caktuar”, tha Petroniq.

Në fillim të prillit, autoritetet e Kosovës kanë lejuar hyrjen personelit mjekësor nga Serbia, për të cilët, siç është thënë, dhjetëra prej tyre janë shpërndarë në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Autoritetet e Kosovës kanë konfirmuar se atyre u është dhënë leja për të hyrë në Kosovë.

Më 16 prill, ministrat e Shëndetësisë të Kosovës dhe Serbisë, Arben Vitia dhe Zllatibor Llonçar kanë zhvilluar një bisedë përmes një video-lidhjeje, ku kanë diskutuar masat kundër përhapjes së koronavirusit të ri. Këtë iniciativë e përshëndetën ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe në Serbi, Philip Kosnett dhe Anthony Godfrey.

Por, a pritet që ky bashkëpunim ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, që ka nisur në kohë të pandemisë së koronavirusit, të vazhdojë edhe më vonë? Njohësit e zhvillimeve politike kanë pikëpamje të ndryshme.

Artan Muhaxhiri vlerëson që bashkëpunimi aktual është për shkaqe humanitare dhe sipas tij, marrë parasysh praktikat politike në të dyja vendet, sapo të përfundojë pandemia, palët do t’i kthehen retorikës së vjetër me emocione populliste.

“Ata politikanë që kanë pasur gjuhë të ashpër para pandemisë së koronavirusit, do ta vazhdojnë atë edhe pas kësaj pandemie. Pra, nuk është e pritshme që kjo pandemi të ndikojë në ndryshimin e mentalitetit të tyre politik. Aktualisht është një ‘armëpushim’ humanitar, i cili do të ndalet në atë moment kur të ndalet edhe rreziku për shëndetin e njerëzve dhe skena politike do t’i rikthehet atij ‘normalitetit’ jonormal”, u shpreh Muhaxhiri.

Ndërkaq, Veroljub Petroniq vlerëson që bashkëpunimi aktual ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë ka sfond jo vetëm humanitar, por edhe politik.

“Mendoj që thellësisht janë të lidhura të dyja këto. Por, çfarëdo që të jetë, çfarëdo lloj humaniteti, mendoj që politika do të jetë sërish në vend të parë. Mendoj që e gjithë kjo është një hyrje në një lloj të ri të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në kuptimin që ‘ejani të shohim që t’i përafrohemi asaj që është e rëndësishme dhe e përbashkët për njërën dhe palën tjetër’”, vlerësoi Petroniq.

Së fundmi, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës kanë konfirmuar se Serbia do t’i japë donacion Kosovës 1,000 teste për koronavirus. Ky lajm ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë, ndër të cilat ka pasur mjaft kundërshtime.

Partitë opozitare në Kosovë e kanë kritikuar qeverinë në detyrë për pranimin e kësaj ndihme, duke e akuzuar atë se i lejoi Serbisë një promovim të mirë në botë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar që donacioni i testeve për koronavirus nga ana e Serbisë “është gjest që nuk duhet të politizohet” dhe se “nëse Kosova do të refuzonte të pranonte këto teste, do të akuzohej për sjellje joracionale dhe politizim të një gjesti i cili nuk është i tillë”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG