Haziri: Bazuar në rezultatin aktual, mandatin për qeverinë e ka Albin Kurti
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk do të nisin negociatat për qeverinë e re përderisa nuk përfundon numërimi i të gjitha votave.
“Rezultati është shumë i ngushtë dhe ne jemi duke e pritur numërimin e të gjitha votave, përfshirë votat me kusht, votat e diasporës dhe votat për deputetët, pastaj fillon procesi i negociatave. Dallimi është i vogël, një deputet, por që ia jep mandatin (për formimin e qeverisë) liderit të Vetëvendosjes”, thotë Haziri.
Bazuar në rezultatin aktual, preliminar, Vetëvendosje dhe LDK do të marrin së bashku 61 ulëse në Kuvend, sa është minimumi i votave për formimin e Qeverisë.
Nagavci: Vetëvendosje do t’i vazhdojë negociatat me LDK-në
Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se do të jetë një vazhdim i bisedimeve që janë zhvilluar edhe para zgjedhjeve me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sipas saj, LDK-ja pret konfirmimin përfundimtar të rezultateve, por angazhimi i Vetëvendosjes, siç thotë Nagavci, është i menjëhershëm.
“Po, besoj që ne e kemi shprehur gëzimin tonë që opozita e deritanishme, tashmë ka marrë shumicën dhe ashtu sikurse kemi qenë të gatshëm për koalicion para zgjedhjeve, interesi dhe vëmendja jonë e parë është bashkëpunimi me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe krijimi i një qeverisje stabile. Pas konfirmimit përfundimtar të votave, nëse është e nevojshme do të shohim edhe dikë nga partitë joserbe që kanë vota, në mënyrë që të kemi një qeveri stabile”, tha Nagavci.
OSBE: Procesi zgjedhor shkoi në rregull
Misioni i OSBE-së në Kosovë, në një njoftim ka bërë të ditur se procesi i zgjedhjeve parlamentare të parakohshme në Kosovë ka shkuar mirë, me disa incidente të vogla.
OSBE ka falënderuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in për bashkëpunim të mirë gjatë ditës së djeshme. OSBE ka njoftuar se ka pasur 315 vëzhgues në teren që kanë vëzhguar procesin zgjedhor.
Mbi 40 mijë fletëvotime të pavlefshme
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga mbi 98 për qind e vendvotimeve të numëruara, numri i fletëvotimeve të pavlefshme është 40.155.
Në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, të mbajtura në vitin 2017, numri i fletëvotimeve të pavlefshme ishte rreth 80 mijë.
Numri i madh i fletëvotimeve të pavlefshme nga zgjedhjet e kaluara ishte konsideruar si pasojë e mosinformimit të saktë të qytetarëve se si duhet të votojnë.