Vazhdon numërimi i votave
Numërimi i votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë është duke vazhduar.
Më poshtë mund të shikoni rezultatet, pas numërimit të 97 për qind të votave.
PZAP pranon 104 ankesa për parregullsi në procesin zgjedhor
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka bërë të ditur për Radion Evropa, se ka marrë 104 ankesa për parregullsi zgjedhore në dy ditët e fundit, (gjatë heshtjes zgjedhore dhe të dielën kur është mbajtur procesi zgjedhor).
Kurse, vetëm ditës së diel, ky panel ka pranuar 33 ankesa.
Mul Desku, kryesues i Sekretariatit në këtë panel, tha se ankesat janë dorëzuar nga shoqëria civile dhe subjektet politike.
“Ankesat kryesisht kanë të bëjnë me thyerjen e heshtjes zgjedhore rreth përdorimit të rrjeteve sociale”, tha Desku për Radion Evropa e Lirë.
Thaçi: Kosova në zgjedhje dëshmoi pjekuri politike dhe demokratike
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka uruar qytetarët e Republikës së Kosovës dhe partitë politike për zgjedhjet shembullore, për votimin e dinjitetshëm, të lirë dhe demokratik.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Thaçi ka shkruar se “Kosova dëshmoi edhe një herë pjekuri të lartë politike dhe demokratike".
"Tash të njëjtën pjekuri politike duhet ta tregojmë edhe në formimin e qeverisë së re, sa më parë dhe në përballje me sfidat e menjëhershme që e presin Kosovën”, tha Thaçi.
Në Qendrën e Numërimit në Fushë Kosovë është duke u bërë pranimi i materialit zgjedhor si dhe po bëhet skanimi i listave përfundimtare të votuesve.
Në këtë qendër pritet të bëhet edhe numërimi i votave me kusht, ato me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta.