Procesi zgjedhor pa ndonjë parregullsi që cenon integritetin e zgjedhjeve
Procesi zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, është vlerësuar pa ndonjë parregullsi, që do të cenonte integritetin e zgjedhjeve.
Edhe Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, në aspektin e sigurisë procesin zgjedhor e ka vlerësuar të qetë dhe pa incidente madhore, të cilat në një mënyrë apo tjetër ndikuan në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Gjatë procesit zgjedhor, sipas Policisë së Kosovës, janë evidentuar disa raste të natyrave të ndryshme të cilat kanë rezultuar me arrestimin e 29 personave, prej tyre 23 persona janë ndaluar me vendim të prokurorëve kompetent të Prokurorisë së Shtetit.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, pas mbylljes së votimeve, përmes rrjetit social Twitter tha se vota e qytetarëve dëshmon përkushtimin e madh për Kosovën.
"Ditë shumë e mirë, i lumtur të shoh që po e shfrytëzoni të drejtën e votës. Vota juaj dëshmon përkushtimin e madh për Kosovën", tha Kosnett.
Mirëmëngjesi të dashur lexues,
Po vazhdojmë me mbulimin direkt të ngjarjeve pas përfundimit të ditës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Rezultatet e mbi 90 për qind të kutive të numëruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
- Lëvizja Vetëvendosje 25,79 për qind
- Lidhja Demokratike e Kosovës 25,05 për qind
- Partia Demokratike e Kosovës 21, 15 për qind
- Koalicioni AAK - PSD 11,63
- Koalicioni Nisma - AKR 4,92
- Lista Serbe 6,21 për qind
Festa e Vetëvendosjes në Prishtinë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i është bashkuar festës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pas rezultateve të para zgjedhore, të cilat tregojnë se kjo parti ka fituar 26 për qind të votave. Në përkrahje të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dalë shumë aktivistë dhe qytetarë të Prishtinës.