Rakiq shpall fitoren e Listës Serbe karshi subjekteve rivale
Goran Rakiq, lider i Listës Serbe, e ka shpallur fitoren e Listës Serbe, karshi subjekteve tjera politike serbe, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës.
“E shpalli fitoren e unitetit serb”, ka thënë Rakiq, gjatë festimit në sheshin Princi Llazar në qendër të Mitrovicës Veriore, duke shtuar që këto zgjedhje nënkuptojnë një të ardhme më të mirë për popullin serb në Kosovë.
“E falënderoj shtetin tonë dhe qeverinë tonë, para së gjithash, presidentin Aleksandar Vuçiq, mbështetjen e të cilit e kemi gjithmonë dhe i cili është gjithmonë pranë popullit serb, kur e kemi rëndë, por edhe kur e kemi mirë. Besoni që ajo e mirë në Kosovë është shumë e paktë, por edhe sado pak qoftë kjo, këtë na e ofron pikërisht shteti i Serbisë, në krye me Aleksandar Vuçiqin”, ka thënë Rakiq.
KQZ: Prin LVV pasuar nga LDK
Me mbi 70 për qind e votave të numra nga Komisioni Qendrore i Zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 26.03 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës 25.35 për qind të votave.
Partia Demokratike të Kosovës ka 21.62 për qind të votave, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate 11.74 për qind, ndërkaq Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë 5.16 për qind.
Ndërkaq, Lista Serbe ka 5.39 për qind të votave.
Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.
Rezultatet në kohë reale mund t'i gjeni këtu.
Vuçiq: Lista Serbe fituese, votat shprehin dashurinë për Serbinë
“Lista Serbe e ka arritur fitoren më të madhe dhe më bindëse në historinë e saj”, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për media në Beograd, pas përfundimit të procesit të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.
Ai ka shtuar se serbët e Kosovës kanë votuar në këtë mënyrë dhe, sipas tij, kanë dalë në votime në numër të madh “për shkak se kanë dashur të tregojnë dashurinë e madhe ndaj atdheut të tyre, Serbisë dhe këtë askush nuk mundet, nuk guxon dhe nuk do të mund t’ua marrë serbeve Kosovës”.
Siç ka thënë Vuçiq, rezultati i Listës Serbe në zgjedhjet e Kosovës, është obligim i madh për shtetin e Serbisë që të kujdeset dhe të luftojë për popullin e tij në Kosovë.
DnV: Prin LDK-ja, e dyta Vetëvendosje
Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, duke u bazuar në rezultatet preliminare prej 53 për qind të vendvotimeve, ka dalë me rezultate rreth zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Sipas DnV-së, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 24.83 për qind, pasur nga Lëvizja Vetëvendosje me 23.63 për qind të votave.
Partia Demokratike të Kosovës ka 22.83 për qind të votave, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate 12.08 për qind. Ndërkaq koalicioni ndërmjet Nismës Socialdemokrate, Aleancës Kosova e Re dhe Partisë e Drejtësisë, sipas DnV-së, ka fituar 5.29 për qind të votave.
Po ashtu, Demokracia në Veprim ka potencuar se Lista Serbe ka fituar 6.35 për qind, koalicioni Liria 0,19 për qind kurse subjektet tjera 4.09 për qind të votave të numëruara deri më tani.