Delawie u bën thirrje qytetarëve të raportojnë parregullsitë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ka vizituar qendrën e thirrjeve koalicionin e organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” si dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Delawie, përmes një postimi në Twitter, ka bërë thirrje që qytetarët e Kosovës, të raportojnë për çdo parregullsi që shohin gjatë procesit të sotëm zgjedhor.
Proces i rregullt zgjedhor në Mitrovicën veriore
Qytetarët e Mitrovicës veriore, komunë e banuar nga shumica serbe, nga orët e mëngjesit kanë filluar të votojnë për kryetarin e ri të komunës dhe përbërjen e ardhshme të asamblesë komunale. Gjatë natës, ishin raportuar raste të shqyerjes së disa posterëve. Ndërkaq sot, procesi i votimit, raportohet se po kalon qetë.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ka thënë se deri në këtë fazë nuk ka ndonjë informacion për shqetësim në atë pjesë.
“Natyrisht se edhe për pjesën veriore, Policia e Kosovës është institucioni përgjegjës për ofrimin e sigurisë për këtë proces dhe do të monitorojmë situatën si kurse në çdo pjesë tjetër të Kosovës”, ka thënë Maxhuni.
Policia: Zgjedhjet po zhvillohen në ambient të qetë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë se Kosovës, Shpend Maxhuni, ka konfirmuar se sa i përket aspektit të sigurisë, gjatë zgjedhjeve lokale nuk ka ndonjë incident të natyrës serioze.
“Policia e Kosovës ka angazhuar një numër relativisht të madh të zyrtarëve policor më kapacitete të ndryshme për të ofruar siguri në aspektin e përgjithshëm në të gjitha qendrat e votimit. Do të vazhdojmë të përcjellim situatën për se afërmi në mënyrë që të sigurohemi nëse eventualisht ka ndonjë incident në të cilën duhet të angazhohet Policia e Kosovës”, thotë Maxhuni .
Facebook Forum