Dy vjet pas pranimit të Kosovës në Federatën e Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe në Federatën Botërore të Futbollit (FIFA), skuadrat nga Kosova do t’ia mësyjnë garave evropiane.
“Drita” nga Gjilani është kampione e sivjetme e Ligës së Kosovës dhe ky titull ia ka hapur rrugën për garat evropiane. Drita pretendon të fitojë turneun në Gjibraltar, i organizuar nga Federata Evropiane e Futbollit, gjë që do t’ia mundësonte kalimin në fazën parë të Ligës së Kampionëve. Më 26 qershor, “Drita” do të takohet në Gjibraltar me skuadrën “Santa Coloma” nga Andorra.
Të matur përballë ambicieve
Ardian Limani, kapiten i skuadrës “Drita”, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo është dalja e parë e kësaj skuadre në gara ndërkombëtare.
“Është hera e parë që do të marrim pjesë. E kemi pasur rastin të përfitojmë nga përvojat e ekipeve, vitin e kaluara, siç ishte ‘Trepça 89’ dhe ‘Prishtina’. I kemi përcjellë lojërat e tyre. Përafërsisht është niveli i njëjtë dhe ambiciet tona tash janë që të vazhdojmë më mirë se ata. Pra, do të tentojmë që të kualifikohemi nga ky grup dhe ta fusim Kosovën në hartën e futbollit, me përfaqësim sa më të mirë”, tha Limani.
Bekim Isufi, trajner i skuadrës “Drita”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që pavarësisht mungesë së përvojës në gara të rangut evropian, skuadra që ai drejton do të përpiqet të kalojë turnin e parë.
“Ne do të shkojmë atje dhe ta marrim ndeshjen e parë, me ekipin e Andorrës dhe do të mundohemi që të kalojmë. Pastaj, të shohim në kampionat se si do të dalim”, thekson Isufi.
Në anën tjetër, skuadra e Prishtinës merr pjesë për herë të dytë në Ligën e Evropës. Më 28 qershor do të takohet me skuadrën “Europa” të Gjibraltarit.
Mirel Josa, trajner i skuadrës “Prishtina”, thotë për Radion Evropa e Lirë që ndeshjes do t’i qasen me kujdes dhe pa e nënçmuar kundërshtarin.
“Pavarësisht që koeficienti i futbollit të Gjibraltarit nuk është në nivele më të larta se sa të Kosovës, megjithatë, unë prapë jam shumë skeptik. Ne do të bëjmë maksimumin në të gjitha drejtimet, qoftë për përgatitje, qoftë për ndeshje, në mënyrë që t’i kemi ambiciet tona për t’u kualifikuar”, u shpreh Josa.
Ngjashëm thekson edhe kapiteni i skuadrës së Prishtinës, Armend Dallku.
“Normalisht që ambiciet tona janë që ta kalojmë turnin. Pavarësisht që po thuhet se ‘është një kundërshtar i lehtë’, mirëpo po mendoj që ne nuk jemi në gjendje, ne si futboll i Kosovës dhe si Prishtinë, që t’i zgjedhim kundërshtarët. Siç e dimë të gjithë, ne jemi me koeficient zero, sepse nuk ka shumë kohë që jemi pranuar në instancat më të larta të futbollit”, tha Dallku për Radion Evropa e Lirë.
Infrastruktura e dobët
Por, a mjafton infrastruktura që kanë këto dy skuadra të cilat pretendojnë rezultate pozitive në garën e Ligës së Kampionëve, përkatësisht në Ligën e Evropës?
Ndonëse, aktualisht, janë duke u zhvilluar punimet për riparimin e stadiumi të “Dritës”, megjithatë, edhe pas riparimit, kjo infrastrukturë nuk do të mund t’i plotësojë standardet për zhvillimin e garave ndërkombëtare. Gjithashtu edhe kushtet për pjesën përgatitore, nuk janë në përputhje me ambiciet që synohen në gara ndërkombëtare.
Këtë e pohon edhe Limani, kapiteni i skuadrës “Drita”.
“Infrastruktura nuk është ende në nivelin e duhur. Por, po mundohemi që të improvizojmë diçka dhe ta bëjmë punën sa më mirë”.
Trajner i skuadrës “Drita”, Isufi, thekson se edhe në rast se “Drita” e fiton turneun në Gjibraltar dhe hyn në fazën preliminare për Ligën e Kampionëve, ndeshjet si nikoqire nuk do të mund t’i zhvillojë në Gjilan, pikërisht për mungesë të infrastrukturës?
“Është mangësi e madhe për shkak se dihet se çfarë tifozërie, çfarë shikueshmërie dhe çfarë dëshire kanë qyteti i Gjilanit e sidomos simpatizuesit e ‘Dritës’. Unë mendoj që tribunat janë të vogla për t’i pranuar të gjithë ata që kanë dëshirë dhe që do të vinin”, vlerëson Isufi.
Në anën tjetër, përderisa stadiumi i qytetit të Prishtinës është duke u rinovuar, për të arritur standardet e kërkuara nga UEFA dhe FIFA, skuadra e “Prishtinës” përgatitjet i bën në fushën përgatitore të skuadrës “2 Korriku”.
Trajner i skuadrës “Prishtina”, Josa, përmes përgatitjeve, skuadra po përpiqet të bëj maksimumin, por mungesa e tifozëve vendorë, e bën nikoqirllëkun më të zbehët.
“Urojmë që sa më shpejtë futemi në fushën tonë, në stadiumin tonë, në mënyrë që të jemi edhe të përkrahur nga tifozët tonë. Duhet të kemi parasysh që kur njeriu ndjehet në shtëpinë e vet, është ndryshe se sa kur udhëton nga një fushë në fushën tjetër ”, tha Josa.
Edhe për kapitenin e skuadrës “Prishtina”, Dallku, mbetet e paqartë nëse do të mund të luajë ndeshjen e kthimit në stadiumin e skuadrës.
“Ne po kemi shumë dëshirë që të luajmë në stadiumin tonë, mirëpo ende e paqartë apo shanset janë zero që të luajmë ndeshjen e kthimit këtu”, u shpreh Dallku.
Vetëm dy stadiume
Zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës kanë theksuar se nëse dy skuadrat e Kosovës, plasohen në garat e mëtejshme, ndeshjet eventuale të kthimit do të mund t’i zhvillojnë në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.
Eroll Salihu, sekretari i Federatës se Futbollit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se stadiumi në Mitrovicë i takon kategorisë së dytë, sipas standardeve të UEFA-s dhe, ndeshjet e raundit të parë mund të zhvillohen në këtë stadium.
“Të mos brengoseni, sepse stadiumi ‘Adem Jashari’ i plotëson të gjitha kushtet për këtë rang garash. Nëse klubet tona shkojnë tre apo katër gjiro më larg, atëherë do ta kemi problem”, thotë Salihu.
Megjithatë, Salihu thekson se pas një muaji, stadiumi i Prishtinës, pas riparimeve që po bëhen, do t’i plotësojë standardet e kategorisë së katërt,dhe do të jetë gati brenda një muaji.
Këtë e konfirmon edhe Ibër Alaj nga Departamenti i Sportit i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Qeverisë së Kosovës, e cila ka investuar në riparimin e stadiumit të qytetit të Prishtinës.
“Ne jemi duke punuar që me afat, deri në fund të muajit korrik, të përfundojnë të gjitha punimet që stadiumi i qytetit të Prishtinës të jetë i gatshëm për ndeshje ndërkombëtare, qoftë për klube, qoftë për kombëtaren e Kosovës”, tha Alaj për Radion Evropa e Lirë.
Sidoqoftë, stadiumi në Mitrovicë dhe ai në Prishtinë, do të jenë të vetmet tash për tash, të cilat do t’ua mundësojnë klubeve të Kosovës ndeshjet si nikoqire. Ndërkaq, klubet e qyteteve tjera të Kosovës, të cilat eventualisht do të plasohen në gara ndërkombëtare në të ardhmen, edhe por një kohë të gjatë, nuk do të kenë mundësi të luajnë si nikoqire në stadiumet e qyteteve të tyre, për mungesë të infrastrukturës së nevojshme, sipas standardeve ndërkombëtare.