Ndërlidhjet

Kosova ia dorëzon Serbisë mbetjet e tre trupave të vrarë gjatë luftës


Pika kufitare në Merdarë mes Kosovës dhe Serbisë ku do të bëhet dorëzimi i mbetjeve të tre trupave të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Pika kufitare në Merdarë mes Kosovës dhe Serbisë ku do të bëhet dorëzimi i mbetjeve të tre trupave të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Mbetjet e tre trupave të qytetarëve serbë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë, u janë dorëzuar autoriteteve të Serbisë, të martën, në pikën kufitare në Merdarë.

Sic u raportua, bëhet fjalë për trupat e Svetisllav Xhapos, Perka Mlladenoviqit dhe Momir Millenkoviqit.

Deri sot trupat e tyre janë mbajtur bashkë me 280 mbetje të tjera të paidentifikuara në morgun e Prishtinës.

Ditor Haliti, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore ka thënë për Radion Evropa e Lirë se mbetjet e trupave që u dorëzuan sot, janë mbajtur në Institut që nga paslufta, por ka pasur probleme për identifikimin e tyre.

“Kanë qenë në Institut, sepse nuk kanë mundur të identifikohen gjatë kësaj kohe për arsye se familjarët nuk kanë dhënë mostra të gjakut që të mund të identifikohen. Vitin e kaluar janë dhënë mostrat e gjakut të familjarëve edhe janë dërguar mostra shtesë të ADN-së, të cilat na kanë dhënë rezultatet e atyre që janë të identifikuar”, ka thënë ai.

Për pranimin e këtyre trupave kanë njoftuar edhe autoritetet e Serbisë. Sipas Qeverisë në Beograd, ata janë vrarë në Ferizaj, Prizren dhe Prishtinë në vitin 1999.

Lilana Millenkoviq, bashkëshortja e Momir Millenkoviqit, tha në Merdarë se ai ishte kidnapuar më 29 gusht 1999, në Prizren, ku kishte shkuar për ta vizituar shtëpinë. Që atëherë, tha se nuk ka ditur asgjë për të.

“Falë Zotit që e gjetëm, të paktën të dimë ku është varri, ku ta ndezim qirin. Deri më tani gjithçka ka qenë e paqartë”, tha ajo.

Kryetari i Komisionit të Serbisë për persona të zhdukur, Velko Odalloviq, në Merdar tha se ka ende shumë punë për të bërë para zbardhjes së fatit të të gjithë personave të zhdukur.

“Ne duam t'i qasemi këtij problemi pa dallime, të veprojmë sipas kërkesave të palës prishtinase dhe familjeve të shqiptarëve, por duam që ata të kenë të njëjtin qëndrim ndaj kërkesave tona dhe kërkesave të familjeve tona.

Kosova disa herë e ka akuzuar Serbinë se po vazhdon ta shkelë marrëveshjen për personat e pagjetur të arritur në Bruksel ndërmjet dy vendeve, duke i shpërfillur kërkesat e Kosovës për hapjen e arkivave të policisë dhe ushtrisë serbe në lidhje me mijëra personat e zhdukur me forcë gjatë luftës së viteve 1998/1999 në Kosovë.

Për t’i shtuar përpjekjet në këtë drejtim, Kosova dhe Serbia, një vit më parë, u pajtuan për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Një vit pas, asgjë prej këtyre nuk është realizuar në praktikë, të gjitha kanë mbetur vetëm në letër.

Vështirësitë me identifikimin e mbetjeve mortore

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Haliti, ka thënë se në këtë Institut ka ende shumë mbetje mortore të paidentifikuara.

“I kemi 280 trupa (mbetje kockore) që nuk kanë përputhje me mostrat e gjakut, janë të dy komuniteteve, serbë dhe shqiptarë. Po punohet edhe në rrafshin e zhvarrimeve që janë bërë vitin e kaluar, por edhe rishikimin e mbetjeve mortore që janë”, ka thënë ai.

Haliti, po ashtu, ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës, Policia e Kosovës, misioni i EULEX-it e Komisioni qeveritar për të pagjeturit, janë duke i vazhduar kërkimet për mbetje mortore, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

Gjatë luftës së viteve 1998/’99 në Kosovë u vranë rreth 13.000 njerëz, 10.794 shqiptarë, 2.119 serbë, ndërsa të tjerët u përkasin etnive të tjera.

Nga rreth 6.000 njerëzit e zhdukur me forcë atëkohë, të pagjetur sot mbeten edhe më shumë se 1.600 persona. Shumë prej të zhdukurve u gjetën ndër vite nëpër varreza masive në Serbi.

Sipas Komisionit qeveritar të Kosovës për persona të pagjetur, gjatë vitit 2023 u gërmua në 15 lokacione brenda territorit të Kosovës, që ndërlidhen me procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, si dhe në një lokacion në Serbi.

“Të zhvarrosura janë mbetjet mortore të njëzet individëve - viktima të luftës, edhe pse numri i personave të zhvarrosur dhe identiteti i tyre do të përcaktohen pasi të përfundojnë të gjitha ekzaminimet mjekoligjore dhe identifikimi përmes analizës së ADN-së”, thuhet në raportin e Komisionit qeveritar të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG