Ndërlidhjet

Kosnett thotë se Kosova duhet t’i ketë Forcat e Armatosura për mbrojtje


Kandidati për ambasador të ardhshëm i SHBA-së në Kosovë,Philip Kosnett.
Kandidati për ambasador të ardhshëm i SHBA-së në Kosovë,Philip Kosnett.

Si çdo shtet sovran, edhe Kosova ka të drejtë t’i ketë forcat e saj të armatosura dhe për këtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të punojnë me autoritetet e Kosovës në krijimin e forcave mbrojtëse, ka thënë Philip Kosnett, kandidat për ambasador të ardhshëm i SHBA-së në Kosovë.

Kosnett është emëruar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si ambasador i ardhshëm në Kosovë. Ai të enjten është paraqitur para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, ku u është përgjigjur pyetjeve të ndryshme të disa senatorëve. Pos tjerash, ai ka folur edhe për çështjen e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur. Ai ka thënë se edhe Kosova, sikurse çdo shtet tjetër, ka të drejtë të ketë ushtrinë e saj.

"Do të punoj në mënyrë që Kosova të ketë aftësi vetëmbrojtëse. Si çdo vend tjetër, edhe Kosova e ka të drejtën e vet sovrane t’i ndërtojë forcat e saj të armatosura për mbrojtjen e vet. Shtetet e Bashkuara mbështesin tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri ndërvepruese në NATO, me mandat mbrojtës të limituar".

"Kosova duhet të qëndrojë në bashkëpunim të ngushtë me ne dhe të vazhdojë shtrirjen e saj dhe të flasë edhe me serbët e Kosovës, që të garantojë një tranzicion të suksesshëm. Nëse unë konfirmohem si ambasador, do të punoj me aleatët e NATO-s dhe Kosovën që t'i krijoj Forcat e Armatosura të Kosovës që të jenë të afta, gjithëpërfshirëse dhe një forcë që ndikon në stabilitetin e rajonit”, ka deklaruar Kosnett.

Pjesëtarë të FSK-së mbajnë flamurin e SHBA-së.
Pjesëtarë të FSK-së mbajnë flamurin e SHBA-së.

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Qeveria e Kosovës po punon për transformimin e FSK-së në ushtri me komunitetet në Kosovë, me vendet rajonale, NATO-n, KFOR-in dhe me shtetet partnere, veç e veç.

"Ne kemi arritur rezultate të pakontestueshme në raport me komunitetet që jetojnë në Kosovë, kemi ndërtuar bashkëpunim të rregullt me shtetet rajonale, e marrëveshje bashkëpunimi me 13 shtete në botë. FSK-ja është institucion kredibil, përfaqësues dhe i gatshëm".

"Përpjekjet tona për ndryshime kushtetuese nuk do të ndalen asnjëherë, sepse kjo do të mundësonte ndryshimin e emrit dhe maksimalizimin e mbështetjes politike, derisa qasja jonë në tranzicionin e FSK-së nuk është qasje ad-hoc. Kemi planin 10-vjeçar të tranzicionit, i cili në substancë bëhet përmes ndryshimeve ligjore, ndërsa përpjekjet për ndryshimet kushtetuese do të jenë të vazhdueshme", ka thënë Ramandani.

Sipas tij, transformimi i FSK-së në ushtri nuk do të thotë zëvendësim i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

"Nuk do të zëvendësohet KFOR-i, por do të thellohet partneriteti mes FSK-së dhe KFOR-it. Përkundrazi, kjo nënkupton partneritet edhe më të thellë mes FSK-së dhe KFOR-it. Ne jemi të kënaqur me bashkëpunimin që kemi me shtete partnere, veç e veç, po ashtu me KFOR-in, me NATO-n dhe me komunitetet në Kosovë dhe besojmë se kjo është rruga, të cilën do ta ndjekim edhe më tutje", ka theksuar Ramadani.

Ndërkaq, gjatë paraqitjes në Komitetin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Kosnett po ashtu është pyetur lidhur me spekulimet për mundësinë e mbështetjes nga Shtetet e Bashkuara për idenë e shkëmbimit të territoreve.

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes dy vendeve. Mendojmë se ka rëndësi kritike që të dyja vendet të avancojnë për t'i kapërcyer tensionet e vjetra", ka thënë Kosnett.

Megjithatë, zyrtarët e NATO-s dhe partnerët ndërkombëtarë kanë shprehur qëndrimin se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur, duhet të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, të cilat deri më tash janë refuzuar nga përfaqësuesit politikë të serbëve në Kuvendin e Kosovës.

Autoritetet e Kosovës, në vazhdimësi kanë deklaruar se Forcat e Armatosura të Kosovës, në të ardhmen, do të jenë faktor i stabilitetit brenda për brenda Kosovës dhe për rajonin, ndërkohë që autoritetet e Serbisë i shohin këto forca si të rrezikshme për paqen dhe si faktor i destabilitetit në rajon.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG