“Deklaratë për Universitete pa Korrupsion”, quhet deklarata që është nënshkruar nga rektorët e të gjitha universiteve që veprojnë në Maqedoni. Kjo ngjarje është organizuar nga Instituti për Hulumtime Strategjike dhe Edukim në Shkup.
Ndryshe, në vazhdimësi është theksuar prania e lartë e korrupsionit në universitetet në Maqedoni, por në mungesë të të dhëna të besueshme mbi përmasat e shtrirjes së këtij fenomenit në institucionet e arsimin e lartë, gjithçka bazohet vetëm në deklaratë e vetë studentëve. Megjithatë, studentët po hezitojnë që këto raste t’i denoncojnë para organeve të drejtësisë.
Ministrja e Arsimit, Renata Deskoska ka theksuar se si çdo pjesë e shoqërisë, edhe universitet nuk janë imune ndaj pranisë së korrupsionit.
“Është fakt se nevojitet një qasje sistemore për të mundësuar parandalimin e shfaqjes së korrupsionit në universitete”, tha Deskoska. Ajo u dorëzoi rektorëve Ligjin e ri për arsim të lartë, i cili pritet të shqyrtohet në një debat publik.
Deskoska ka shpalosur dhe mundësitë në bazë të ligjit në fjalë “për mbrojtjen e informatorëve, si vegël për parandalimin e korrupsionit në universitetet në Maqedoni”.
Ndryshe, studentët në vazhdimësi thonë se korrupsioni në institucionet e larta të arsimit, bëhet përmes pagesave të ndryshme që detyrohen t`i bëjnë, për të siguruar kalimin e lëndëve ose për të marrë nota më të mira. E gjithë kjo, siç shprehen ata, bëhet përmes shitjes së librave, leksione private që detyrohen t’i ndjekin nga mësimdhënësit, e të tjera.
Në këtë drejtim, zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Mihaela Shvarper Blum tha se lufta kundër korrupsionit mund të ketë sukses vetëm përmes një transparence të plotë të të gjitha organeve të drejtësisë.
“Përpjekjet e juaja tregojnë se jeni të gatshëm t’i drejtoni institucionet për të vepruar në drejtimin e duhur, përkatësisht aty ku respektohet parimi i sundimit të drejtësisë. Megjithatë, nënshkrimi deklaratës së sotme, paraqet vetëm një copë letër. Me rëndësi është se çka do të bëhet më të më tej me të, përkatësisht sa ajo do të arrijë të jetësohet“, tha zëvendësambasadorja amerikane.
Të pranishmit po ashtu kanë theksuar se nevojiten fushata ndërgjegjësuese nga ana e autoriteteve publike dhe medieve, në lidhje me praktikat e denoncimit të korrupsionit në institucionet e arsimit të lartë, duke thënë se “vegla për mbrojtjen e denoncuesve”, i hap rrugë çrrënjosjes së këtij fenomeni.
“Gjithsesi, deklaratën që e nënshkruam e vlerësojmë si diçka shumë pozitive sepseparaqet një instrument plotësues që do të mund të përmirësojë gjendjen në këtë drejtim. Por, për tu përmirësuar në nivelin e duhur sa i përket çrrënjosjes së korrupsionit në universitete, duhet një punë më komplekse më gjithëpërfshirëse ku secili faktor kompetent si institucion, do të duhet të luajë rolin e vet në bazë të kompetencave ligjore”, ka thënë për Radion Evropa, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Aziz Pollozhani.
Sipas Kodit Penal të Maqedonisë, prania e korrupsionit në arsimin e lartë, përbën vepër penale. Megjithatë, shumica e studentëve hezitojnë të denoncojnë rastet korruptive, edhe pse janë të vetëdijshëm se korrupsioni krijon pabarazi gjatë vlerësimit të dijes së tyre, si dhe qasjen në tregun e punës, veçanërisht kur bëhet fjalë për punësimet në institucionet shtetërore.