Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë, po shqyrton mundësitë për tërhequr nga sistemi arsimor programet e Kembrixhit, apo të për rishikuar nëse ky sistem i avancuar i arsimit të përdoret të paktën në disa lëndë apo nivele të caktuara të arsimit.
Ky paralajmërim i Ministres, Renata Deskoska vjen pas kritikave të shumta në opinion, por edhe pas vlerësimeve të bëra nga ekspertët e angazhuar nga dikasteri i arsimit se programet e Kembrixhit janë futur në sistemin arsimor pa përgatitje paraprake, jo vetëm të kuadrit, por edhe të teksteve mësimore që janë botuar me lëshime të shumta, që kanë shkaktuar probleme të mëdha në aplikimin e tyre nëpër shkollat fillore, ku edhe zbatimi ka përfshirë thuajse të gjitha klasat.
“Për momentin ende nuk mund të sjellin një vendim përfundimtar nëse do ta largojmë që nga klasa e parë ose jo sepse grupi i punës po bënë analizat e duhura lidhur me funksionimin e tërë këtij sistemi. Nga java tjetër gjërat do të nisin të qartësohen nëse tekstet e Kembrixhit janë në përputhshmëri me sistemin tonë. Ndoshta do të shohim edhe mënyra tjera sesi të përfshijmë këtë sistem, por gjithsesi se duhet një analizë e mirë që gjithçka të jetë në dobi të avancimin të arsimit në vend”, ka deklaruar Deskoska.
Për njohësit e çështjeve të arsimit, reformat në këtë sferë gjithsesi se duhet të jenë gjithëpërfshirëse, por ato nuk duhet të shpejtohen pasi praktika tregon se sistemi arsimor ka pësuar pikërisht nga reformat e shpejta dhe pa analiza të detajuara.
“Mendoj se ka nevojë për një analizë më të thellë, më të gjerë, gjithëpërfshirëse që të mos përsëriten gabimet e kaluara, pra ndryshimet të mos miratohen me shpejtësi. Duhet të shikohen të dhënat konkrete në vendin ku ato zbatohen sepse jo gjithmonë një projekt i suksesshëm në një vend tjetër mund të jetë i suksesshëm edhe në Maqedoni”, thotë Sulejman Rushiti, ish-ministër i Arsimit, duke shtuar se shkollat në Maqedoni përballen edhe me shumë probleme tjera, para se gjithash me mungesë të kushteve për mësim.
Sipas tij, për aplikim të sistemeve tjera mësimore duhet të flitet pasi që nxënësit të kenë kushte të mira për mësim.
“Kushtet elementare duhet të jenë të tejkaluara. Investimet në infrastrukturë, për kushte normale për mësim nuk duhet të jenë çështje debati, ato janë të drejta elementare të garantuara me të gjitha konventa ndërkombëtar. Të gjithë fëmijët duhet të kenë të drejtën e arsimimit me kushte të njëjta për mësim”, thotë ai.
Gorica Ilieva, profesoreshë në arsimin e mesën në Shkup, thotë se reformat duhet të përfshijnë edhe segmente tjera të arsimit, si ribotimi i teksteve shkollore dhe përshtatja e tyre nevojat e reja të nxënësve, plan programet, rritja e orëve praktike e kështu me radhë.
“Një nga faktorët për shkak se me vite janë në nivelin më të ulët të kualitetit në arsim, është fakti se nxënësit më shumë mësojnë për notë se sa për kualitet. Kjo vlerësoj se është pasojë e programeve dhe shumë faktorëve tjerë, apo mungesës së reformave në arsim për avancimin e tij me standardet ndërkombëtare. Të gjitha lëndët duhet të përfshihen në mënyrë adekuate, si ato shoqërore, të natyrës si dhe të investohen në laboratorë moderne, e gjithë kjo që nxënësit të motivohen për rritjen e dijës dhe përgatitjen e tyre për arsimimin e mëtejmë”, thotë Ilieva.
Nga Ministria e Arsimit kanë thënë se po punojnë edhe në reforma tjera, ndërsa paralajmërojnë ribotimin e të gjitha teksteve shkollore që po ashtu ishin objekt i kritikave të shumta në opinion për shkak të gabimeve të shumta përmbajtjesore, por edhe fyerjeve jo vetëm në baza etnike, por edhe gjinore, e kështu me radhë. Tekstet me mësim në gjuhën shqipe përballen edhe me përkthime të dobëta duke i humbur edhe kuptimin lëndëve mësimore. Njohësit e çështjeve të arsimit shqip kanë kërkuar përfshirjen në përkthime të kuadrit më të mirë të mundshëm, që të mos përsëriten gabimet e tilla që kanë pasoja para se gjithash tek nxënësit.