Ndërlidhjet

K. Veriore teston raketën më të madhe prej 2017-ës


Lideri verikorean, Kim Jong-un duke shikuar testimin e një rakete bashkë me ekipin e tij. Fotografi nga arkivi.
Lideri verikorean, Kim Jong-un duke shikuar testimin e një rakete bashkë me ekipin e tij. Fotografi nga arkivi.

Koreja Veriore ka kryer atë që besohet se është testimi i raketës më të madhe prej vitit 2017.

Arma duket se ka qenë raketë me rreze të mesme, e cila ka rritur në lartësi prej 2,000 kilometrash para se të rrëzohej në Detin e Japonisë.

Japonia, Koreja Jugore dhe Shtetet e Bashkuara kanë dënuar këtë testim – të shtatin këtë muaj.

Kombet e Bashkuara ia ndalojnë Koresë Veriore testimin e raketave balistike dhe atyre bërthamore, prandaj edhe kanë vendosur sanksione.

Mirëpo ky shtet i Azisë Lindore ka shkelur vazhdimisht ndalesën dhe lideri verikorean, Kim Jong Un, është zotuar se do të rrisë kapacitetet shtetërore për mbrojtje.

Ekspertët sugjerojnë se ekzistojnë disa arsye mbrapa lansimit, duke përfshirë shpërfaqjen e forcës para fuqive rajonale dhe atyre globale, si dhe nevojën praktike për të testuar sistemet e komandës ushtarake.

Edhe periudha ka rëndësi, pasi testimet janë kryer para nisjes së Lojërave Olimpikë Dimërore në Kinë dhe zgjedhjeve presidenciale të Koresë Jugore, të cilat janë planifikuar për muajin mars.

‘Akte destabilizuese'

Koreja Jugore ka raportuar se raketa është lansuar në orët e para të mëngjesit të së dielës nga brigjet lindore të Koresë Veriore.

Zyrtarë japonezë dhe ata jugkoreane kanë vlerësuar se raketa ka arritur një lartësi prej 2,000 kilometrash dhe ka fluturuar për 30 minuta në distancë prej 800 kilometrash.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Koresë Veriore “të përmbahet nga akte tjera destabilizuese”.

Janari veçse ka qenë një prej muajve kur janë kryer më së shumti testime të raketave në Korenë Veriore.

Presidenti jugkorean, Moon Jae-in ka thënë se testimet e këtyre raketave çojnë në mend tensionet e vitit 2017, kur Koreja Veriore pati kryer disa testime të raketave bërthamore.

Sipas agjencisë jugkoreane të lajmeve, Yonhap, raketa e testuar më 30 janar duket se është e ngjashme me raketën, Hwasong-12, e cila është testuar më 2017.

Më 2018, Kim ishte pajtuar për moratorium në testimin e raketave bërthamore dhe raketave me rreze të gjatë veprimi.

Mirëpo lideri verikorean ka thënë më 2019 se nuk vlen më ai moratorium.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Koresë Veriore më herët gjatë këtij muaji, në përgjigje të testimeve të raketave.

Bisedimet në mes të të dyja shteteve janë bllokuar prej kur presidenti amerikan, Joe Biden, ka nisur udhëheqësinë.

Sipas analistëve, raketat e testuar gjatë muajit janar kanë treguar se Koreja Veriore po teston teknologji që mund të luftojnë sistemet e kushtueshme dhe komplekse raketore që Shtetet e Bashkuara dhe Japonia kanë pozicionuar nëpër rajon.

Ish-komandanti i marinës së Koresë së Jugut, profesori Kim Dong Yup ka thënë se “verikoreanët duan të kenë një sistem parandalues që është si bishti i akrepit".

"Qëllimi kryesor i Koresë së Veriut nuk është të sulmojë, por të mbrojë veten," ka thënë Kim, duke shtuar se ky vend po përpiqet "të sigurojë një aftësi të larmishme parandaluese".

Ndërkohë, Uk Yang, bashkëpunëtor hulumtues në Qendrën për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Kombëtare, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters, se "Kim duket se po shton testet në përpjekje për të bërë presion mbi Uashingtonin dhe Pekinin mbi sanksionet pak përpara Olimpiadës".

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG