Ndërlidhjet

SHBA-ja kërkon që OKB-ja të vendosë sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut


Lëshimi i një rakete hipersonike nga Koreja e Veriut më 11 janar 2022.
Lëshimi i një rakete hipersonike nga Koreja e Veriut më 11 janar 2022.

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të vendosë më shumë sanksione ndaj Koresë së Veriut, pas një sërë testimesh të raketave, që sipas Uashingtonit, shkelin rezolutat e Këshillit.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha përmes Twitterit se shteti i saj propozon sanksione ndaj Koresë së Veriut “pas testimit të gjashtë raketave balistike që prej shtatorit 2021, ku që të gjitha ishin në shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Më 12 janar, SHBA-ja vendosi një rund sanksionesh të njëanshme për shkak të lëshimit të raketave. Uashingtoni ka futur në listë të zezë gjashtë verikoreanë, një rus dhe një firmë ruse. SHBA-ja i akuzon ata se kanë blerë pajisje për programin e raketave nga Rusia dhe Kina.

Këshilli i Sigurimit fillimisht kishte vendosur sanksione ndaj Koresë së Veriut pas testimit të parë bërthamor më 2006 dhe i ka ashpërsuar sanksionet në përgjigje ndaj testimeve të mëtejme bërthamore, teksa Koreja e Veriut ka krijuar një program gjithnjë e më të sofistikuar të raketave balistike.

Nënsekretari amerikan i Thesarit për Terrorizëm dhe Financim të Inteligjencës, Brian E. Nelson, tha se sanksionet e prezantuara më 12 janar ishin “pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për t’iu kundërvënë programit të Koresë së Veriut për armë të shkatërrimit në masë dhe raketave balistike, duke pasur në shënjestër përdorimin e vazhdueshëm të përfaqësuesve jashtë shtetit për të blerë në mënyrë të paligjshme mallra pajisje për armë”.

Deri më tani, Koreja e Veriut ka thënë se ka testuar tri raketa hipersonike, teksa lideri i këtij shteti Kim Jong Un është zotuar se do të forcojë programin bërthamor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG