Që nga koha kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina (më 21 nëntor, 2018), në vazhdimësi është shtruar edhe dilema e rritjes së kontrabandës me mallra, sidomos nga Serbia.
Por, sipas Doganës së Kosovës dhe Policisë Kufitare, taksa nuk ka ndikuar në rritjen e nivelit të kontrabandës nga këto shtete. Ndërkaq, përfaqësues të komunitetit të biznesit thonë se kontrabanda si dukuri është e pranishme, por jo në nivel shqetësues.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, tha për Radion Evropa e Lirë se kohët e fundit, e sidomos pas vendosjes së taksës, Dogana ka vërejtur se ka rënie të kontrabandimit të mallrave.
"Në aspektin e kontrabandimit të mallrave ne kemi parë një ulje të kontrabandës edhe pse përkundër marrjes së masës mbrojtëse prej 100% nga Qeveria e Kosovës nga data 21 janar, ne kemi pritur një tendencë të rritjes së kontrabandës, por fatmirësisht falë angazhimit dhe punës së Doganës nuk kemi vërejtur se ka rritje të theksuar të kontrabandës", tha Stavileci.
Para vendosjes së taksës, statistikat tregonin se Serbia printe për kah eksporti i mallrave në Kosovë. Ky eksport arrinte në vlerë deri në 1 milionë euro në ditë. Andaj, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për imponimin e taksës 100 për qind ndaj të gjitha importeve nga Serbia, dyshimet ishin se kontrabanda mund të rritej si dukuri.
Por, sipas Stavilecit, ndonëse zona më problematike sa i përket kontrabandës me mallra është pjesa veriore e Kosovës, e cila shtrihet në kufi me Serbinë, nuk vërehet rritje krahasuar me vitet paraprake.
"Realisht kontrabanda nuk ka ndonjë masë matëse të saktë, por ne si e matim është se në momentin që kemi rritje të të hyrave, nuk mund të ketë edhe rritje të kontrabandës. Nëse ka rritje të kontrabandës, atëherë domosdoshmërisht duhet të ketë edhe ulje të të hyrave, por në momentin që kemi rritje të të hyrave, kjo nënkupton se ka ulje të informalitetit”, tha Stavileci.
Dogana e Kosovës thotë se vazhdon të këtë edhe rritje të kapaciteteve të kontrolleve në të gjitha pikat kufitare, për të parandaluar kontrabandën.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se nga informatat nga tereni, por edhe nga autoritet kompetente, kontrabanda është e pranishme, por jo në përmasa shqetësuese.
"Pas vendosjes së taksës ka pasur pak më shumë ankesa [nga bizneset për kontrabanda] sidomos për pjesën e veriut dhe sidomos edhe për format e tjera që kanë tentuar të shfrytëzojnë edhe vendet e rajonit që të fusin produktet qoftë të ripaketuara. Kështu që, muajve të fundit është pak më pak e pranishme në bazë të informacioneve nga terreni. Por, prapë në bazë të asaj që shohim në disa markete (dyqane) në zonat ku jetojnë serbët, shohim se në forma të ndryshme mund të futen produkte serbe", tha Rukiqi.
Kurse, Policia e Kosovës, bazuar në detyrat dhe planifikimet e saj operacionale, thotë se ndërmerr veprime për parandalimin e aktiviteteve kriminale përfshirë edhe kontrabandën me mallra.
"Në rastet konkrete për parandalimin dhe luftimin e dukurisë së kontrabandës me mallra janë të kyçura njësitet e Policisë Kufitare, përfshirë edhe angazhimin e njësiteve tjera shtese sipas nevojës. Vlen të potencohet se falë angazhimit policor si dhe falë bashkëpunimit të ndërsjellët edhe me Doganën e Kosovës dhe institucionet tjera relevante, nga aspekti policor, varësisht prej periudhës kohore vërehet rënie e rasteve të kontrabandës", thuhet në një përgjigje me shkrim nga Policia e Kosovës.
Ndryshe, Policia e Kosovës në fund të muajit maj pati zhvilluar një aksion në disa lokacione në veri, por edhe në pjesë tjera të Kosovës, me qëllim të luftimit të krimit dhe kontrabandës.
Aksioni i Policisë së Kosovës, pati rezultuar me ndalimin e 21 zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve. Operacioni policor ishte zhvilluar kryesisht në komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Mitrovicë e Jugut por edhe në Skenderaj e Drenas. Të dyshuarit kryesor për këto vepra, po mbahen ende nën masën e paraburgimit.
Video nga arkivi: Aksioni i Policisë së Kosovës në veri