Ndërlidhjet

Konstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë së re, në ‘qorrsokak’


Kuvendi i Kosovës, 24 gusht
Kuvendi i Kosovës, 24 gusht

Formimi i institucioneve të reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, vazhdon të mbetet i paqartë.

Nyja politike rreth konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re të Kosovës po vazhdon, përderisa ende nuk është krijuar një shumicë parlamentare që do t’i kishte votat e mjaftueshme për formimin e institucioneve të reja.

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, tha të hënën se janë në konsultime me partitë politike, por ende nuk ka një marrëveshje konkrete me ndonjë subjekt politik.

"Jemi në përpjekje që seanca e ardhshme të mos e ketë epilogun e njëjtë (me gjashtë seancat e kaluara), pra po punojmë që të kemi një seancë në fund të kësaj javë ose në javën tjetër. I kemi dhënë përparësi dhe besoj në këtë, një qeverisje më të gjerë, më gjithëpërfshirëse. Proceset janë në finale, diskutimet janë në finale dhe nuk po precizoj më shumë", tha Haradinaj.

Sipas Haradinajt, një qeverisje me bazë më të gjerë nuk nënkupton që të gjitha partitë politike do të mund të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme.

Ai i ka bërë përgjegjëse të gjitha partitë parlamentare për vonesat rreth formimit të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

"Konstituimi i Kuvendit, zgjedhja e kryetarit edhe organeve të tjera është përgjegjësi e krejt spektrit politik. Pra, nuk është përgjegjësi e një të mandatari për Qeverinë. Ndërsa, kur do të vjen radha të Qeveria, atëherë edhe s'ka pse të diskutohet, sepse janë dy javë kohë dhe shihet - e përfundon ose jo. Unë shpresoj që të vij ajo ditë dhe të mos e vonojmë Kosovën", tha Haradinaj.

Të enjten, më 24 gusht, Kuvendi nuk arriti ta zgjedhë kryetarin e këtij institucioni në një seancë të filluara që nga 3 gushti.

Por, për dallim nga seancat e kaluara, koalicioni PAN, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, ka pranuar aty se nuk e ka shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit për ta votuar kandidatin për kryetar të legjislativit.

Nga ana tjetër, zyrtarë të partive politike nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë duke zhvilluar disa takime, për atë që siç thonë ata, gjetjen e ndonjë mundësi se si mund të dilet nga kriza e tanishme rreth konstituimin të institucioneve të reja.

Agim Veliu, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se nga takimet e zhvilluar nuk ka ndonjë marrëveshje dhe, siç shprehet ai, edhe nuk mund të ketë diçka konkret me Lëvizjen Vetëvendosje.

"Nuk shoh ndonjë mundësi reale që me Vetëvendosjen të arrihet ndonjë marrëveshje, duke pas parasysh dallimet e mëdha që i kemi si subjekte politike, por, edhe sjelljet e Vetëvendosjes gjatë qeverisjes së LDK-së dhe institucioneve në përgjithësi. Pra, nuk shoh ndonjë mundësi të madhe që të afrohemi me Vetëvendosjen", tha Veliu.

Situatës politike në të cilën ka hyrë Kosova, sipas tij, tash për tash është e vështir t’i gjendet një zgjidhje.

"Zgjidhje teorike për sa i takon kombinimit të numrave të subjekteve të koalicioneve ka, por në praktikë nuk po shoh se ka ndonjë mundësi reale për të dalë nga kjo krizë duke pas parasysh edhe pozicionimet e grupimeve të ndryshme politike, për sa i takon ndërtimit të Qeverisë. Thënë të drejtën unë jam goxha skeptik që mund të dilet lehtë nga kjo situatë", tha Veliu.

Pas dështimit në gjashtë seancat konstituive të thirrura që nga 3 gushti për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ende nuk është caktuar data e vazhdimit të shtatë të saj.

Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti Adem Mikullovci ende nuk ka dhënë ndonjë deklaratë se kur do ta thërras vazhdimin e seancës. Por, ai mbase ka mbetur që paraprakisht ta ketë një sinjal, sidomos nga koalicioni PAN (PDK, AAK dhe Nisma), si subjekt që ka të drejtën e propozimit të kryetarit, por që nuk e ka siguruar ende shumicën prej 61 votave në Kuvend, për zgjedhjen e tij.

Pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ky institucion konsiderohet i pakonstituuar, çka e pamundëson edhe nisjen e procedurës për formimin e Qeverisë së re.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG