Ndërlidhjet

Konsensusi ‘i pamundshëm’ për Demarkacionin


Kuvendi i Kosovës, 7 shtator, 2017
Kuvendi i Kosovës, 7 shtator, 2017

Arritja e një konsensusi brenda spektrit politik në Kosovë rreth ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, duket të jetë shumë i vështirë.

Aktualisht, këtë marrëveshje po e mbështetë vetëm një parti në pushtet dhe një në opozitë, përkatësisht Partia Demokratike e Kosovës (parti në pushtet) dhe Lidhje Demokratike e Kosovës (parti në opozitë).

Pavarësisht që në deklaratat e tyre publike, liderët e partive politike e trajtojnë çështjen e Demarkacionit si urgjente dhe kriter të pakalueshëm për procesin e liberalizimit të vizave, në praktikë, ky lidership ende nuk ka ndërmarrë ndonjë nismë të re për të arritur një konsensus për ratifikimin e marrëveshjes.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka shtyrë për një kohë të pacaktuar shqyrtimin dhe votimin e projektligjit për Demarkacionin e kufirit, ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Deri te shtyrja, kishte ardhur pikërisht për shkak të mungesës së konsensusit, në mënyrë që t’u jepet edhe pak kohë partive politike që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët.

Zenun Pajaziti, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se konsensusi mund të arrihet me një vullnet politike të të gjitha partive politike.

"Pavarësisht vonesës, rrethanat aktuale tregojnë se është një pritje e jashtëzakonshme qytetare si dhe kërkesë e përsëritur e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Po ashtu, është kohë e fundit edhe për të gjitha partitë politike që të reflektojnë. Ideja që në këto tema të ketë konsensus nuk është e re. Është mirë që kryetari i Kuvendit po bën gjithçka që është e mundur, që të ketë një konsensus për kalimin e kësaj situate", tha Pajaziti.

Nga ana tjetër, Zafir Berisha, deputet nga Nisma për Kosovën, që është pjesë e Qeverisë së Kosovës, mendon se për marrëveshjen ekzistuese nuk mund të ketë asnjë marrëveshje mes partive politike.

Ai thekson se nuk mund të ketë konsensus, derisa siç tha ai, Komisioni i parë për Shënjimin e Kufirit ka bërë gabime dhe ka kaluar kompetencat.

Berisha mendon se tash për tash duhet të përkrahet ideja e kryetari të partisë Nisma, Fatmir Limaj, i cili po synon që të arrihet një deklaratë e përbashkët mes Prishtinës dhe Podgoricës rreth kësaj marrëveshjeje.

"I vetmi variant mund të jetë një marrëveshje mes dy qeverive, që në një periudhë të caktuar të rishikohet marrëveshja ose Kuvendi i Kosovës të nxjerrë një rezolutë me anë të cilës të njoftohet Qeveria dhe Kuvendi i Malit të Zi që Komisioni (paraprak shtetëror që kishte bërë matjet), kushtimisht thënë, ka kaluar kompetencat e veta në bazë të vendimit të Qeverisë, sepse është marrë me përcaktimin e kufirit edhe pse nuk ka qenë i autorizuar", tha Berisha.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, kryetari i partisë Nisma për Kosovën ka thënë se tashmë është duke u shqyrtuar një ide për zgjidhjen e nyjës politike lidhur me ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Sipas tij, Marrëveshja e arritur mes Kosovë dhe Malit të Zi për demarkacionin e kufirit, lë hapësirë për të korrigjuar gabimet e mundshme që kanë mundur të ndodhin në variantin e parë të marrëveshjes.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje vazhdojnë ta përsërisë qëndrimin se Marrëveshja ekzistuese për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, është e gabuar dhe Kuvendi nuk duhet ta ratifikoj atë.

Albulena Haxhiu, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe kryetare e Komisioni për Legjislacion, tha për Radion Evropa e Lirë se i vetmin konsensus që Vetëvendosje do të pranonte, është ai për ta kundërshtuar marrëveshjen ekzistuese.

"Do ta mbështesim një qëndrim i cili e kundërshton Marrëveshjen aktuale të demarkacionit me Malin e Zi, që i hap rrugë negocimit për një marrëveshje të re, ashtu siç parashihet në raportin e Komisionit aktual për Shënjimin e Kufirit", tha Haxhiu.

Deputetja Haxhiu tha se Vetëvendosje nuk përkrah as idetë e reja që janë duke u përmendur kohëve të fundit, ku bën pjesë edhe nisma e zëvendëskryeministrit Limaj.

"Këto janë tendenca të ulëta dhe të papranueshëm për Lëvizjen Vetëvendosje. Ne do të bashkëpunojmë me këdo që ka interes që ta shpëtojë territorin e Republikës dhe sigurisht që qëndrimi ynë do të jetë i njëjti që e kemi pasur deri tani", tha Haxhiu.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë të Austrisë. Kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.

Mungesa e ratifikimit nga Kosova, ndërlidhet me kundërshtimet e brendshme nga një pjesë e spektrit politik, i cili vlerëson se me anë të kësaj marrëveshjeje, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë.

Thirrjet ndërkombëtare për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, datojnë për më gjatë se dy vjet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG