Ndërlidhjet

Konjufca e Ahmeti, me mision pajtimi në Vetëvendosje


Glauk Konjufca
Glauk Konjufca

Deputeti Glauk Konjufca dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, janë përzgjedhur nga Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje për të negociuar ndërmjet dy 'grupeve' brenda Lëvizjes, në përpjekje të gjetjes së një zgjidhjeje për problemet dhe ndasitë që e kanë përfshirë këtë subjekt politik.

Zyrtarët nga Vetëvendosje, thonë për Radion Evropa e Lirë se mospajtimet e brendshme, janë duke i trajtuar dhe, siç thonë ata, për to ka zgjidhje.

Glauk Konjufca thotë se përmes diskutimeve dhe shtrimit të problemeve brenda forumeve, atij të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, dhe të Grupi Parlamentar, po shqyrtohen mundësitë e gjetjes së një zgjidhje të kënaqshme, për atë se si do të duket Vetëvendosje në të ardhmen.

"Figurat më të rëndësishme janë të kyçura në këtë proces që të mund të krijohet një lloj përafrimi i qëndrimeve sa i përket grupeve të ndryshme se si e shohin të ardhmen dhe rrugëtimin e Vetëvendosjes”.

“Unë, nga fillimi e kam pasur këtë rol, po ashtu edhe Shpend Ahmeti, që të mund të krijohet një hapësirë e përbashkët veprimi dhe që të mund të arrijmë një marrëveshje brenda Vetëvendosjes, lidhur me gjërat bazike që janë të rëndësishme për Lëvizjen", thotë Konjufca.

Sipas tij, problemi, në të cilin gjendet tash për tash Lëvizja Vetëvendosje, është i zgjidhshëm dhe gjërat mund të shkojnë përpara në aspektin pozitiv.

“Ky problem është i kalueshëm, sipas mendimit tim. Kam dëgjuar të gjithë ata që kanë shprehur pakënaqësitë e tyre. Do të vazhdoj të takohem me ta edhe në ditët në vazhdim, me qëllim që kur ta kuptojmë edhe më hollësisht atë çka po e paraqesin grupi i të pakënaqurve, në mënyrë që të kemi mundësi për të krijuar një raport të saktë lidhur me qëndrimet e tyre dhe një zgjidhje se çfarë drejtimi duhet të marrim dhe ata të ndihen komod”, thotë Konjufca.

Albin Kurti është kandidati i vetëm për kryetar të Vetëvendosjes
Albin Kurti është kandidati i vetëm për kryetar të Vetëvendosjes

Subjekti më i madh opozitar në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, po përballet me probleme të brendshme, përçarje e mospajtime.

Nga postet e larta drejtuese, tashmë kanë dhënë dorëheqje personalitete të njohura politike duke përfshirë kryetarin Visar Ymeri, nënkryetarin Dardan Sejdiu, dhe anëtarë tjerë të këtij subjekti politik.

Analisti polik, Krenar Shala, thotë për Radion Evropa e Lirë, çarjet të cilat e kanë përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje, vështirë që në një të ardhme të afërt mund të rregullohen.

"Emërimi nga Kryesia i dy figurave neutrale karshi këtyre përçarjeve, Glaukut dhe Shpendit, tregon që të paktën ka gatishmëri nga Kryesia, e cila përbëhet nga dy grupet që kjo përçarje të mund të evitohet dhe kështu partia të mos ndahet”.

“Megjithatë, duke pasur parasysh plot të meta që kanë paraqitur palët e ndryshme në konflikt për njëra-tjetrën në publik, na dëshmon që është jashtëzakonisht e vështirë që të ndodhë një pajtim", vlerëson Shala.

Ai thekson, po ashtu, se edhe nëse do të ketë një përafrim, apo pajtim, Lëvizja Vetëvendosje nuk do të jetë ajo që ka qenë më herët, pasi që kanë dalë në shesh mospajtimet.

"Ka plot njerëz aty, të cilët e shohin Vetëvendosjen si qëllim në vetvete dhe duke e pasur parasysh këtë fakt, gjasat janë shumë të vogla që Vetëvendosje të arrijë që t'i evitojë problemet që e kanë karakterizuar për më shumë se një vit", thekson ai.

Dilemat aktuale janë nëse të ata që dhanë dorëheqje dhe mbështetësit e tyre do të rikthehen në parti, apo do të vendosin të themelojnë një fraksion politik të veçantë, jashtë strukturave aktuale. Të dyja opsionet, po konsiderohen të vështira për ecjen më tutje të këtij subjekti politik, i cili viteve të fundit kryesisht ka qenë zëri më i fuqishëm opozitar në Kosovë.

Ismajl Kurteshi, kryesues i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, në një postim të tij në profilin e tij në Facebook , ka shkruar se disa aktivistë dhe anëtarë të Kryesisë, të qendrave të Lëvizjes po ankohen se ish-sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj, po organizon takime ilegale me aktivistët e Lëvizjes.

“Në këto takime, sipas aktivistëve, ai po pretendon se ai, dhe përkrahësit e tij, do të bëjnë një ‘çarje të madhe’ në organizatë, duke aluduar edhe për krijimin e një partie të re. Në këto takime, sipas aktivistëve, janë përmendur shifra që kanë të bëjnë me dëmet që ai synon t‘ia shkaktojë Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, ka shkruar Kurteshi.

Në anën tjetër, analistët politikë konsiderojnë se problemet e brendshme, të cilat e kanë përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje, janë të mëdha dhe se sipas tyre, ato e kanë dëmtuar në masë të madhe këtë subjekt politik. Vetëvendosje aktualisht është subjekti më i madh opozitar me 32 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Përplasjet në Vetëvendosje, dolën në sipërfaqe pas publikimit të bisedave private ndërmjet disa deputetëve të këtij subjekti politik, ku kishte edhe shprehje fyese në drejtuara ndaj Albin Kurtit.

Vetëvendosje, tashmë, ndodhet në procesin e brendshëm zgjedhor. Albin Kurti është kandidati i vetëm për kryetar të Vetëvendosjes. Zgjedhja e kryetarit pritet të bëhet më 21 janar.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG