Azerbajxhani do të furnizojë me naftë zjarrfikësit dhe ambulancat ukrainase
Kompania shtetërore e naftës e Azerbajxhanit, SOCAR, ka konfirmuar për BBC-në se do t'i furnizojë shërbimet e zjarrfikësve dhe ambulancës të Ukrainës me derivate nafte falas për tërë kohën sa do të zgjasë konflikti.
Ky njoftim vjen pas një telefonate midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Aliyev gjithashtu u zotua t'i sigurojë Ukrainës dërgesa të ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore.
Kush dhe sa i dhuroi armatim të shtunën Ukrainës?
Derisa ukrainasit janë duke u përballur me sulmet e vazhdueshme të Rusisë, aleatët perëndimorë janë zotuar të dërgojnë armë shtesë për të mbështetur rezistencën e Ukrainës.
Vetëm të shtunën, shtete si SHBA-ja, Gjermania dhe Holanda ndanë armatim dhe mjete financiare në vlerë qindra miliona euro.
- Departamenti Amerikan i Shtetit tha se do të dërgojë 350 milionë dollarë armë – duke përfshirë raketat anti-tank Javelin, sistemet kundërajrore dhe armë të tjera.
- Qeveria gjermane tha se do të furnizonte Ukrainën me 1,000 granatahedhës anti-tank dhe 500 raketa tokë-ajër Stinger në mënyrë emergjente.
- Holandezët njoftuan për dhurimin e 50 armëve anti-tank “Panzerfaust-3” dhe 400 raketa.
- Të dy vendet thuhet gjithashtu se po shqyrtojnë dërgimin e një sistemi të përbashkët të mbrojtjes ajrore në një bazë të NATOs në Sllovaki.
- Më herët, NATO filloi shtonte numrin e forcave të saj në Evropën Lindore "për t'iu përgjigjur shpejt çdo rasti".
Ukrainasit vazhdojnë të largohen nga luftimet
Qytetarët ukrainas kanë vazhduar ta kalojnë kufirin në mes të Ukrainës dhe Polonisë edhe në orët e para të mëngjesit të së dielës së 27 shkurtit. Ata po largohen nga luftimet e shkaktuara nga operacioni rus për pushtimin e Ukrainës. Më shumë se 120 mijë ukrainas janë larguar nga shteti i tyre si pasojë e luftimeve. Në vijim janë disa nga fotografitë që agjencia e lajmeve Reuters i sjell nga vendi i ngjarjes.
Lexues të nderuar këtu e ndërpresim mbulimin direkt të luftës në Ukrainë, për t'u rikthyer sërish nga ora 7:00. Zhvillimet kryesore të ditës së shtunë kanë qenë:
- Komisioni Evropian,Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara janë pajtuar për përjashtimin e bankave ruse nga sistemi SWIFT, një sistem i pagesave ndërkombëtare.
- Gjatë së shtunës, Gjermania miratoi dërgimin e një sasie të konsiderueshme armësh për Ukrainën duke përfshirë 1,000 armë kundër-tank dhe 500 raketa Stinger.
- Ushtarëve rusë iu dhanë urdhra që të zgjerojnë ofensivën në Ukrainë.
- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë për "gjenocid" në luftën e saj kundër Ukrainës.
- Presidenti i Francës paralajmëroi luftë të gjatë mes Ukrainës dhe Rusisë.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dha një mesazh sfidues ku tha se Ukraina nuk do të kapitullojë.
- Ukraina raportoi vrasjen e mbi 3,500 ushtarëve rusë.