Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
08:38 26.2.2022

Ministri i Jashtëm ukrainas: Izolojeni plotësisht Rusinë

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, postoi një fotografi në Twitter që, sipas tij, tregon dëmtimin e një blloku apartamentesh në Kiev nga sulmi raketor rus.

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi më herët për dy sulme me raketa në kryeqytetin ukrainas.

“Kievi, qyteti ynë i mrekullueshëm, paqësor, mbijetoi një natë tjetër nën sulmet e forcave tokësore ruse, raketave...”, shkroi Kuleba në Twitter.

“Njëri prej tyre ka goditur një apartament banimi në Kiev. I kërkoj botës: izolojeni plotësisht Rusinë, dëbojini ambasadorët, vendosni embargo në naftë, shkatërroni ekonominë e saj. Ndalojini kriminelët rusë të luftës!”, tha ai.

08:58 26.2.2022

Zelensky: Nuk dorëzohemi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dha një mesazh sfidues mëngjesin e 26 shkurtit, duke thënë se forcat ruse rrethuan Kievin, porse Ukraina nuk do të kapitullojë.

“Mos u besoni lajmeve të rreme”, tha Zelensky në një video të postuar në llogarinë e tij në Twitter.

“Unë jam këtu, nuk i dorëzojmë armët, do ta mbrojmë vendin tonë, të vërtetën, tokën, fëmijët tanë... Të gjitha këto do t'i mbrojmë”, tha ai, teksa qëndronte pranë Zyrës presidenciale në qendër të Kievit.

Më herët, ai i bëri thirrje vendit të tij që “të qëndrojë i palëkundur” kundër rrethimit që, siç tha, mund të përcaktojë të ardhmen.

Zelensky refuzoi ndihmën amerikane për evakuim, duke thënë se “lufta është këtu”.

09:28 26.2.2022

Mirëmëngjesi për ju që sapo jeni kyçur në blogun tonë!

Lajmet e fundit janë këto:

  • Trupat ruse pushtuan qytetin juglindor të Ukrainës, Melitopol, raportoi agjencia ruse e lajmeve Interfax.
  • Forcat ruse po kryejnë sulme të koordinuara me raketa dhe artileri në disa qytete, përfshirë kryeqytetin Kiev.
  • Presidenti rus, Vladimir Putin, i kërkoi ushtrisë së Ukrainës që të rrëzojë udhëheqjen e vendit dhe të negociojë paqen.
  • Ukraina dhe Rusia po diskutojnë për vendin dhe kohën e bisedimeve, tha zëdhënësi i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në mediat sociale.
  • Rusia i vuri veto një projekt-rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që dënonte pushtimin e Ukrainës nga Moska, ndërsa Kina abstenoi nga votimi.
  • Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, udhëzoi Departamentin amerikan të Shtetit të lëshojë 350 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe i kërkoi Kongresit të miratojë 6.4 miliardë dollarë ndihmë për të trajtuar krizën humanitare dhe të sigurisë.
  • Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, dhe ministrit të tij të Jashtëm, Sergei Lavrov. Bashkimi Evropian dhe Kanadaja e kanë bërë një gjë të tillë.
  • Ukraina tha se më shumë se 3,000 ushtarë rusë janë vrarë. Rusia nuk publikoi shifra të viktimave. Kombet e Bashkuara thanë se 25 civilë janë vrarë dhe 102 janë plagosur.
  • NATO-ja aktivizoi planet e mbrojtjes në përgjigje të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
  • Trafiku ajror rus, përfshirë linjat ajrore komerciale dhe avionët privatë, u ndalua në disa vende të Evropës.
09:38 26.2.2022

Dhjetëra të plagosur në Kiev

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se 35 persona u plagosën në sulme gjatë natës.

Të plagosurit përfshijnë dy fëmijë, tha ai.

Nuk është ende e qartë nëse Klitschko iu referua vetëm civilëve.

Ai shtoi se aktualisht nuk ka prani të madhe ushtarake ruse në Kiev.

Media të ndryshme raportuan më herët për luftime të ashpra atje.

Sipas tyre, forcat ukrainase po bëjnë përpjekje të zmbrapsin ushtrinë ruse, e cila synon të marrë kontrollin e kryeqytetit ukrainas.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG