Ndër zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë:
- Ministria e Mbrojtjes në Rusi ka thënë se forcat ruse kanë marrë kontrollin e bazës ajrore Hostomel afër Kievit
- Pajisjet ushtarake të Ukrainës kanë hyrë në Kiev për të mbrojtur qytetin pas afrimit të trupave ruse
- Ministrja e Brendshme e Ukrainës ka thënë se 18,000 armë u janë dhënë vullnetarëve, bashkë me udhëzime si të krijojnë kokteje molotovi
- Ministri britanik i Forcave të Armatosura, James Heappey, u ka thënë ligjvënësve se janë vrarë 450 ushtarë rusë dhe të paktën 194 ukrainas, përfshirë 57 civilë
- Ukraina ka thënë që më shumë se 1,000 rusë kanë vdekur prej kur ka nisur pushtimi
- Kremlini ka thënë se Rusia është e gatshme të bisedojë me Ukrainën në Minsk
- Fokusi i bisedimeve do të jetë që Ukraina të shpallë “status neutral”, që do të përfshinte “çmilitarizimin”, mirëpo nuk ka të dhëna se Ukraina do të pajtohej për të negociuar në këto kushte
- Polonia është duke u përgatitur për të mbyllur hapësirën ajrore për kompanitë ruse
- Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë vlerëson që 100,000 persona tashmë janë zhvendosur dhe beson se mbi katër milionë persona mund të tentojnë të largohen jashtë kufijve nëse lufta përshkallëzohet
Ukraina: 2,800 viktima ruse që prej fillimit të pushtimit
Forcat e armatosura ukrainase thanë se Rusia ka pësuar humbje të mëdha. Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës tha se 2,800 trupa ruse janë “shuar”.
Është ende e paqartë nëse ky numër ushtarësh janë vrarë, plagosur apo kapur. Ministria ukrainase po ashtu vlerësoi se ka shkatërruar rreth 80 tanke, mbi 500 makina të tjera ushtarake, dhjetë avionë dhe shtatë helikopterë.
Rusia më herët ka pretenduar se nuk ka pësuar ndonjë humbje të madhe, ndërkaq, Ukraina po ashtu më herët gjatë ditës tha se mbi 1,000 sulmues rusë janë vrarë.
“Ne jemi të fortë. Fitorja do të jetë e jona”, tha Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës.
Polonia dhe Çekia do të mbyllin hapësirën ajrore për avionët rusë
Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, tha se ka mbyllur hapësirën ajrore për avionët rusë, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës.
“Kam urdhëruar që të bëhen përgatitje për një rezolutë në Këshillin e Ministrave, që do të çojë në mbylljen e hapësirës ajrore për avionët rusë”, tha ai përmes një postimi në Twitter.
Sipas zëdhënësit të Qeverisë, Piotr Mueller, ky vendim do të hyjë në fuqi në mesnatë.
Edhe Republika Çeke po planifikon që të mbyllë hapësirën ajrore për avionët rusë, tha kryeministri Petr Fiala pas një mbledhjeje të Qeverisë që u mbajt të premten.
Putin i bën thirrje ushtrisë ukrainase të rrëzojë Qeverinë në Kiev
Presidenti rus, Vladimir Putin, i bëri thirrje ushtrisë ukrainase që ta rrëzojnë Qeverinë, liderët e së cilës ai i përshkroi si “terroristë” dhe “një bandë narkomanësh dhe neo-nazistësh”.
Putin po ashtu akuzoi “nacionalistët ukrainas” për dislokimin e armëve të rënda në zonat e banuara në qytetet e mëdha, pasi sipas tij, me këto veprime ata po provokojnë ushtrinë ruse, një pretendim që rrit frikën se Moska po krijon pretekste për të justifikuar viktimat në mesin e civilëve.
Duke iu drejtuar ushtrisë ukrainase përmes një adresimi televiziv, Putin u bëri thirrje ushtarëve që të “marrin pushtetin në duart e tyre”.
“Duket se do të jetë më e lehtë për ne që të merremi vesh me ju sesa me këtë bandë narkomanësh dhe neo-nazistësh”, tha ai duke iu referuar udhëheqjes në Kiev, që drejtohet nga presidenti Volodymyr Zelenskiy, i cili është hebre.
Putin, që të enjten urdhëroi trupat e tij të nisnin një operacion ndaj Ukrainës, pretendoi se “nacionalistët ukrainas” po përgatiten që të dislokojnë shumë raketahedhës në zonat e banuara të qyteteve ukrainase, përfshirë Kievin dhe Karkivin.
Sipas tij, udhëheqja në Ukrainë po “vepron si terroristët në mbarë botën: ata po fshihen pas njerëzve me shpresë që ta fajësojnë Rusinë për viktimat civile”.