Ndërlidhjet

“Na turpërove”: Si u distancua dhe e pezulloi një kompani bullgare punëtorin që mbrojti dhunën


Pamje nga protesta e mbajtur në Sofje kundër burrit, i cili është liruar nga autoritetet, pavarësisht plagëve që i ka shkaktuar të dashurës së tij. Pasi rasti është bërë publik, burri është arrestuar për herë të dytë.
Pamje nga protesta e mbajtur në Sofje kundër burrit, i cili është liruar nga autoritetet, pavarësisht plagëve që i ka shkaktuar të dashurës së tij. Pasi rasti është bërë publik, burri është arrestuar për herë të dytë.

Reagim i shpejtë. Distancim. Dënim i dhunës ndaj grave.

Në ditët e fundit, një kompani publike në Bullgari ka fituar vëmendje dhe mbështetje në rrjetet sociale, pasi ka reaguar kundër agresionit verbal të shprehur nga një punëtor i saj në Facebook, dhe madje e ka pezulluar atë përkohësisht nga puna.

Javën e kaluar, është bërë e ditur se një burrë nga Stara Zagora në Bullgari e ka prerë me thikë 20 herë të dashurën e tij, ia ka qethur kokën dhe ia ka thyer hundën.

I dyshuari, 26-vjeçar, është arrestuar, mirëpo gjykata e ka liruar pasi i ka vlerësuar plagët e gruas si “të lehta”. Ai është arrestuar sërish, kur rasti është bërë publik.

Diçka e tillë ka rritur zemërim te popullata dhe për pasojë janë mbajtur protesta në shumë qytete.

Pamja nga protesta e 31 korrikut.

"Gratë duhet të mbrohen": Protesta në Bullgari kundër dhunës në familje
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:12 0:00

Sidoqoftë, ka pasur banorë që në rrjetet sociale e kanë mbrojtur dhunuesin.

Njëri prej tyre është Viktor Kostov. Ai është nga qyteza bullgare Radnevo dhe punon për kompaninë më të madhe të minierave të qymyrit në Bullgari, Mini Maritsa Iztok.

Për shkak të komentit të tij, drejtorja ekzekutive e kompanisë, Ilza Chinkova, ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se ai do të pezullohet nga puna derisa të sqarohet rasti.

“Viktor, po ju drejtohem juve si nënë dhe si grua, dhe po ju them se jam e turpëruar dhe e dënoj qëndrimin tuaj të shëmuar. Ju përbëni turp për mijëra punëtorë të ndershëm të kompanisë Mini Maritsa Iztok”, ka thënë ajo.

Ky reagim, përveçse është duartrokitur nga publiku, e ka ngritur edhe një pyetje – përfshirjen e kompanive në procese sociale.

Profesoresha Marina Stefanova, specialiste për përgjegjësi sociale në korporata, ka thënë se një qasje e tillë e kompanisë Mini Maritsa Iztok, për raste si kjo, është jashtëzakonisht e rëndësishme.

“Roli i bizneseve, ndoshta në 20 vjetët e fundit, ka ndryshuar plotësisht dhe ato nuk janë më vetëm ofruese të shërbimeve”, ka thënë Stefanova.

“Këtu bëhet fjalë për përkushtimin e tyre ndaj komunitetit. Dhe, nuk po flas vetëm për filantropi, po flas për ndikim direkt te punëtorët”, ka thënë mes tjerash ajo.

“Edhe një varrë e vetme është shumë”

Pas raportimit të rastit që ka ndodhur në Stara Zagora, mijëra njerëz kanë nisur të shprehin mllef kundër dhunuesit të dyshuar Georgi Georgiev.

Megjithatë, Viktor Kostov ka shkruar në Facebook se ai e “mbron djaloshin”, i cili e ka shpërfytyruar gruan 18-vjeçare me thikë dhe ka thënë se “secili burrë duhet t’i dijë punët e veta”.

Për më shumë, ai e ka kërcënuar secilin që guxon ta kundërshtojë Georgievin.

Më vonë është bërë e ditur se Kostov punon në Mini Maritsa Iztok në qytezën Radnevo.

Kjo kompani furnizon me thëngjill termocentralet Brickell, Maritsa-Istok 2, Maritsa-Istok 3, AS Maritsa Istik I, and Maritsa 3 TPP.

Reagimi i kompanisë ka qenë i shpejtë.

Kostov është pezulluar përkohësisht nga puna dhe kompania është distancuar nga qëndrimi i tij.

“Sërish, po ju them si nënë dhe si grua, se qoftë edhe një e qepur, që bëhet në trup të gruas, e shkaktuar nga dora e një njeriu, që sipas jush i takon ‘gjinisë së fortë’, është shumë dhe e papranueshme për kohën dhe shoqërinë ku jemi duke jetuar”, ka thënë Chinkova përmes një shkrese publike.

Sipas profesoreshës Stefanova, njerëzit që janë në pozita të larta, qofshin publike ose private, duhet t’i zotërojnë edhe këto pozita sociale.

“Kjo në fakt pritet prej tyre”, ka thënë Stefanova, e cila vlerëson se kompanitë duhet të punojnë për t’i edukuar punëtorët e tyre për të drejtat themelore të njeriut.

“Është mirë që kjo kompani ka reaguar shpejt. Sepse ekzistojnë kufij që nuk mund të kalohen. Duhet të distancoheni. Ky është autoritet i një tjetër lloji të punës”, ka thënë Stefanova.

Pamje tjetër nga protesta në Sofje, 31 korrik 2023.
Pamje tjetër nga protesta në Sofje, 31 korrik 2023.

Të dielën, Monika Marinova, 40-vjeçare, ka raportuar për një televizion në Bullgari se është kërcënuar nga Kostovi në rrjetet sociale.

Ai më pas është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 24 orë.

Sipas raportimeve të mediave lokale, ai i ka thënë policisë se llogaria e tij në Facebook është hakuar dhe se ai nuk është autor i kërcënimeve.

Me një deklaratë të tillë, ai është liruar pa akuza.

Pas komenteve të Kostovit, në publik kanë dalë edhe persona tjerë me qëndrime të ngjashme.

Komente mizogjene janë bërë edhe nga një matematicient nga Akademia Bullgare e Shkencave, që, po ashtu, ka marrë vëmendje të madhe.

Akademia ka reaguar shpejt dhe e ka distancuar veten nga qëndrimi i punëtorit.

I përjashtuar apo pezulluar?

Sipas informacioneve të kompanisë Mini Maritsa Iztok, Viktor Kostov është i pezulluar përkohësisht nga puna, derisa të sqarohen të gjitha rrethanat.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të kontaktojë me shefen e kompanisë, Ilza Chinkova, për të marrë më shumë informacion.

Por, a është e mundur që të përjashtohet nga puna një person për shkak të qëndrimeve të shprehura në Facebook?

Sipas avokatit të së drejtës së punës, Dimitar Petrov, mundësia është e vogël, sidomos nëse bëhet fjalë vetëm për një shkelje.

“Nëse ai është punëtor i mirë, i kryen detyrat e tij, shkon në punë rregullisht, është i disiplinuar dhe nuk i ndalohet me rregullore që të bëjë postime të tilla, atëherë përjashtimi eventual do të ishte i paligjshëm”, ka thënë Petrov.

Megjithatë, ai vlerëson se ekzistojnë shumë të panjohura për këtë rast dhe është e vështirë të formulohet një përgjigje e saktë.

Në faqen e kompanisë Mini Maritsa-Iztok është i publikuar kodi i etikës dhe në artikullin 38 përmendet se:

“Punëtorëve nuk u lejohet sjellja që nuk përkon me ligjin dhe rregullat e këtij kodi, qoftë në vend të punës apo jashtë tij, përfshirë edhe kur përdoren pajisje për informacion, komunikim apo rrjetet sociale”.

Avokati Petrov ka thënë se ekzistojnë shumë raste kur punëtorët përjashtohen nga puna nëse nuk e respektojnë kodin e etikës. Megjithatë, sipas tij, zakonisht punëtorët e përjashtuar bëjnë shkelje të vazhdueshme.

Roli i bizneseve

Sipas profesoreshës Stefanova, qëndrime të tilla publike në mbrojtje të të drejtave themelore të njeriut, janë jashtëzakonisht të rëndësishme, sidomos kur është fjala për vendbanime të vogla.

Ajo vlerëson se edhe roli i kompanive në shoqëri ka ndryshuar shumë në vitet e fundit.

“Ato janë hallka e parë e promovimit të vlerave njerëzore”.

Sipas saj, është shumë e rëndësishme që kompani të tilla të mëdha, të tregojnë se nuk mund të tolerohet lloji i agresionit që është raportuar së fundi në Bullgari.

Stefanova beson se është e rëndësishme që nëpër kompani të tilla të krijohet ambient i sigurt fizikisht.

“Në këto kompani nuk punojnë vetëm burrat, punojnë edhe gratë. Si të shkojnë ato në punë? Kështu rrezikon të shkatërrohet ndjenja e sigurisë në vende të punës”, ka thënë ajo.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG