Ndërlidhjet

KFOR: Nuk dihet se ku kanë qenë policët në kohën e arrestimit


KFOR-i italian në Bare, Leposaviq, më 14 qershor.
KFOR-i italian në Bare, Leposaviq, më 14 qershor.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se nuk është e qartë se ku kanë qenë tre policët e Kosovës, në kohën e arrestimit nga forcat serbe.

"Pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 14 qershor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka rishikuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka folur me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit", thuhet në komunikatën e KFOR-it, dërguar mediave.

Autoritetet e Kosovës pretendojnë se policët janë arrestuar brenda territorit të vendit, ndërsa ato në Serbi thonë se ata kanë qenë "thellë" në territorin e tyre, kur janë arrestuar.

KFOR-i u bëri thirrje të dyja palëve që t’i respektojnë marrëveshjet dhe procedurat e bashkëpunimit me këtë mision, si dhe të përmbahen nga "retorika provokuese".

"Ua rikujtojmë të dyja palëve përgjegjësitë sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës - përfshirë policinë kufitare - dhe KFOR-it".

"Po ashtu, ua rikujtojmë të gjitha palëve se vendosja e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it", thuhet në komunikatën e misionit paqeruajtës.

Kosova dhe NATO-ja kanë një marrëveshje nga viti 2013, në bazë të së cilës FSK-ja nuk duhet të vendoset në veriun e banuar me shumicë serbe pa pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it.

KFOR-i kërkoi, po ashtu, nga Kosova dhe Serbia që "të shmangin çdo veprim të njëanshëm, që mund t'i përshkallëzojë tensionet në zonë".

"KFOR-i i mirëpret të gjitha përpjekjet e komunitetit diplomatik për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës", thekson misioni i NATO-s, i cili është përgjegjës për sigurinë e kufijve të territorit të Kosovës.

Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë - qytet në jug të Serbisë - dha të premten urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj tre policëve të arrestuar të Kosovës dhe u shqiptoi atyre masë paraburgimi prej 30 ditësh.

Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.

Autoritetet në Kosovë shprehën shqetësim për, siç thanë, "kushtet çnjerëzore" në të cilat mbahen policët.

Zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti, tha për Radion Evropa e Lirë se në, bazë të informatave që ka, policët "po mbahen pa ushqim dhe pa trajtim adekuat mjekësor".

REL-i kontaktoi dy avokatë që përfaqësojnë policët kosovarë, por ata nuk pranuan të flasin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi si "rrëmbim" arrestimin e tre policëve.

Sipas Policisë së Kosovës, ata u arrestuan në lokacionin Tresave/Bare, që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës. Ndërsa në Beograd thanë se policët u arrestuan "në thellësi të territorit të Serbisë qendrore, në fshatin Gnjillica, në afërsi të Rashkës".

Incidenti ndodhi në kohën e tensioneve të larta në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - si pasojë e hyrjes së kryetarëve shqiptarë në objektet e komunave atje, të cilat shfrytëzohen edhe nga strukturat paralele serbe.

Ata hynë me ndihmën e Policisë së Kosovës - gjë që shkaktoi protesta të komunitetit serb, të cilat vazhdojnë për më shumë se dy javë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me ushtarë të KFOR-it. Dhjetëra të plagosur u raportuan në të dyja anët.

Bashkësia ndërkombëtare bëri përgjegjëse Kosovën për situatën në veri dhe kërkoi prej saj që ta shtensionojë atë.

Qëndroni me ne

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG