Ndërlidhjet

Paraburgim për tre policët; Kosova e shqetësuar për kushtet ku mbahen


Autoritetet serbe kanë thënë se në këtë fotografi janë zyrtarët e arrestuar të Policisë së Kosovës.
Autoritetet serbe kanë thënë se në këtë fotografi janë zyrtarët e arrestuar të Policisë së Kosovës.

Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë - qytet në jug të Serbisë - dha urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe, më 14 qershor.

Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.

Tre policëve, B.S. R.Z. dhe M.SH., iu shqiptua të premten masa e paraburgimit nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, por tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e saj.

Sipas zëvendësministrit të Jashtëm të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, bëhet fjalë për 30 ditë paraburgim.

Ahmeti tha për Radion Evropa e Lirë se në, bazë të informatave që ka, policët "po mbahen në kushte çnjerëzore, pa ushqim dhe pa trajtim adekuat mjekësor".

Ai tha se i ka siguruar këto të dhëna nga një zyrtar i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, i cili, sipas Ahmetit, është në kontakt me avokaten e njërit prej policëve.

"Qysh dje, përmes Zyrës Ndërlidhëse, kemi kërkuar nga Kryqi i Kuq dhe Komiteti për Parandalimin e Torturës që të interesohen për policët tanë atje. Kjo çfarë kemi kuptuar sot, është shumë serioze dhe shqetësuese për ne", tha Ahmeti, duke shtuar se shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, nuk iu pranua kërkesa për t’i vizituar policët.

REL-i kontaktoi dy avokatë që përfaqësojnë policët kosovarë, por ata nuk pranuan të flasin.

Qeveria e Kosovës pretendon se policët janë "rrëmbyer", pasi, sipas saj, ata janë arrestuar në territorin e Kosovës.

Serbia e mohon këtë, duke thënë se ata janë arrestuar në territorin e saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se më herët se, mesa duket, prokurori në Serbi i ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm kundër tre policëve të arrestuar, ndërsa i ka mbajtur në fuqi vetëm akuzat për posedim të paligjshëm të armëve.

Kurti i bëri komentet gjatë një adresimi në Forumin e Prespës në Strugë.

"Dua ta falënderoj Departamentin amerikan të Shtetit që kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Kjo është rruga përpara", tha ai.

"Së pari, këta policë duhet të kthehen, por, në të njëjtën kohë, bashkësia ndërkombëtare duhet ta dënojë me vendosmëri dhe qartë agresionin e Serbisë në Kosovë", shtoi Kurti.

Ai, po ashtu, tha se NATO-ja duhet ta dënojë shkeljen që, sipas tij, i bëri Serbia Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë më 1999.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të premten se SHBA-ja dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, janë në pritje të fakteve.

"Po presim përfundimin e hetimeve. Mendojmë se është joadekuate të bëjmë vlerësime parapake. Është shumë e qartë, këta policë ose janë dërguar në Serbi, ose kanë përfunduar në Serbi pa qëllim, prandaj edhe duhet të lirohen, pa parakushte", tha Escobar.

Janjiq: Beogradi po e përdor rastin e policëve për qëllime politike

Drejtori i Forumit joqeveritar për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, thotë për REL-in se Beogradi po e përdor rastin e policëve të Kosovës për qëllime politike.

"Këta janë punonjës të policisë kufitare dhe, në bazë të gjithçkaje që është dëgjuar, ata kanë humbur. Meqenëse nuk ekziston një procedurë e përcaktuar, më relevante do të ishte që të dyshoheshin për kalim të paligjshëm të kufirit", thotë Janjiq.

Sipas tij, Beogradi "keqpërdor ndjekjen penale".

"Shohim që prokurori e cilëson [veprën] si armëmbajtje pa leje, por ata kanë pasur armë të ligjshme nga policia së cilës i përkasin", thotë Janjiq.

Ai shton se ky rast tregon domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje të veçantë për të gjitha elementet e bashkëpunimit në fushën e sigurisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë - me pjesëmarrjen edhe të KFOR-it dhe të misionit të BE-së në Kosovë, EULEX.

Qeveria e Kosovës beson se autoritetet serbe, sipas saj, "i rrëmbyen" tre policët, për shkak të arrestimit të serbit Millun Millenkoviq nga Policia e Kosovës, më 13 qershor, nën dyshimet se ka organizuar dhunë kundër pjesëtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, në veri të Kosovës.

Kjo zonë, e banuar me shumicë serbe, është tensionuar qysh në fund të majit, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave atje të futen në objektet e tyre, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Këto objekte shfrytëzohen edhe nga strukturat paralele serbe.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me ushtarë të KFOR-it. Dhjetëra të plagosur u raportuan në të dyja anët.

Bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Kosova që menjëherë ta shtensionojë situatën, përkatësisht t’i tërheqë njësitë speciale të policisë nga veriu, të organizojë zgjedhje të reja lokale dhe të kthehet në dialog me Serbinë.

Nga Beogradi zyrtar, në anën tjetër, kërkohet që të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet e mundshme lokale.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, nga të cilat dolën kryetarët shqiptarë, u bojkotuan nga komuniteti serb.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG