Ndërlidhjet

Lista Serbe: Ndërkombëtarët të veprojnë urgjentisht që të ndalen veprimet e njëanshme të Kurtit


Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek. Fotografi nga arkivi.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek. Fotografi nga arkivi.

Lista Serbe u ka bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që të veprojnë në mënyrë urgjente për të parandaluar, siç tha ky subjekt, lëvizjet e reja të njëanshme të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Një delegacion i kësaj partie, në krye me kryetarin Zllatan Ellek, kanë zhvilluar më 31 gusht takime me zëvendëskomandantin e KFOR-it, ambasadorët e QUINT-it dhe me shefen e UNMIK-ut.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe theksuan nevojën për veprim urgjent nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, kthimin në gjendjen e mëparshme dhe parandalimin e lëvizjeve të reja të njëanshme të drejtuara nga Albin Kurti për dëbimin e serbëve nga Kosova”, tha Lista Serbe përmes një njoftimi për media.

Kjo parti, që gëzon mbështetjen e Beogradit, tha se ka kërkuar prani më të madhe të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në pjesën veriore të shtetit.

QUINT – Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia dhe Gjermania – sipas Listës Serbe, kanë përsëritur qëndrimin se nuk mbështesin veprimet e ndjeshme të autoriteteve të Kosovës, pasi ato mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të Kosovës.

Paraprakisht, KFOR-i njoftoi se zëvendëskomandanti i këtij misioni, Federico Bernacca, është takuar me përfaëqsues të një delegacion të Listës Serbe, me të cilët ka biseduar për zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë.

Sipas një njoftimi për media, takimi u mbaj në selinë e KFOR-it në Prishtinë dhe në krye të delegacionit të Listës Serbe, ishte kryetari i kësaj partie, Zllatan Ellek.

“Ata [Lista Serbe] ndaj qëndrimet e tyre për zhvillimet e fundit të sigurisë, përfshirë në veri të Kosovës. Gjenerali Bernacca i dëgjoi shqetësimet e shprehura nga delegacioni. Ai theksoi se KFOR-i ka një prani të dukshme dhe fleksibile në mbarë Kosovën dhe është i përgatitur mirë ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë”, u tha në njoftimin e KFOR-it.

Zëvendëskomandanti i KFOR-it, sipas njoftimit, tha se ky mision është i përkushtuar që të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin për të gjithë personat që jetojnë në Kosovë, sipas mandatit që derivon nga Kombet e Bashkuara.

“Në këtë drejtim, KFOR vazhdon të mbështesë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit që lehtësohet nga BE-ja”, u tha në njoftim.

Lista Serbe tha se aksioni i djeshëm i autoriteteve të Kosovës, ka "kërcënuar drejtpërdrejt punën e mijëra serbëve" dhe ofrimin e shërbimit për mijëra serbë në Kosovë.

Nga Qeveria e Kosovës kanë deklaruar se institucionet e mbyllura paralele serbe kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë, duke e "cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Aksioni i kryer nga Policia e Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, që e kanë cilësuar si veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar.

Ambasada amerikane në Prishtinë tha se veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të Kosovës pasqyrojnë përkeqësimin e partneritetit mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

KFOR-i, që është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), më herët gjatë të shtunës rriti praninë mbi urën kryesore në Mitrovicë.

Nga KFOR-i thanë se kjo ishte një “operacion rutinor”, dhe më pas prania mbi urë u reduktua.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG