Ndërlidhjet

Këshilli i Mandateve e çon në Kuvend për votim heqjen e imunitetit për Sali Berishën


Përkrahësit e Partisë Demokratike të Shqipërisë në opozitë protestojnë pranë ndërtesës së Kuvendit në Tiranë, teksa Këshilli i Mandateve voton për ta miratuar kërkesën e heqjes së imunitetit parlamentar për ish-kryeministrin Sali Bershia, 18 dhjetor 2023.
Përkrahësit e Partisë Demokratike të Shqipërisë në opozitë protestojnë pranë ndërtesës së Kuvendit në Tiranë, teksa Këshilli i Mandateve voton për ta miratuar kërkesën e heqjes së imunitetit parlamentar për ish-kryeministrin Sali Bershia, 18 dhjetor 2023.

Këshilli i Mandateve i Kuvendit të Shqipërisë votoi të hënën në favor të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK), për t’ia hequr imunitetin e deputetit ish-kryeministrit Sali Berisha.

Prokurorët u kërkuan ligjvënësve javën e kaluar t’ia heqin Berishës imunitetin parlamentar, sepse ai nuk i ishte përmbajtur urdhrit për të raportuar në SPAK çdo dy javë dhe për të mos u larguar nga vendi, derisa po hetohej nën dyshimet për korrupsion.

Në një mbledhje që zgjati më sumë se katër orë, derisa jashtë ndërtesës së Kuvendit ishin mbledhur protestues nga opozita që e kundërshtonin një gjë të tillë, gjashtë anëtarë të Këshillit, përfshirë një nga opozita, votuan për ta çuar në votim parlamentar imunitetin e Berishës të enjten.

Kuvendi pritet të votojë të enjten për t’ua mundësuar prokurorëve ta vendosin Berishën në arrest shtëpiak.

Në mbledhjen e së hënës, Berisha u përfaqësua nga avokatët e tij, pasi tha se nuk mund të pranonte “poshtërim publik të tillë të institucionit më të rëndësishëm të vendit”, por iu bashkua protestës që e thirri vetë para Kuvendit.

Berisha tha se protesta nuk lidhet me kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e tij, por “me faktin se shumica ia ka mohuar opozitës të drejtën e saj për formimin e disa komisioneve hetimore”.

Oficerët e Policisë së Shqipërisë duke e ruajtur hyrjen e ndërtesës së Kuvendit shqiptar gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve ku po votohej për heqjen e imunitetit parlamentar për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Oficerët e Policisë së Shqipërisë duke e ruajtur hyrjen e ndërtesës së Kuvendit shqiptar gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve ku po votohej për heqjen e imunitetit parlamentar për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Protesta u zhvillua e qetë, ndërsa për mbarëvajtjen e saj ishin angazhuar qindra forca policie, që rrethuan ndërtesën ku po zhvillohej mbledhja e Këshillit të Mandateve.

Berisha u bëri thirrje protestuesve të dalin para Kuvendit edhe të enjten kur do të votohet për heqjen e imunitetit për të.

Partia Socialiste i ka 74 ulëse nga gjithsej 140 në Kuvendin e Shqipërisë, mjaftueshëm për ta kaluar ligjin pa ndihmën e partive të tjera.

Në tetor, SPAK-u njoftoi se Berisha akuzohet për korrupsion në një rast bashkë me dhëndrin e vet, Jamarbër Malltezi, për privatizimin e paligjshëm të kompleksit sportiv Partizani.

Kompleksi sportiv “Partizani”, me një sipërfaqe prej 26 mijë metrash katrorë, u privatizua në vitin 2008 dhe deri në atë kohë ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes.

Berisha i ka mohuar akuzat.

Ai sulmoi prokurorët e SPAK-ut të hënën, duke i cilësuar “mercenarë” të kryeministrit Edi Rama.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG