Ndërlidhjet

Këshilli i Sigurimit pritet të votojë për rezolutën për armëpushim në Gazë


Një mbledhje e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Një mbledhje e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Shtetet e Bashkuara, që vazhdimisht kanë bllokuar thirrjet për armëpushim në Gazë, do të dorëzojnë të premten një draft-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara i cili bën thirrje për “një armëpushim të menjëhershëm”, përderisa Rusia po shtyn përpara kërkesa edhe më eksplicite për paqe.

Që nga nisja e luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – më 7 tetor, SHBA-ja vazhdimisht ka përdorur veton në Këshillin e Sigurimit për të bllokuar rezolutat e propozuara që bënin thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në enklavën palestineze.

Pas vetos së fundit të vendosur nga Uashingtoni në fund të shkurtit, zyrtarët amerikanë kanë negociuar për një tekst alternativ të një drafti, duke u përqendruar në mbështetjen e përpjekjeve diplomatike që po zhvillohen për arritjen e një armëpushimi gjashtëjavor në këmbim të lirimit të pengjeve.

Në versionin e fundit, të cilin e ka parë AFP-ja, theksohet “nevoja për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm për të mbrojtur civilët në të gjitha palët, lejimi i dërgimit të ndihmës thelbësore humanitare dhe lehtësimi i vuajtjes”.

Në tekst po ashtu bëhet thirrje për mbështetjen “e përpjekjeve diplomatike për të arritur një armëpushim në lidhje me lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura”.

Të mërkurën, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se rezoluta e fundit dërgon “një sinjal të fuqishëm”.

Rezoluta “bën thirrje për një armëpushim të lidhur me lirimin e të gjitha pengjeve dhe ne shpresojmë shumë që shtetet do ta mbështesin atë”, tha Blinken gjatë vizitës në Arabinë Saudite.

Megjithatë, në tekstin e rezolutës në mënyrë eksplicite nuk përdoret termin “bëjmë thirrje”, por aty thuhet se një armëpushim është imperativ, dhe sipas Rusisë, ky është një formulim i dobët.

“Ne nuk jemi të kënaqur me asgjë që nuk bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm”, tha zëvendësambasadori rus në OKB, Dmitry Polyanskiy.

Sipas burimeve diplomatike të AFP-së, SHBA-ja ka vota të mjaftueshme për të kaluar draft-rezolutën (të paktën nëntë vota nga 15 anëtarë të Këshillit), por ekziston mundësia që Rusia të vendosë veto.

Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se është “optimiste” se rezoluta do të miratohet.

Përveç armëpushimit, në tekst po ashtu “hidhet poshtë çdo përpjekje për ndryshime demografike apo territoriale në Gazë” dhe po ashtu dënohen “të gjitha aktet e terrorizmit, përfshirë sulmet e Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit”.

Nëse miratohet, kjo do të ishte hera e parë që Këshilli i Sigurimit në mënyrë specifike do të dënonte sulmet e Hamasit, gjatë të cilave u vranë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë.

Në kundërpërgjigje të sulmeve të Hamasit, Izraeli po kryen një ofensivë tokësore dhe ajrore në Gazë, ku janë vrarë pothuajse 32.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor të udhëhequr nga Hamasi.

Dy rezoltua humanitare që janë miratuar në Këshillin e Sigurimit, por edhe ato në Asamblenë e Përgjithshme, nuk kanë përmendur Hamasin, gjë që është kritikuar nga Izraeli.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG