Ndërlidhjet

Kërkohet lirimi i policit që shpëtoi Ziadin Selën


Ngjarjet e dhunshme në Kuvend, Shkup 27 prill 2018.
Ngjarjet e dhunshme në Kuvend, Shkup 27 prill 2018.

Abdylfetah Alimi është një nga të dënuarit me burg për ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, më 27 prill 2018.

Ai me profesion ka qenë punonjës policie në Kuvend dhe shqiptari i vetëm i dënuar si pjesë e grupit që kishte në shënjestër deputetët e opozitës për shkak të zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit.

Por, dënimi i tij me 7 vjet burgim, ka nxitur reagime të shumta nga familjarët, sektori civil dhe opozita shqiptare, të cilët dënimin e konsiderojnë të padrejtë dhe të montuar politikisht.

Abdylfetah Alimi, njihet në opinion si njeriu që shpëtoi nga vdekja Ziadin Selën, deputetin e Aleancës për Shqiptarët, i cili ishte lënë për të vdekur nga protestuesit e dhunshëm mbështetës të VMRO-së së ish-kryeministrit Nikolla Gruevksit, tashmë i arratisur.

Më i zëshëm në reagime ka qenë kreu i Aleancës, i cili e ka quajtur vendimin të turpshëm, pasi sipas tij, është dënuar ai që i ka shpëtuar jetën, ndërsa janë amnistuar ata që kanë orkestruar pushtimin e Kuvendit.

“Ky është turp, kjo është vrasje shprese, kjo është goditje mbi shpresën e qytetarëve për të pasur shoqëri të pastër, pa kriminelë”, ka deklaruar deputeti Sela.

*Video nga arkivi: Dhuna në Kuvendin e Maqedonisë, 27 prill, 2017

Shkup: Deputetët përgjaken nga protestuesit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:00 0:00

Por, gjykatësja e rastit, Dobrila Kacarcka, ka deklaruar për mediat se Alimi ka bërë vepër penale sipas saj, pasi nuk e ka kryer detyrën në momentin kur protestuesit kishin sulmuar deputetët në Kuvend.

“Nuk duhet të harrojmë, se i akuzuari është nëpunës policie, i cili nga kamerat e sigurisë shihet qartë me çelësa në duar te dyert e Kuvendit. Ne atë e shohim edhe përpara sallës së medias të Kuvendit. Atje ku u rrahën deputetët, gazetarët dhe nëpunësit e policisë. I njëjti nuk ndërmori asgjë. Në këtë rast ai bëri vepër penale dhe Zijadin Sela është shpëtuar pas kryerjes së veprës penale”, ka deklaruar Kacarska.

Gjykimi i Alimit nga familjarët e tij është cilësuar si i montuar, ndërsa kanë bërë thirrje për ngritjen e zërit të protestës.

“Babi im është viktimë e një rasti të montuar politik. Babai im më 27 prill ishte në krye të detyrës duke mbrojtur deputetët e Kuvendit. T'u themi stop rasteve të montuara politike. Ne nuk do të ndalemi, drejtësinë do ta kërkojmë deri në Strasburg”, ka deklaruar Burim Alimi, djali i Abdylfetahit të dënuar.

Nga Shoqata e të dënuarve politikë shqiptarë thonë se “nuk është vetëm Alimi viktimë e proceseve të montuara, por edhe shumë shqiptarë të tjerë”.

“Nuk janë të shkelura vetëm të drejtat e tij, por ka me mijëra shkelje. Në burgje kemi më shumë se 20 shqiptarë të dënuar me burgim të përjetshëm. Njerëzit po kalben nëpër burgje edhe pse duhej të liroheshin nga burgjet për shkak të shkeljes së procedurave. Janë shkelur me dhjetëra ligje vendore dhe ndërkombëtare, kemi rastin me grupin e Kumanovës, i cili tani katër vjet po mbahet në burgun hetues dhe ata tani duhej të ishin në liri, për shkak të shkeljes së procedurave gjyqësore", thotë Shpëtim Pollozhani

Për ngjarjet e dhunshme në Kuvend javën e kaluar janë dënuar me 211 vjet burgim gjithsej 16 persona. Dënimin më të lartë prej 18 vjetësh e mori Mitko Çavkovi, ish-ministër i Punëve të Brendshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG