Ndërlidhjet

“Keqadministrim i metadonit”: Faji hidhet nga një institucion në tjetrin


Një dozë me ilaçin metadon. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Një dozë me ilaçin metadon. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Metadoni - medikament që u jepet personave të varur nga substancat narkotike - “nuk administrohet siç duhet” në disa institucione publike shëndetësore në Kosovë.

Sipas Inspektoratit Farmaceutik të vendit, bëhet fjalë për mospërputhje midis sasisë së pranuar dhe sasisë së harxhuar.

Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, ky inspektorat tha se ka formuar një komision për shqyrtimin e parregullsive.

“Institucionet gjegjëse kanë ofruar disa dëshmi që komisioni do t’i vlerësojë”, tha Inspektorati Farmaceutik, por nuk specifikoi se sa është sasia e metadonit që, sipas tij, është gjetur se mungon.

Çka është metadoni?

Metadoni përdoret kryesisht për detoksifikimin dhe mirëmbajtjen e pacientëve të varur nga drogat - veçanërisht heroina - dhe trajtimin e pacientëve me dhimbje kronike dhe të forta.

Sipas Shërbimit Kombëtar Shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar, ai jepet vetëm me udhëzim të mjekut.

Dozat ndryshojnë nga personi në person.

Trajtimi me metadon është kryesisht afatgjatë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka metadonin në listën e barnave esenciale.

Sipas Inspektoratit Farmaceutik, i cili vepron nën Ministrinë e Shëndetësisë, parregullsitë me metadon janë konstatuar së paku në Klinikën e Psikiatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës - tek e cila institucionet shëndetësore duhet të pajisen me licenca për furnizim me barna - nuk iu përgjigj një sërë pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me këtë temë.

Institucionet e veçuara nga Inspektorati Farmaceutik ankohen se Ministria e Shëndetësisë nuk i ka pajisur me licenca të veçanta për të operuar me metadon - ashtu siç e kërkon ligji - dhe nuk pranojnë se ka keqpërdorime.

Çfarë thonë institucionet e përmendura?

Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Faton Kutllovci, thotë se inspektorët farmaceutikë, nga kontrollet e bëra në dhjetor të vitit 2023, kanë gjetur se në këtë klinikë mungojnë 28 shishe metadoni 100-mililitërshe nga sasia e përgjithshme e pranuar në fillim të atij viti.

Ruajtja e metadonit në një frigorifer të vogël medicinal në Klinikën e Psikiatrisë.
Ruajtja e metadonit në një frigorifer të vogël medicinal në Klinikën e Psikiatrisë.

Kutllovci, megjithatë, thotë se nuk bëhet fjalë për ndonjë keqpërdorim.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai shpjegon se ka pasur raste kur pacientëve që marrin terapi të rregullt me metadon, u janë dashur doza shtesë dhe kjo, sipas tij, është një ndër arsyet e mundshme përse mungojnë disa shishe.

Kutllovci përmend “dy-tri raste” të pacientëve më agresivë, të cilët, siç thotë, në momentet e tyre të krizave, e kanë kërcënuar personelin për dhënie të terapisë.

“Ka pasur presion kryesisht gjatë vikendeve, por edhe ditëve të tjera nga ana e këtyre personave... Ka pasur raste kur e kemi thirrur policinë, policia i ka marrë dhe ata janë kthyer prapë te ne pas 2-3 orësh”, thotë Kutllovci.

Aktualisht, në Klinikën e Psikiatrisë janë rreth 20 persona që trajtohen me metadon.

Kutllovci thotë se në repartin e klinikës ku shpërndahet terapia, veç regjistrit të zakonshëm, ka edhe një fletore me të dhëna që përdoret në fundjava, kur regjistri zyrtar është, sipas tij, në zyrën e shefit të repartit.

Ai thotë se Inspektorati Farmaceutik i ka marrë shënimet pa fletoren alternative për terapinë dhe, për këtë arsye, atij i janë dërguar tashmë “disa vërejtje dhe dokumente shtesë”.

Si shpërndahet metadoni në Kosovë?

Me Ligjin për barnat narkotike, institucionet shëndetësore, publike dhe private, duhet të pajisen me licencë nga Ministria e Shëndetësisë - nëpërmjet Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale (AKPM) - për operimin me barna narkotike dhe substanca psikotrope.

Kjo nënkupton që personeli që shpërndan metadon, duhet të jetë i pajisur me licencë të veçantë për këtë qëllim.

Në vitin 2017, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka përditësuar edhe disa udhëzime të mëparshme administrative për shpërndarjen e metadonit.

Në Kosovë, medikamenti ka nisur të shpërndahet në institucione shëndetësore që nga viti 2012.

Kutllovci pranon se në klinikën që udhëheq ai, punonjësi shëndetësor që shpërndan terapinë me metadon, nuk ka licencë të veçantë.

Ngjashëm pohon edhe psikiatri Ramadan Halimi nga Reparti i Psikiatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.

Halimi, po ashtu, e kundërshton mënyrën se si Inspektorati Farmaceutik ka ardhur deri te konstatimi për keqadministrim të metadonit.

Thotë se në klinikën ku shërben ai, është konstatuar mungesa e 34 shisheve metadon.

Por, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se gjatë shpërndarjes, metadoni nxirret me shiringë nga shishja dhe, qoftë në shiringë, qoftë në shishe, mbetet ose tretet shpesh sasi e caktuar.

Në këto kushte shpërndahet metadoni në ndërtesën e morgut të Spitalit të Gjilanit.
Në këto kushte shpërndahet metadoni në ndërtesën e morgut të Spitalit të Gjilanit.

Këtu, sipas tij, qëndron edhe problemi - sasia që mungon, humb gjatë shpërndarjes së ilaçit.

“Ky, në fakt, nuk është abuzim, keqpërdorim, nuk është mungesë”, thotë Halimi.

Në Spitalin e Gjilanit, aktualisht, janë duke u trajtuar rreth 50 pacientë me metadon.

“Jemi duke improvizuar”

Halimi shton se ky spital ka kërkuar nga Inspektorati Farmaceutik që ta bëjë edhe një herë shqyrtimin e regjistrave të shpërndarjes së metadonit dhe mënyrës se si është bërë inspektimi.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë që stafi të bëjë keqpërdorime, sepse unë dhe ata e dimë që metadoni është substancë narkotike dhe çfarëdo manipulimi me të, nënkupton tërheqjen e përgjegjësive penale”, thotë Halimi.

Sipas tij, nga viti 2012, kur ka nisur të shpërndahet metadoni, “nuk ka pasur asnjë interesim” për nivelin e arritjes së objektivave të kësaj terapie.

E vetmja gjë që është kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë, thotë ai, janë raportet për shpenzimet mujore.

Halimi thotë se mënyra se si e administron Spitali i Gjilanit këtë terapi, nuk është në përputhje me ligjin, marrë parasysh faktin se nuk ka person të licencuar për shpërndarje.

“Ne jemi duke improvizuar. Jemi duke pretenduar se jemi duke i ofruar shërbim një kategorie, e cila realisht ka nevojë, por për të cilën ne nuk kemi kompetencë ligjore ta bëjmë”, thotë Halimi.

Tash e dy javë, ai vetë merr pjesë në trajtimin e pacientëve me metadon, pasi kolegu i mëparshëm ka dhënë dorëheqje.

Ai thotë se për kryerjen e kësaj pune, ka kërkuar mbrojtje ligjore nga Prokuroria e Shtetit, pasi, siç thotë, udhëzimi administrativ me të cilin vepron, nuk ka as bazë ligjore, sepse nuk i referohet ndonjë ligji që e përshkruan dhënien e metadonit.

“Udhëzimi nuk ka bazë ligjore, por Ministria [e Shëndetësisë] e ka nxjerrë si nevojë për ta improvizuar këtë program - kinse po e ofrojmë. Nuk duhet të improvizohet, por sigurisht se është pjesë e një programi më të gjerë, në të cilin janë të kyçur shumë njerëz, marrin paga e mëditje dhe vazhdojnë kështu”, thotë Halimi.

REL-i bisedoi me të në mes të marsit dhe, atëkohë, ka qenë në pritje të përgjigjes nga organet e drejtësisë.

REL-i e pyeti Ministrinë e Shëndetësisë për këto pretendime, por nuk mori përgjigje.

Rreth dy javë, REL-i priti përgjigje edhe në pyetje të tjera, që lidhen me përdorimin e metadonit në Kosovë, bazën e tij ligjore, licencat dhe efektet që ka pasur programi, por Ministria e Shëndetësisë nuk i ktheu.

Ilaçi metadon.
Ilaçi metadon.

Këtë medikament e përdor edhe Qendra për Këshillim dhe Trajtim të Varësisë “Labirint” në Kosovë, ku aktualisht janë duke u trajtuar rreth 130 persona.

Drejtori Safet Blakaj, njëherësh defektolog, pranon se programi i trajtimit me metadon nuk e ka bazën e duhur ligjore.

Edhe në këtë qendër, thotë ai, nuk ka një punonjës të licencuar për shpërndarje të metadonit.

“Udhëzimi është bërë... si ta them... janë përcjellë kriteret e normave ndërkombëtare dhe mbështetet në Ligjin për barna narkotike në Kosovë... e, ka probleme të rënda që neve na kanë penguar shumë”, thotë Blakaj pa specifikuar më shumë.

Sipas të dhënave të Qendrës “Labirint”, në Kosovë, vitin e kaluar, kanë vdekur rreth shtatë persona nga përdorimi i drogës, ndërkohë që, sipas udhëheqësit të Psikiatrisë, “numri i përdoruesve me mosha gjithnjë e më të reja, është në rritje”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG