Ukraina dhe Rusia kanë kryer këmbim të madh të burgosurish, të hënën, ndërkaq komandanti i forcave të armatosura të Ukrainës në lindje të vendit, ka akuzuar Rusinë për përdorimin e taktikave të “tokës së djegur” në zonë, duke e kthyer qytetin e Avdiyivka në “rrënojë totale”.
Të dyja palët raportuan për këmbimin e të burgosurve, duke deklaruar se 106 rusë dhe 100 ukrainas janë liruar.
Këmbimi i fundit i të burgosurve mes Kievit dhe Moskës u bë më 7 mars, kur Ukraina ktheu 130 ushtarë të saj dhe Rusia 90.
Andriy Yermak, këshilltari i lartë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, tha se në mesin e ukrainasve të liruar ishin mbrojtësit e Mariupolit, si dhe fabrikës së hekurit hekurit në Azovstal, që ishte skenë e rrethimit të gjatë, i cili përfundoi në maj 2022 dhe e la Mariupolin në gërmadha.
“Disa njerëz janë të plagosur rëndë dhe të sëmurë”, tha Yermak për Telegramin.
“Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për t’i dhënë secilit prej tyre ndihmën që i nevojitet”, shtoi ai.
Gjenerali ukrainas Oleksandr Sirsky akuzoi të hënën Rusinë se po përdor të njëjtat taktika të “tokës së djegur” që ka përdorur në operacionet ushtarake në mbështetje të qeverisë siriane kundër rebelëve në veriperëndim të vendit.
“Ndërtesat dhe pozicionet janë shkatërruar nga sulmet ajrore dhe artileria. Situata është e vështirë, por mund të kontrollohet”, tha ai.
Ai theksoi se trupat ukrainase i rezistuan “heroikisht” ofensivës ruse në Bakhmut, duke thënë se ia arritën që t’i rraskapitin njësitë e ushtrisë mercenare ruse Wagner.
Udhëheqësi i rajonit ukrainas të Donetskut, i cili u emërua nga Moska, Denis Pushilin, publikoi të hënën një video, në të cilën pretendohet se po viziton Bakhmutin.
Në video, Pushilin flet me ushtarët e Ëagner-it dhe pretendon se forcat ruse kontrollojnë më shumë se 75 për qind të qytetit.
Autenticiteti i videos nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
“Mund të them me siguri absolute se më shumë se 75 për qind e qytetit është nën kontrollin e njësive tona”, i tha Pushilin për kanalit televiziv shtetëror Rossia-24, pas vizitës së tij, megjithëse ai paralajmëroi se ishte shumë herët për të folur për rënien e Bakhmutit.
Ushtria ukrainase raportoi sulme ruse në të gjithë frontin.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës deklaroi se 58 sulme armike u zmbrapsën në 24 orët e fundit, duke theksuar se Rusia është ende e fokusuar në qytetet Liman, Bakhmut, Avdiyivka dhe Marinka, në rajonin e Donetskut.
Guvernatori rajonal i Donetskut, Pavlo Kirilenko tha se rreth 1.800 njerëz mbetën në Avdiyivka dhe se të gjithë rrezikojnë jetët e tyre çdo ditë.
“Rusët e kanë kthyer Avdiyivka në një gërmadhë të plotë”, tha Kirilenko, të hënën, pasi një sulm ajror shkatërroi një ndërtesë shumëkatëshe.
Ushtria e Ukrainës njoftoi se shkatërroi një helikopter rus Mi-24 pranë Advievkas.
Komandanti i brigadës përgjegjëse për rrëzimin e helikopterit, deklaroi se sulmet në drejtim të Advijevka po vazhdojnë, por se rusët po pësojnë “humbje të mëdha në njerëz dhe me pajisje të shkatërruara”.