Katari tha se armëpushimi në luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – do të nisë orën 7 të mëngjesit të së premtes.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, në një konferencë për media në Doha, tha se ndihma për në Rripin e Gazës “do të nisë të dërgohet sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Armëpushimi është pritur që të nisë pasi u arrit marrëveshja të mërkurën, por palët ende po zgjidhin disa detaje të fundit.
Marrëveshja, që u arrit me ndërmjetësimin e Katarit, parasheh lirimin e 50 pengjeve – gra dhe fëmijë – që u zunë rob nga Hamasi gjatë sulmeve të 7 tetorit në jug të Izraelit.
Në këmbim, Izraeli do të lirojë rreth 150 palestinezë të burgosur.
Al-Ansari tha se grupi i parë i civilëve të marrë peng do të lirohet rreth orës 16:00. Sipas tij, do të lirohen 13 gra dhe fëmijë.
Hamasi ka marrë afër 240 pengje gjatë sulmeve të 7 tetorit që nxitën luftën në Rripin e Gazës.
Si pasojë e dhunës, 1.200 persona janë vrarë në Izrael dhe mbi 13.000 në Rripin e Gazës. Ky territor palestinez, i banuar me 2.3 milionë persona, është rrethuar nga Izraeli dhe ka qenë cak i sulmeve të pandërprera ajrore dhe tokësore.
Marrëveshja e armëpushimit parasheh edhe lejimin që më shumë ndihmë të arrijë për palestinezët në Gazë.