Ndërlidhjet

Izraeli thotë se lirimi i pengjeve në Gazë nuk do të fillojë para së premtes


Një burrë duke kaluar pranë fotografive të pengjeve, kryesisht civilë izraelitë që u rrëmbyen gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor. Izrael, 22 nëntor 2023.
Një burrë duke kaluar pranë fotografive të pengjeve, kryesisht civilë izraelitë që u rrëmbyen gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor. Izrael, 22 nëntor 2023.

Lirimi i pengjeve bazuar në një armëpushim të përkohshëm midis Izraelit dhe Hamasit - grupit palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian - nuk do të bëhet para së premtes, bënë të ditur Izraeli dhe SHBA-ja.

Izraeli dhe grupi radikal Hamas ranë dakord herët të mërkurën për një armëpushim në Gaza për të paktën katër ditë, për të lejuar hyrjen e ndihmave si dhe lirimin e së paku 50 pengjeve të mbajtura nga luftëtarët e Hamasit, në këmbim të rreth 150 palestinezëve të burgosur në Izrael.

Koha e fillimit të armëpushimit dhe lirimit të pengjeve të kapura nga grupi ekstremist palestinez gjatë sulmit të tij më 7 tetor ndaj Izraelit, ende nuk është shpallur zyrtarisht.

Një burim egjiptian i sigurisë tha se ndërmjetësit kishin kërkuar që kjo të fillonte të enjten në një orar prej orës 10:00.

"Negociatat për lirimin e pengjeve tona po vazhdojnë dhe po avancojnë", tha këshilltari izraelit për siguri kombëtare, Tzachi Hanegbi, në një deklaratë të lëshuar nga zyra e kryeministrit.

“Fillimi i lëshimit do të bëhet sipas marrëveshjes origjinale mes palëve, dhe jo para së premtes”, thuhet në njoftim.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson, tha se janë duke u përpunuar detajet përfundimtare logjistike për lirimin e pengjeve. "Kjo është në rrugën e duhur dhe ne shpresojmë që të premten në mëngjes të fillojë zbatimi", tha Watson.

Transmetuesi publik izraelit, Kan, duke cituar një zyrtar të Izraelit, të paidentifikuar, raportoi se kishte një vonesë 24-orëshe, sepse marrëveshja nuk ishte nënshkruar nga grupi ekstremist palestinez Hamas dhe ndërmjetësi, Katari. Ai tha se ishin optimistë se marrëveshja do të realizohej pas nënshkrimit.

"Askush nuk tha se do të kishte një lirim nesër, përveç mediave... Ne duhej ta bënim të qartë se asnjë lirim nuk është planifikuar para ditës së premte, për shkak të pasigurisë me të cilën po përballen familjet e pengjeve", citoi Kan zyrën e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Duke cituar zyrtarë anonimë, mediat izraelite raportuan se pauza në luftimet me Hamasin gjithashtu nuk do të fillonte para së premtes. Faqja e lajmeve Ynet raportoi se Izraeli nuk kishte marrë ende emrat e pengjeve të planifikuar për lirim nga grupi radikal palestinez.

Që nga sulmi i Hamasit në jug të Izraelit, që befasoi qeverinë dhe tronditi izraelitët, pesë pengje janë gjetur të gjalla. Izraeli thotë se u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe rreth 240 të tjerë janë marrë peng nga persona islamikë të armatosur.

Si hakmarrje, Izraeli e ka bombarduar Gazën e sunduar nga grupit radikal palestinez. Më shumë se 14.000 njerëz janë vrarë në Gazë, rreth 40 për qind e tyre janë fëmijë, sipas zyrtarëve mjekësorë në këtë territor.

Mediat palestineze raportuan se avionët dhe artileria izraelite goditën qytetin jugor të Gazës, Han Junis, në të paktën në dy valë sulmesh të enjten herët.

Në Izrael, sirenat që paralajmëronin për sulm me raketa nga Gaza u ndezën në komunitetet pranë kufirit me territorin të enjten herët, tha ushtria. Nuk pati raportime për dëme apo të lënduar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG