Ndërlidhjet

Karateistët e Kosovës në Serbi dhe droja nga pengesat


Karateistët e Kosovës përgatiten për sfidën e radhës në Serbi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:49 0:00

Karateistët e Kosovës

Që nga pranimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, në dhjetor të vitit 2014, sportistët dhe federatat e sporteve të Kosovës kanë qenë pjesë të barabarta në garat ndërkombëtare të organizuara nga federatat e sporteve përkatëse, qoftë evropiane apo botërore. Megjithatë, deri në pranimin e Kosovë në Komitetin Olimpik Ndërkombëtarë dhe në federatat e ndryshme ndërkombëtare të sporteve, Serbia kishte bërë pengesa të njëpasnjëshme që Kosova të mos bëhet pjesë e tyre.

Në rubrikën e përjavshme "Fokus" të Radios Evropa e Lirë, përfaqësues të sporteve të Kosovës, kanë shprehur drojën se përpjekjet e ngjashme nga shteti i Serbisë për të penguar sportistët e Kosovës për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare, po vazhdojnë edhe më tej, sidomos për garat ndërkombëtare që organizohen në Serbi, nën patronazhin e federatave ndërkombëtare të sporteve përkatëse.

Përfaqësuesja e Karatesë së Kosovës para garës në Serbi

Aktualisht, përfaqësuesja e Karatesë së Kosovës, është duke bërë përgatitjet e fundit për pjesëmarrje në Kampionatin Evropian të Karatesë, që do të mbahet nga 10 deri më 13 maj në Novi Sad, një qytet në Serbi. Përgatitjet teknike dhe taktike janë duke i zhvilluar në një ambient të përshtatshëm në Bogë, në lartësi mbidetare mbi 1 mijë e 400 metra.

Për anëtarët e përfaqësueses së Kosovës dhe për Federatën e Karatesë së Kosovës, kampionati që pritet të mbahet në Serbi, paraqet vetëm një garë të radhës dhe mundësi për marrjen eventuale të medaljeve, si dhe pikëve olimpike, të vlefshme për pjesëmarrje në olimpiadën e ardhshme.

Megjithatë, tek ata ekziston një ndjenjë e veçantë, pikërisht sepse garën do ta bëjnë në një vend, i cili nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Fortesa Orana, anëtare e përfaqësueses së Karatesë së Kosovës, në kategorinë deri në 68 kilogramë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se tashmë është e gatshme për garën e radhës, nga e cila synon një medalje.

“Është njëfarë ndjenje pak më ndryshe, për shkak se mbahet në Serbi. Por, ne jemi sportistë dhe ne, thjesht, garojmë për të fituar, për të pasur medalje evropiane. Kjo është e gjitha për një sportist. Thjesht, nuk i shikojmë këto detaje, se a mbahet në Serbia, apo diçka tjetër”, thotë Orana.

Përfaqësuesja e Karatesë së Kosovës
Përfaqësuesja e Karatesë së Kosovës

Pjesëtari tjetër i përfaqësueses së Kosovës në karate, Herolind Nishevci, i cili garon në kategorinë mbi 84 kilogramë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se sfida e radhës në Kampionatin Evropian të Karatesë që mbahet në Serbi, është vetëm një garë e radhës, por fakti se mbahet në një vend që nuk e ka njohur Kosovën, e bën këtë garë për të më të veçantë.

“Ky nuk është evropiani i parë për ne. Ne jemi sport që jemi pranuar më herët dhe kemi marrë pjesë edhe nëpër evropianët tjerë. Është pak më ndryshe, sepse dihet se mbahet në Serbi dhe është një emocion tjetër. Por, për ne është vetëm një sport dhe po shkojmë që të fitojmë dhe t’i sjellim medalje Kosovës, ta ngremë flamurin atje dhe të shkojë gjithçka mirë”, shprehet Nishevci.

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Karatesë së Kosovës, Isak Curri, thotë se në Kampionatin Evropian të Karatesë, Kosovën do ta përfaqësojnë 13 karateiste dhe karateistë, të përgatitur mjaft mirë. Raportet me kolegët nga Serbia, sipas tij, në takimet e mëhershme, kanë qenë mjaft korrekte.

“Për ne ka shumë pak rëndësi se ku shkojmë dhe ka shumë pak rëndësi se kush na njeh. E rëndësishme është që ne jemi sportistë dhe ne nuk duhet të varemi dhe të kemi pengesa për të vijuar aktivitetin tonë për të qenë pjesëmarrës në Kampionatin Evropian. Ne kemi pasur shumë duele dhe shumë takime me përfaqësues të shtetit serb dhe kemi pasur gjithmonë mirëkuptim dhe sjellje korrekte e sportive. Shpresoj që edhe kësaj radhe do të ketë kësi lloj respekti ndërmjet nesh dhe përfaqësueses së Serbisë”, thekson Curri.

A mund të përsëriten përvojat e këqija me Serbinë?

Por, pse ekziston droja dhe të panjohurat eventuale për përfaqësuesen e Karatesë së Kosovës, pavarësisht se nuk ka ndonjë sinjal nga Federata Evropiane e Karatesë dhe as nga Federata e Karatesë së Serbisë se mund të ketë çfarëdo problemi për pjesëmarrjen e saj në këtë garë?

Drojën e tillë e nxitë përvoja që përfaqësuesja e Juniorëve të Hendbollit të Kosovës, ka pasur me 23 mars të këtij viti, kur autoritetet shtetërore të Serbisë patën anuluar ndeshjen në hendboll ndërmjet ekipeve të vajzave juniore nga Serbia dhe Kosova, e vlefshme për kualifikimet për Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në Hungari. Anulimi i ndeshjes ishte arsyetuar me rrezikun potencial që policia të përleshej me qytetarët, të cilët, sipas autoriteteve serbe kanë kundërshtuar zhvillimin e kësaj ndeshjeje.

Por, për Eugen Saraçinin, kryetar i Federatës së Hendbollit të Kosovës, e gjithë ajo situatë ishte e kalkuluar dhe e manipuluar nga autoritetet serbe.

“Thjesht, është bërë një manipulim politik dhe kalkulim politik nga ana e Qeverisë së Serbisë. Ndërkaq, Federata e Hendbollit të Serbisë ishte vetëm një masë, e cila luajti në atë letër. Por, pas gjithë asaj që ndodhi, priten sanksione mjaft të ashpra ndaj Federatës së Hendbollit të Serbisë”, thotë Saraçin për Radion Evropa e Lirë.

Federata e Karatesë së Kosovës gjatë stërvitjeve.
Federata e Karatesë së Kosovës gjatë stërvitjeve.

Ai inkurajon përfaqësuesen e Karatesë së Kosovës që të shkojë në kampionatin që mbahet në Novi Sad dhe të tregojë që nuk e ka problem për të garuar.

Në anën tjetër, kryetari i Federatës së Karatesë të Kosovës, Ismet Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se për Kampionatin Evropian të Karatesë në Novi Sad, Serbia është vetëm organizator teknik, por ky kampionat udhëhiqet tërësisht nga Federata e Karatesë Evropiane, pjesë e së cilës federatë është edhe Kosova. Por, a pret ai probleme për karateistët nga Kosova në këtë garë?

“Është e mundur, por them se nuk duhet të paragjykojmë se mund të ndodhë diçka. Nuk kemi ndonjë telefonatë apo ndonjë kërkesë që ne mos të marrim pjesë. Ne jemi paraqitur me të gjithë garuesit ‘sportdata’ të Federatës Evropiane (të Karatesë). I kemi paraqitur edhe gjyqtarët dhe 5 prej tyre do të marrin pjesë në këtë kampionat, ku do ta ndajnë drejtësinë. Kështu që nuk pres ndonjë problem”, deklaron Krasniqi.

Por, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se duke u bazuar në përvojat jo të mira të Federatës së Hendbollit të Kosovës, gjatë garave që duhej të mbaheshin në Serbi, në muajin mars, Komitetit Olimpik i Kosovës i ka marrë me kohë të gjitha masat me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, që e njëjta përvojë të mos përsëritet edhe në Kampionatin Evropian të Karatesë.

“Sa i përket Federatës së Serbisë (të Karatesë) nuk ka vështirësi. Federata e Karatesë së Kosovës do të udhëtojë. Ne po shpresojmë që nuk do të ketë ndërhyrje dhe ne po shpresojmë që ka qenë leksion i mirë rasti i hendbollit dhe nuk do të duhej të kishim probleme. Sidoqoftë, Qeveria e Serbisë është e paparashikueshme. Por, edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i ka trajtuar rastet kur ka pasur interferime nga qeveritë e ndryshme, në mesin e tyre edhe për Qeverinë e Serbisë. U kanë thënë se ata do të bartin pasoja të ndryshme, duke mos u lejuar më kurrfarë organizimesh”, thekson Hasani.

Ai shton se deri më tash, në takimet që kanë pasur sportistët e të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë, në gara dhe disiplina të ndryshme sportive, asnjëherë nuk ka pasur probleme dhe se sjelljet e sportistëve kanë qenë mjaft korrekte. Raste, në të cilat politika ka ndërhyrë në sport, sipas tij, ka pasur edhe në vendet tjera dhe shembujt e tillë janë dënuar me masa të caktuara nga mekanizmat ndërkombëtarë të sporteve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG