Ndërlidhjet

Kastrati: Pa KFOR-in vështirë të kontrollohet veriu i Kosovës 


Pjesëtarët e KFOR-it para ndërtesës së komunës së Leposaviqit. 29 maj 2023.
Pjesëtarët e KFOR-it para ndërtesës së komunës së Leposaviqit. 29 maj 2023.

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës do ta ketë të pamundur të mbajnë nën kontroll situatën në pjesën veriore të vendit përmes mbajtjes së policisë atje.

Kastrati tha se Qeveria duhet që menjëherë të nisë bashkëpunimin me përfaqësuesit ndërkombëtarë, në mënyrë që të krijohet një strategji e qartë për shtensionim dhe vendosje të rendit dhe ligjit në veri.

E partnerët kryesorë për Qeverinë e Kosovës, sipas Kastratit, janë përfaqësuesit amerikanë dhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Duhet të ulen dhe ta studiojnë këtë situatë me KFOR-in sepse i vetmi institucion që mund ta mbajë situatën të qëndrueshme në atë pjesë është KFOR-i”, tha Kastrati.

Më 29 maj, serbët janë tubuar rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë, dhe për të kërkuar tërheqjen nga veriu të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Të hënën, KFOR bëri të ditur se ka shtuar prezencën në këto tri komuna, ku që nga 26 maji janë rritur tensionet.

Sa i përket shtimit të prezencës së KFOR-it në këto komuna në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, Kastrati tha se ky mision është në mbështetje të Policisë së Kosovës.

“KFOR-i nuk e thotë haptas, por është në mbështetje të Policisë së Kosovës për të ruajtur rendin dhe qetësinë, në mënyrë që ajo pjesë të mos bllokohet prapë, të mos vendosen barrikada dhe të mos ndodhë më e keqja, sepse atje ka serbë të armatosur, këtë e dimë të gjithë”, tha ai.

Kastrati tha se situata ka nevojë për shtensionim, meqë, sipas tij, qëllimi i Serbisë është destabilizimi i asaj pjese.

“Serbia është duke dashur që të ndajë veriun e Kosovës. Këtë e ka synim. Pra, synimi i saj është që të mos i lejojë institucionet e Kosovës në atë pjesë të funksionojnë. Kjo dihet”, tha Kastrati.

Duke komentuar veprimet e Policisë së Kosovës për të asistuar në futjen në objekte komunale të kryetarëve të rinj më 26 maj, gjenerallejtënant Kastrati tha se policia është treguar profesionale dhe se ka zbatuar detyrat e dhëna nga Qeveria.

Ai tha se “policia ka qenë gjakftohtë, e durueshme” dhe se edhe përkundër sulmeve me gurë, nuk ka vepruar në mënyrë të dhunshme, por shtoi se “deri kur do t’i durojë gjithë ato sjellje të disa kriminelëve serbë”, është një pikëpyetje e madhe.

Më 26 maj, pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë të cilët hodhën gurë në drejtim të tyre. Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe me gaz lotsjellës.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën më 23 prill, në procesin zgjedhor që u bojkotua nga Lista Serbe.

Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe. Por, ata u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG