Ndërlidhjet

Borrell bën thirrje për uljen e tensioneve


Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Përfaqësuesi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i bllokut evropian, Josep Borrell, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet, duke shtuar se dhuna në veri të Kosovës është “e papranueshme”.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian i bëri këto komente para një takimi të ministrave të Jashtëm të bllokut që po mbahet në Bruksel, teksa u kërkoi palëve që t’i kthehen dialogut.

“Ata duhet t’i kthehen dialogut. Ata duhet ta tejkalojnë këtë tendencë të konfliktit në rrugë, krijimin e bllokadave. Kjo nuk është mënyra se si kërkohet marrëveshja. Kjo nuk është mënyra se si zhvillohen bisedimet. Kjo nuk është mënyra se si kërkohet zgjidhja, se si kërkohet normalizimi i raporteve përmes procesit në të cilin ata janë angazhuar”, tha Borrell.

Ditëve të fundit, tensionet në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe janë rritur, me serbët që kanë ngritur barrikada dhe me Policinë e Kosovës që ka shtuar prezencën e saj në këtë pjesë të shtetit.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka qenë cak i disa sulmeve, teksa edhe misioni i BE-së në Kosovë për sundim të ligjit, EULEX, ka raportuar se është sulmuar me shok bombë në fshatin Rudarë të Zveçanit.

*Video: Bllokadat në veri të Kosovës

Serbët nisën ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës më 10 dhjetor, pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Kosova argumenton se ai qëndron pas sulmeve ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Por, Borrell tha se bllokimi i rrugëve, si kundërpërgjigje ndaj arrestimit të ish-policit serb, është i papranueshëm.

“Unë e di se të dyja palët janë të gatshme që të ulin tensionet dhe fuqishëm ftoj të dyja palët që ta bëjnë këtë. Por, në këtë rast, unë kam qenë në kontakt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa i dërguari i posaçëm [i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçak, ka qenë në kontakt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kjo prishje e rendit publik dhe kjo dhunë është e papranueshme”, tha ai.

Për shkak të rritjes së tensioneve, Policia e Kosovës ka mbyllur përkohësisht dy pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Po ashtu, autoritetet kanë shtyrë për në prill mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri, që ishin paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor.

Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Zveçani dhe Leposaviqi janë pa kryetarë që nga nëntori, pasi ata - që bashku me policët serbë dhe punëtorët e sistemit të drejtësisë në veri - dhanë dorëheqje për shkak të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG