Me të drejtë mund të thuhet se kishte një lloj shqetësimi në disa pjesë të Ballkanit Perëndimor dhe te fqinjët lindorë të Bashkimit Evropian, kur gjatë verës u njoftua emërimi i Josep Borrell si shef i politikës së Jashtme të BE-së.
A do të mundet që socialisti katalanas 72-vjeçar, t’i kundërvihet Rusisë? A është interesuar madje ai për vende si Ukraina me fokusin e tij që ka të ngjarë të jetë në fqinjësinë jugore të BE-së dhe Amerikën Latine? Si dhe, ndoshta më e rëndësishmja, çfarë do të bëjë ai për dialogun Kosovë-Serbi të sponsorizuar nga BE-ja, duke marrë parasysh se Spanja është ndër pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës?
Ai i hoqi menjëherë pothuajse të gjitha frikërat gjatë seancës tre orëshe të konfirmimit para Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, më 7 tetor.
Në fjalën e tij të hapjes ai tha se integriteti territorial i Ukrainës ishte me rëndësi strategjike për Bashkimin Evropian, duke shtuar se Ballkani Perëndimor dhe kufiri lindor i BE-së, janë përparësitë e tij kryesore, në drejtim të zgjidhjes së problemeve.
Ai më pas e dha një lajm të madh se udhëtimi i tij i parë, nëse konfirmohet si shef i politikës së Jashtme të bllokut, do të jetë në Kosovë. Ai në këtë mënyrë iu kundërvë thashethemeve se ai do të hiqte dorë nga përgjegjësia për dialogun Kosovë-Serbi.
*Video: Qëndrimi i Borrellit për Kosovën dhe dialogun me Serbinë
Borrell, më pas vazhdoi duke deklaruar se Kosova do të duhej të hiqte tarifën ndaj mallrave serbe dhe se Serbia duhej të angazhohej "në një dialog të plotë, të thellë dhe të sinqertë".
Borrell insistoi se ky dialog ka zgjatur "shumë gjatë", duke u zotuar se do të ketë një marrëveshje midis dy shteteve.
Ai pastaj foli edhe për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Spanjës, duke pretenduar se në fund të fundit, nuk ka rëndësi se çfarë do të ishte qëndrimi i Madridit, pasi Kosova nuk është shtet derisa Kina, India dhe Rusia nuk e njohin pavarësinë e saj.
Më vonë gjatë seancës dëgjimore, ai u përgjigj në pyetjen për migracionin në përgjithësi, duke thënë se “nuk më pëlqejnë kufijtë dhe gjëja e parë që duhet të bëjmë në Ballkan është hapja e kufijve".
Sa i përket Rusisë, dukej se Borell dëshironte të mbante një balancë mes vendeve të BE-së që duan më shumë angazhim me Moskën dhe të shteteve të tjera, veçanërisht atyre në pjesën lindore të bllokut, që dëshirojnë të mbajnë një linjë më të ashpër ndaj Rusisë.
Ai deklaroi me vendosmëri se sanksionet e BE-së – të vendosura që nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014 dhe lufta pasuese në Ukrainën lindore – do të mbeten për sa kohë që Rusia nuk do të ndryshojë politikën e saj.
Në të njëjtën kohë, ai vuri në dukje disa herë se sanksionet nuk mund të jenë politika e vetme e BE-së ndaj fqinjit të saj dhe se BE-ja nuk mund të injorojë një vend nga i cili importon gaz dhe me të cilin, në përgjithësi, ka marrëdhënie mjaft të mira tregtare.
Mirëpo, Borrell premtoi se "do të angazhohet, veçanërisht me Rusinë, në ato pika ku ekziston një perspektivë për të gjetur një bazë të dialogut".
Në këtë mënyrë, sa i përket Rusisë, ai vazhdoi të kënaqte gjatë seancës të dyja kampet e vendeve të BE-së.
Ai më tutje u tha eurodeputetëve se “duket, është më se e qartë – dhe këtë çdokush e di – se ka fushata dezinformuese që bëhen nga serverët me bazë në territorin rus”.
Kjo fjali, e cila për shumë njerëz që ndjekin këtë çështje është më se e njohur, nuk është dëgjuar asnjëherë më parë të jetë thënë zyrtarisht nga paraardhësja e tij Federica Mogherini (shefja në detyrë e politikës së Jashtme të BE-së).
Borrell më pas tha se BE-ja duhet të shpenzojë më shumë për t’iu kundërvënë dezinformimit.
Megjithatë, kur u pyet se çfarë dëshironte të bënte për të parandaluar që Rusia të përzihej edhe më shumë, ai shmangu një përplasje të hapur me Kremlinin dhe në vend të kësaj deklaroi me një gjuhë diplomatike se "mënyra më e mirë për të frenuar Rusinë është të ndihmoni Ukrainën, pasi ajo mbetet pika qendrore për sfidat strategjike që paraqet Rusia”.
Borrell me siguri do të jetë një shef më i hapur i politikës së Jashtme të BE-së. Megjithatë, ai do të përballet me të njëjtën dilemë si Federica Mogherini dhe paraardhësja e saj, Catherine Ashton - se ekzistojnë vërtetë pak gjëra të cilat ata mund të bëjnë, nëse nuk ka një zë unik midis të gjitha vendeve anëtare të BE-së.
Kjo do të thotë se secili ministër i Jashtëm i vendeve anëtare të BE-së, për shkak të vetos së tij, është në një pozitë më të fortë se kryediplomati i BE-së.
Borrell thjesht është në mëshirën e çdo kryeqyteti nga Lisbona deri në Helsinki.
Dhe duke marrë parasysh prioritetet e ndryshme që kanë vendet anëtare, ka të ngjarë që edhe në të ardhmen, Borrell të mos jetë emëruesi i përbashkët sa i përket mbizotërimit të politikës së jashtme të BE-së.