Ndërlidhjet

Vizita e ministrit izraelit në Malin e Tempullit mbledh Këshillin e Sigurimit


Ministri Ben-Gvir gjatë vizitës së tij në Malin e Tempullit.
Ministri Ben-Gvir gjatë vizitës së tij në Malin e Tempullit.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) caktoi një takim urgjent për të enjten me kërkesë të palestinezëve, të cilët po protestojnë ndaj një vizite të ministrit ultra-nacionalist izraelit Itamar Ben-Gvir në Malin e Tempullit, një vend i shenjtë në Jerusalem dhe skenë e shpeshtë konflikti.

Ambasadori palestinez në OKB, Riyad Mansour kërkoi gjithashtu ndalimin e provokimeve nga izraelitët dhe të respektohet status quo-ja historike në një vend që është i shenjtë si për myslimanët ashtu edhe për hebrenjtë.

Vizita e ministrit të ri izraelit të sigurisë kombëtare në faltore, të cilën hebrenjtë e quajnë Mali i Tempullit dhe myslimanët e quajnë Streha e Shenjtë (Haram al-Sharif), nxiti dënime të ashpra në të gjithë botën myslimane dhe qortim nga SHBA-ja. Gjithashtu, shkaktoi frikën nga shpërthimi i trazirave pasi organizatat ekstremiste palestineze kanë kërcënuar se do të përgjigjen.

Ambasadori palestinez në OKB, Riyad Mansour u tha gazetarëve të mërkurën se dënon jo vetëm vizitën e Ben-Gvir, por edhe "mjedisin më të gjerë të ekstremizmit" rreth qeverisë më ekstreme në historinë e Izraelit. Ai akuzoi Izraelin për agresion jo vetëm ndaj vendeve të shenjta myslimane, përfshirë xhaminë Al-Aksa, por edhe ndaj atyre të krishtera, përfshirë varrezat.

Mali i Tempullit, ku dikur ishin tempujt e lashtë hebrenj, është më i shenjti në judaizëm. Sot, aty ndodhet xhamia Al Aksa, e treta më e rëndësishme në Islam.

Izraeli pushtoi Jerusalemin Lindor, ku ndodhet faltorja, në luftën e vitit 1967. Hebrenjve u lejohet ta vizitojnë atë, por jo edhe të luten atje.

Ben-Gvir, i njohur për deklaratat nxitëse kundër palestinezëve dhe pakicës arabe të Izraelit, i frymëzuar nga një rabin racist, e cilësoi Malin e Tempullit si "”vendi më i rëndësishëm për popullin hebre” dhe dënoi atë që ai e quajti “diskriminim racist ndaj vizitave të hebrenjve” në faltore.

Ai paralajmëroi se vizitat do të vazhdojnë, ndërkaq ndaj kërcënimeve të Hamasit islamik, që ka pushtetin në Rripin e Gazës, ai u përgjigj se qeveria izraelite “nuk do t’i dorëzohet një organizate vrastare, një organizate të ndyrë terroriste”.

Një ditë para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ambasadori palestinez tha se palestinezët “nuk do të kënaqen me deklarata të bukura” dhe se ata duan që ato të zbatohen konkretisht, në mënyrë që të mos përsëritet ajo që ndodhi “në xhaminë Al-Aksa dhe Al-Haram Al- Sharif”. Ai tha se kërkon garanci për respektimin e status quo-së historike me veprime, jo vetëm me fjalë.

Përplasjet midis forcave izraelite të sigurisë dhe protestuesve palestinezë në vendin e shenjtë dhe rreth tij, u shndërruan në një luftë 11-ditore me Hamasin, në vitin 2021.

Një javë më parë, Benjamin Netanyahu u rikthye në pushtet dhe ai tani është kryeministër i Izraelit për të gjashtën herë, si dhe në krye të qeverisë më të djathtë në historinë e vendit. Qëllimet e qeverisë së re janë zgjerimi i vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor dhe aneksimi i atij territori të pushtuar.

Si përgjigje ndaj vizitës së Ben-Gvir, Netanyahu tha se Izraeli është i përkushtuar të “ruajë rreptësishtë status quo-në në vendin e shenjtë” dhe se pretendimet për ndryshim janë të pabaza.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG