Ndërlidhjet

Shefi i Mossadit lë të kuptohet se Izraeli qëndron prapa sulmeve në Iran


Shefi në largim i Mossadit, Yossi Cohen.
Shefi në largim i Mossadit, Yossi Cohen.

Shefi në largim i shërbimit të inteligjencës izraelite, Mossad, ka lënë të kuptohet për përfshirjen e mundshme të Izraelit në sulmet e fundit në ndërtesat bërthamore të Iranit dhe ndaj një shkencëtari iranian edhe pse nuk e tha decidivisht se Izraeli mbante përgjegjësi për këto veprime.

Deklarata e Yossi Cohen për televizionin izraelit Channel 12, përfshihet një deklaratë që sugjeronte se edhe shkencëtarët e tjerë iranianë që punojnë në aktivitetet bërthamore të Iranit mund të jenë cak i atentateve.

Paraqitja e shefit në largim të Mossadit përkon edhe me ditët e fundit në pushtet të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, pasi më 13 qershor është paraparë të mbahet seanca e mosbesimit ndaj qeverisë së tij dhe krijimit të një koalicioni të ri qeverisës.

Përshkrimet e detajuara të operacioneve të mundshme sekrete po ashtu vijnë në kohën kur Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore janë duke negociuar për një kthim të mundshëm në marrëveshjen botërore të vitit 2015, që Uashingtoni e braktisi tre vjet më parë.

Programi bërthamor i Iranit, që qeveritë perëndimore druajnë se ka për qëllim të rrisë kapacitetet për të ndërtuar armë bërthamore, dhe sanksionet e SHBA-së ndaj Teheranit, janë në qendër të këtyre përpjekjeve. Irani pretendon se ambiciet e tij bërthamore kanë për qëllim përdorimin civil.

Cohen ofroi disa detaje të uzinës bërthamore Nantanz të Iranit, ku pasurohet uraniumi dhe përshkroi edhe dëmin e shkaktuar nga të paktën dy shpërthimet e ndara që ndodhën gjatë vitit të fundit.

Edhe gazetarja Ilana Dayan po ashtu përshkroi ngjarjet që ndodhën, duke sugjeruar se Izraeli apo agjentët e tij kishin vendosur eksplozivë në korridoret e uzinës nëntokësore të Natanzit.

“Nuk duket ashtu siç ishte më parë”, tha Cohen, duke iu referuar “bodrumit” ku ishin të vendosura “centrifugat” në Natanz.

Cohen po ashtu foli edhe për vrasjen e shkencëtarit iranian, Mohsen Fakhrizadeh, që u vra në nëntorin e kaluar. Ky shkencëtar thuhej se ishte personi përgjegjës i programit bërthamor ushtarak të Iranit, që nisi dekada më parë, por që sipas inteligjencës amerikane dhe Kombeve të Bashkuara, Irani hoqi dorë nga programi më 2003.

“Nëse shkencëtari dëshiron ta ndryshojë karrierën dhe të mos na dëmtojnë me më, atëherë, po, ne u ofrojmë një rrugë për të mos i dëmtuar”, tha Cohen.

Intervistuesja Dayan tha se Cohen “personalisht ka nënshkruar për gjithë këtë fushatë”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG