Ndërlidhjet

Irani fajëson Izraelin për incidentin në objektin bërthamor


Një imazh satelitor tregon një pamje nga afër të objektit bërthamor Natanz në Iran, 29 qershor 2020.
Një imazh satelitor tregon një pamje nga afër të objektit bërthamor Natanz në Iran, 29 qershor 2020.

Uzina kryesore bërthamore e Iranit, Natanz pësoi një ndërprerje, një akt sabotimi të cilin dyshohet se e ka kryer Izraeli.

Uzina nëntokësore Natanz është projekti kyç i programit të pasurimit të uraniumit në Iran dhe monitorohet nga inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).

Kreu i Organizatës për Energji Atomike të Iranit(IAEO), Ali Akbar Salehi e quajti ndërprerjen në uzinë që ndodhi më 11 prill një akt të "terrorizmit bërthamor" dhe i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të reagojë kundër këtij kërcënimi.

Zyrtari iranian nuk përmendi se kush qëndron prapa sabotazhit të pretenduar ose çfarë e shkaktoi atë, por tha se Irani "rezervon të drejtën të ndërmarrë veprime kundër autorëve të krimit".

Ministria e Jashtme e Iranit tha të hënën se "natyrisht se Izraeli" qëndron prapa sulmit.

Incidenti ndodhi disa ditë pasi u zbuluan pajisjet e reja të pasurimit të uraniumit.

Të shtunën, presidenti i Iranit, Hassan Rouhani përuroi centrifugat e reja në Natanz, përmes një ceremonie që u transmetua drejtpërdrejt në televizion. Centrifugat janë pajisje të nevojshme për të prodhuar uranium të pasuruar, i cili mund të përdoret për të prodhuar karburant reaktori, si dhe armë bërthamore.

Radioja publike izraelite Kan citoi burime të inteligjencës të cilët thanë se agjencia e inteligjencës, Mossad kishte kryer një sulm kibernetik.

Izraeli nuk e ka komentuar incidentin drejtpërdrejt.

Gazeta amerikane, New York Times, duke cituar zyrtarë të inteligjencës amerikane dhe izraelite, raportoi se Izraeli ka pasur rol në atë që e përshkroi si një "shpërthim të madh" që shkatërroi një sistem të brendshëm të energjisë që furnizon centrifugat nëntokësore të cilat pasurojnë uranium.

Zyrtarët e inteligjencës kanë thënë se shkatërrimet në sistemin e uzinës, mund të ndalojnë pasurimin e uraniumit të Natanz, për të paktën nëntë muaj.

Incidenti i fundit ndodhi derisa kanë rinisur bisedimet për të ringjallur një marrëveshje bërthamore të vitit 2015 mes fuqive botërore dhe Iranit.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump e kishte tërhequr SHBA-në nga marrëveshja me arsyetimin se ajo ishte e negociuar keq dhe se i mundësonte Iranit të posedojë armë bërthamore.

Pas daljes nga marrëveshja të SHBA-së, Irani filloi të shkelte kushtet e saj.

Marrëveshjen e vitit 2015, e lejon Iranin të prodhojë dhe ruajë sasi të kufizuara uraniumi të pasuruar për t'u përdorur për të prodhuar karburant për termocentralet komerciale.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka shprehur një lloj gatishmërie që Shtetet e Bashkuara të rikthehen në marrëveshje, por Irani ka vënë kushte duke kërkuar që fillimisht SHBA-ja të heqë sanksionet e ashpra të vendosura nga ish-presidenti Trump.

Bisedimet për ringjalljen e marrëveshjes kanë nisur javën e kaluar në Vjenë të Austrisë mes Iranit dhe vendeve që kanë mbetur palë në pakt: Gjermanisë, Rusisë, Kinës, Francës dhe Britanisë së Madhe.

Një delegacion amerikan po qëndron afër vendit ku po mbahen bisedimet.

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 është kundërshtuar prej kohësh nga Izraeli.

"Ne nuk duhet t'i kthehemi marrëveshjes së rrezikshme bërthamore me Iranin, sepse një Iran bërthamor është një kërcënim ekzistencial për shtetin e Izraelit dhe një kërcënim i madh për sigurinë e të gjithë botës", ka thënë më herët, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Vitin e kaluar, një zjarr shpërtheu në një pjesë të objektit bërthamor Natanz, për të cilin qeveria tha se ishte një përpjekje për të sabotuar programin bërthamor të Iranit.

Pastaj në nëntor, shkencëtari më i njohur bërthamor i Iranit, Mohsen Fakhrizadeh u vra në një sulm pranë Teheranit. Irani fajësoi Izraelin për vrasjen.

Izraeli në përgjithësi nuk komenton mbi operacionet, megjithëse kryeministri Benjamin Netanyahu vazhdimisht e ka përshkruar Iranin si kërcënimin më të madh me të cilin përballet vendi i tij.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG